A do mund t’i fitojnë shqiptarët Strugën dhe Kërçovën

Riat Abdurramani

Nuk kanë lënë asgjë pa keqpërdorur liderët e partive politike shqiptare, të cilët edhe janë fajtorët kryesorë për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoni. Ata na sollën deri në atë shkallë saqë sot rinia shqiptare radhitet e dyta, menjëherë pas asaj siriane, për nga numri i kërkesave për emigrim në vendet e Bashkimit Evropian. Ata, përveç që i zhgënjyen thellë shqiptarët, i zhgënjyen edhe komunitetet e tjera joshumicë në Maqedoni, ngase ata kishin një shpresë se me rreshtimin pas subjekteve shqiptarëve do të mbrohen nga diskriminimi i shumicës (maqedonasve). Ky solidarizim me shqiptarët ishte i dukshëm në zgjedhjet lokale në Kërçovë dhe Strugë, ku me ndihmën e pakicave jo sllave, shqiptarët i fituan këto dy komuna.

Ç’ndodhi pasi kryetarët e kaluan lumin?

Po të dalësh në terren, do të duket qartë se popullata është tejmase e irrituar nga disa kryetarë komunash, kuptohet shqiptarë, mu ata që i kishin përkrahur dhe votuar, sepse, sipas tyre, janë po të njëjtit kryetarë që as i kanë mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore, e as kanë dashur të dëgjojnë për to. Bile, ç’është më e keqja, gjatë gjithë kohës së mandatit të tyre kanë treguar sjellje nënçmuese dhe refuzuese. Nga kjo sjellje e pahijshme, janë prekur edhe ata që veten e konsiderojnë shqiptarë, por këta farë politikanë e kryetarë kudo nëpër kafene i quajnë “torbeshë”, ndërsa në publik gojën e kanë plot shqiptarizëm. Në fakt, ky komunitet i etiketuar ka origjinë të pastër shqiptare, siç kemi rastin me Labunishtasit, ata të Oktisit, Podgorcës, fshatrat e Dibrës, Mavrovës, Rostushës, Kërçovës, etj., të cilët pas luftës së 2001-shit kishin filluar t’i rikthehen origjinës së tyre shqiptare. Ky keqpërdorim i politikanëve shqiptarë, të cilët keqpërdorën votat e tyre për pazare dhe hesape personale me palën maqedonase, tani ekziston mundësia reale që të mos përsëritet më fati i tyre, duke mos ua dhënë këtë luks këtyre politikanëve të papërgjegjshëm, por pazaret politike t’i bëjnë vetë me palën maqedonase. Rasti më i mirë për ilustrim ishte ai i shkarkimit të kryetarit të Këshillit të Komunës së Strugës, A. Qazimoski-it nga fshati Labunishtë, fshat ky që i kishte dhënë 2700 vota Ziadin Selës që ai të ulej në kolltukun e kryetarit. Shkarkimi ishte edhe më i dhimbshëm kur një “torbesh” (siç e quajnë këta politikanë mashtrues), u zëvendësua me një maqedonas. Kjo ngjarje, ka shkaktuar reagime të menjëhershme jo vetëm në Labunishtë, por edhe me gjerë. Këto veprime dhe sjellje të ngjashme janë të dëmshme, me pasoja të rënda dhe afatgjate.StrugaLajm

A duhet dikush të bartë përgjegjësi dhe të japë llogari për humbjen e përkrahjes së shqiptarëve të Labunishtës?StrugaLajm

Tani, të gjitha këta qytetarë shqiptarë në cilën anë do të rreshtohen për realizimin e kërkesave dhe interesave të tyre?

A do të mund të fitojnë shqiptarët në qytetin e Strugës dhe Kërçovës, si dhe në shumë komuna të tjera?

Të gjitha këto pyetje dhe shumë të tjera duhet t’i kërkojmë nga politika(në)t e vjetruara, të cilët në kokat e tyre thurnin ëndrrën e të qenit liderë të shqiptarëve në Maqedoni. Turp!


Loading...
loading...