A diskriminohen bizneset shqiptare në Maqedoni?

Emin AZEMI

Një shtet mund të quhet i sigurt në reforma thelbësore dhe në tërësinë e ndryshimeve cilësore vetëm atëherë kur të gjithë banorët e percpetojnë shtetin si servis të barabart të tyre. Në Maqedoni ende nuk po ndodhë ky perceptim, ndërkohë që klasës politike i ngelë të fshijë të gjithë shembujt e këqinj që mund të merren si krahasim me pushtetet e kaluara. Dhe shembuj të tillë pati me vagona. Mjafton të ilustrohet vetëm një për të detektuar më për së afërmi shkallën e diskriminimit të qytetarëve mbi baza të ndryshme.
Një kompani shqiptare nga një qytet i Maqedonisë para disa viteve i kishte bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknologjike e administrative për ti plasuar produktet e veta në tregun e Bashkimit Evropian. Inspektorë të ndryshëm nga Brukseli kishin ardhë në këtë kompani dhe ishin larguar të mahnitur me  nivelin e lartë të prodhimit si dhe me kushtet perfekte higjienike dhe të ambalazhimit. Në raportet e tyre këta inspektorë kishin shënuar se kompania në fjalë i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një importues i denjë në tregun e BE-së.
Mirëpo ky rekomandim nga Brukseli nuk iu kishte bërë kurrfarë përshtypje disa burokratëve maqedonas, në krye të institucioneve përkatëse, të cilët ishin treguar pehlivana të mëdhenjë në pengimin e kompanisë shqiptare që të depërtojë në tregjet e huaja.
Pronarët shqiptarë nga Maqedonia kanë storie të dhimbshme, me ç’rast përshkruajnë diskriminimet që iu bëhen nga individë maqedonas nëpër institucione të caktuara. Bizneset e shqiptarëve trajtohen me kritere të tjera, shumë më të ashpra dhe në të shumtën e rasteve pronarët dorëzohen para dallavareve që  ua bëjnë turli zyrtarësh maqedonas, të cilët përpos urrejtjtjes ndaj shqiptarëve nuk disponjnë ndonjë kuaklifikim të hairit.
Por absurdi nuk përfundon këtu. Pronarët shqiptarë pyesin publikisht se ku janë ministrat dhe zyrtarët e lartë shqiptarë  dhe a janë ata të informuar me këto makinacione që iu bëhen bizneseve shqiptare. Ankesat më të mëdha kishin të bënin me pushtetin e kaluar, ku fatkeqësisht përfaqësuesit shqiptarë ose ishin të pafuqishëm, ose të painteresuar të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme  që i kishin kompanitë shqiptare.
Çfarë kuptimi ka vota, nëse ajo nuk përkthehet në veprim konkret? Çfarë kuptimi ka të dërgojmë përfaqësues shqiptarë nëpër institucione, nëse nëpër sirtaret e ministrive e drejtorive rrinë të mbyllura dokumentet e kompanive shqiptare, të cilat qëllimisht anashkalohen nga zyrtarët maqedonas.
Rasti me kompaninë që i kishte plotësuar kushtet për të plasuar produktet e veta në tregun e BE-së, mundet edhe sot të verifikohet. Pronarët e kësaj kompanie janë ende gjallë dhe ata nuk e kuptojnë se si është e mundur të ndodhë ky diskrimim kaq i hapur në sytë e minsitrave e drejtorave shqiptarë.
Fjalamania politike një ditë do të fashitet, bashkë me referendumin që do ta bëjë një ditë Maqedoninë pjesë të NATO-s dhe të BE-së. Por, me një kusht. Jo me zyrtarë që i rrudhin veshtë para kolegëve maqedonas kur kompanive shqiptare iu pamundësohet rruga e depërtimit në tregun e BE-së.
Prejardhja e diskriminimit në Maqedoni nuk ka nevojë të mësohet nëpër shkolla. Përvoja e së kaluarës është shkolla më e mirë për politikanët e së ardhmes të cilët do të edukohen për të guxuar të mbrojnë atë qytetar që e ka bë ministër, deputet, drejtor…
Në të kundërtën, kurrfarë kuptimi nuk ka vota!


Loading...
loading...