A dëshironi ta vrisni për të tretën herë Almirin?!

Shkruan: Mefail ISMAILI

E votuam Lubomir Joveskin, protestuam kundër vendimit të tij të parë për ndryshimin e akuzës për vrasjen e Almirit dhe tani do formojmë Komision parlamentar për të parë se si ai punon!

Ndonjëherë them dhashtë i Madhi Zot e jam në ëndërr! Por jo, për fat të keq, qënkam në realitet. Dua të hesht, por jo, nuk mundem. Sado që mundohem të paktën të mos shkruaj, shpirti nuk më rri i qetë, sepse më duket sikur ta shoh një vrasje me sytë e mij, e unë ta fsheh vrasësin në shtëpinë time!

E nga ana tjetër më duket se të njëjtën gjë e bëjnë ata të cilët e votuan me krenari të madhe Joveskin edhe pse kishte paralajmërime se ai si kryeprokuror nuk i ka duart e pastra ndaj shqiptarëve! Madje edhe më shumë krenoheshin se ishin të vetmit si shqiptarë që e votuan atë!

E sot, kur ata bashkë me Joveskin (të besueshmin e tyre për reforma rrënjësore në gjyqësor) e vranë për së dyti Almirin me rikualifikimin e lëndës, u hapën sërisht plagët familjarëve të tij, thonë se ja “ne do formojmë një Komision parlamentar për rastin e Almirit”.

Dhe pastaj çfarë?

Çfarë do të arrijë të ndryshojë ky Komision, sidomos për momentin, kur Kuvendi nuk ka kapacitet të sjellë një ligj, të mbajë seanca të rregullta, të punojë punën e tij për të cilën është votuar!

Çfarë do të bëjnë ata deputetë të këtij Komisioni parlamentar kur thuajse çdo e dyta seancë në Kuvend anulohet për shkak të mungesës së kuokrumit?

Nejse, e zëmë se do arrijnë ta bëjnë. Dhe hajt të kthejmë memorien pak më mbrapa. Në korrit të vitit 2009, Kuvendi, formoi një Komision anketues për rastin e Sopotit. Dhe? Rrezultati i gjithë punës së atij Komisioni cili ishte? Konstatimet se ky është rast i montuar politik dhe se në seancat gjyqësore janë shkelur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut…

Po, dhe çfarë pastaj? A e mban mend dikush se çfarë ndryshoi puna e këtij Komisioni ë? A e lehtësoi dënimin e të pafajshmëve? A i ndaloi vuajtjet e të dënuarve? A e parandaloi vdekjen në burg të njërit nga të dënuarit pa faj të rastit “Sopoti”? Unë them se jo. Por nëse ka ndryshuar gjë dhe unë nuk e di, atëherë ma thoni!

Epo atëherë çfarë do ndryshojë ky Komision i propozuar për rastin e Almirit? Sipas mendimit tim, mund të ndryshojë vetëm disa rrethana të cilat do të shkojnë në favor të atyre që e propozojnë!
Për shembull, do t’u thuhet qytetarëve, ju rrini nëpër shtëpi, mos protestoni, mos kërkoni drejtësi, mos e shkarkoni Lubomir Joveskin, mos e kërkoni kthimin në burg të Iliqit, se tani ne merremi me këtë punë!

Rrini në shtëpi dhe na lini të qetë se ne do të mbajmë 2-3 mbledhje dhe do të konstatojmë se Joveski gaboi, a Iliqi është vrasës! Por ama ne nuk kemi se ç’të bëjmë se nuk mund të përzihemi në punët gjyqësorit, se është organ i “pavarur”!

Por pse, ne nuk e dimë që Joveski gaboi dhe Iliqi është vrasës?

Por ama ja dikush dëshiron që të kalojnë 3, 6, apo 9 muaj dhe Boban Iliq do të jetë i lirë, Joveski kryeprokuror, qytetarët të heshtur, ndërsa vetëm dhimbja e familjarëve të Almirit do të mbetet!
Jo, jo, jo. Zgjidhja nuk është kjo! Komisioni dhe zgjidhja më e mirë për Almirin, është shkarkimi i Joveskit dhe kthimi i Boban Iliqit në burg.

Si do të bëhet kjo?

Shumë thjeshtë. Ata që e votuan Jovevskin, me nënshkrimin e 5 deputetëve mund të dorëzojnë interpelancë kundër kryeprokurorit “reformator” dhe në fund të votojnë shkarkimin e tij nga pozicioni që i dhanë.
Me këtë do të dëshmohet edhe shqetësimi i Qeverisë “reformatore” Zaev-Ahmeti për sistem të drejtë gjyqësor, por edhe do të ndërpritet vrasja për herë të tretë e Almirit.

Ç’do hap i cili nuk e ka për qëllim shkarkimin e Joveskit dhe kthimin e Iliqit në burg, e vret për së treti herë Almirin dhe i hap plagët familjarëve të tij.

E nëse pranojmë të humbet kohë me Komisione, atëherë pranojmë të amnistojmë Boban Iliqin, të largojmë nga përgjegjësia ata që e votuan Joveskin dhe ti themi Zaevit dhe partnerëve të tij qeveritar: Ju lumtë, vazhdoni me reformat në gjyqësor!

Por jo, të mos lejojmë vrasjen e Almirit për herë të tretë dhe amnistimin e fajtorëve!

In : Aktuale

Loading...
loading...