500 euro në çdo amvisëri nga kthimi i TVSH-së

Ideja është që t’u kthehet qytetarëve një pjesë e parave të tatimit që për çdo ditë dhe çdokund paguajnë për llogaritë e konsumit, komunaleve dhe harxhimeve të tjera të përditshme të jetesës

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 29 janar – Qytetarët pritet të fitojnë nga 30 mijë denarë, apo 15 për qind nga Tatimi i Vlerës së Shtuar, me projektin e fundit qeveritar të huazuar nga ekonomitë e tjera nacionale në botë. Ideja është që t’u kthehet qytetarëve një pjesë e parave të tatimit që për çdo ditë dhe çdo kund e paguajnë për llogaritë e konsumit, komunaleve dhe harxhimeve të tjera të përditshme të jetesës. Kjo nënkupton se nëse harxhoni 1000 denarë neto, në këtë total shtohen edhe 180 denarë për Tatimin e Vlerës së Shtuar. Pritet që 15 për qind nga 180 denarë apo nga 27 denarë t’u kthehen qytetarëve, për të arritur në fund në 500 euro në vjet, shkruan gazeta KOHA.

Të shtunën, në tribunën në Veles, “Ekonomi e fuqishme-shans për të gjithë”, kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se koncepti i kthimit të TVSH-së për qytetarët nënkupton se çdo qytetar do të fitojë kartelë konsumatore që do të evidentojë çdo gjë që ai harxhon.

“Nga 1 korriku, fillojmë me konceptin e kthimit të TVSH-së, ku nga çdo llogari fiskale të lëshuar, çdo qytetar do të fitojë kthim të 15 për qind të mjeteve. Tani çdo qytetar për shkak se do ti kthejë 15 për qind të TVSH- së, do të jetë në rolin e inspektorit. Ai që nuk do të lëshojë llogari fiskale, qytetari nuk do të blejë nga ai, por do të blejë në dyqanin fqinj, me qëllim që të kthejë TVSH-në. Në këtë mënyrë, çdo kush do të obligohet të lëshojë llogari fiskale”, thotë Zaevi.

Sipas tij, kjo shënon fillimin e masave ekonomike që parashikojnë kthimin e të hollave tek qytetarët. Parashikohet që së paku 150 milionë euro në vit të kthehen tek qytetarët, ndërsa jo më pak se 300 milionë euro do të vijnë në buxhetin e shtetit. Pritet që kartelat të përkufizohen në 30 mijë denarë me qëllim që të ketë një shpërndarje të barabartë të mjeteve, që të mos ndodh që qytetarët me të ardhura më të mëdha e që harxhojnë më shumë, të fitojnë më shumë mjete nga kjo masë.

Njëherazi gjatë planifikimit të kësaj mase, është parashikuar që ajo të mos vlejë për blerjen e mallrave luksoze. Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se një injeksion i tillë financiar, apo edhe një pagë e 13-të për një familje, është për t’u përshëndetur, mirëpo druajnë se si do të jetësohet në praktikë duke marrë parasysh edhe faktin se kjo masë është vonuar dhe ishte e paralajmëruar të realizohej tre vite më parë, apo nga nëntori i vitit 2016.

“Sigurisht se një masë e tillë do të ketë ndikim pozitiv në buxhetin familjar të qytetarëve dhe është në favor të përmirësimit të gradual të mirëqenies në Maqedoni, megjithatë mbetet të shohim se sa do të realizohet një premtim i tillë në praktikë”, thotë profesori universitar Nasir Selimi. Kthimi i TVSH-aq në vlerën prej 15 për qind u premtua edhe në programin zgjedhor të LSDM -së në vitin 2016.

“Çdo qytetar do të fitojë 15 për qind nga Tatimi i Vlerës së Shtuar e paguar në llogaritë fiskale. Kjo do të thotë deri në fund të viti edhe një rrogë shtesë në ço familje”, theksohet ndër të tjerash në programin “Plan për një jetë ë të mirë”.

Ndryshe, masa krahas përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve, synon edhe zbutjen e ekonomisë informale në shtet që llogaritet në një tretën e ekonomisë. Mirëpo, mbetet të shikohet se sa kjo masë do të ndikojë në uljen e ekonomisë informale, apo lëshimin e rregullt të llogarive fiskale duke marrë parasysh se ekonomia gri ka edhe burime të tjera siç janë punëtorët e paparaqitur.

Kohë më parë, anketa e Qendrës për hulumtimin e politikave ekonomike tregoi se një e treta e bizneseve janë përgjigjur se ekzistojnë manipulimet me TVSH-në, si dhe se përdoren mënyra të ndryshme në kontabilitet me qëllim të pagesës së tatimeve më të ulëta, ndërsa gjysma e qytetarëve janë përgjigjur se fitojnë, ndërsa gjysma se nuk fitojnë llogari fiskale.

“Problemet më të mëdha me ekonominë e fshehur paraqiten në bujqësi dhe tregtinë mallrat e akcizës, ndërsa shkaqet e paraqitjes së ekonomisë së fshehur janë ambienti jo edhe aq i volitshëm i biznesit, besimi i dobët ndaj institucioneve, si dhe pritjet e qytetarëve për shfrytëzimin e mjeteve të grumbulluara nga tatimet”, thotë Rusllan Stefanov, drejtor i programit ekonomik në Qendrën bullgare të hulumtimit të demokracisë. Sipas tij, nuk ka shtet që nuk ka problem me ekonominë informale që si dukuri e lufton në mënyra të ndryshme. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...