A e di ministër Sugareski se ku ndodhet breg liqeni i …

Alpin Ollogu/

Këto ditë, Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë, në Maqedoninë e Veriut, ka filluar kontrollet në gjithë bregun e liqenit të Strugës dhe të Ohrit, për të vërtetuar se a ka aktivitete ilegale ndërtimi të objekteve të paligjshme. Kjo iniciative për vërtetimin e këtyre objekteve, sipas inspektoratit, është marrë nga shkaku i denoncimeve nga organizata qytetare të cilat janë kundër ndërtimeve të paligjshme në breg liqen. Ndërsa në realitet ky kontroll ka të bëjë me qëllimin e ministrit për transport dhe lidhje, Goran Sugareski, për kalimin e kompetencave të breg liqenit, në kompetencë të shtetit. Pavarësisht se a është kjo e duhur apo jo, veçojmë atë se ministri flet vetëm për liqenin e Ohrit, Strugës, Prespës dhe Dojranit, ndërsa askund dhe asnjëherë nuk e përmend liqenin e Dibrës!

Sugareski në lidhje me çështjen e kalimit të kompetencave, kërkon ose një tentim shfajësimi nga ky institucioni, për të kaluarën e ndërtimeve të paligjshme në vijen e breg liqeneve, kur dihet se Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë, Ministria për transport dhe lidhje, është bashkëfajtore e gjithë ndërtimeve në hapësirat e breg liqeneve, për pëlqimin antiligjor që ajo ndër vite ka dhënë në legalizimin e objekteve pranë liqeneve, apo mos marjen e masave adekuate ligjore dhe sensibilizimin e organeve kompetente gjatë ndërtimit të objekteve të egra, ose tani kërkon të fajëson tërthorazi komunat për keqmenaxhim me tokën e breg liqeneve, që ato kanë në competence. Por çuditërisht, askund nuk ka planifikuar asgjë për breg liqenin e qytetit të Dibrës!

Tani kur në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe ato lokale në disa qytete, kërkohet të bëhet edhe fushatë politike me çështjen në fjalë, ajo çka bie në sy është se edhe Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë, edhe pse udhëhiqet nga kuadër shqiptar (i partisë Alternativa), në të gjitha kontrollet e brigjeve të liqenit të këtyre ditëve, nuk përmendet asnjëherë liqeni i Dibrës, pavarësisht se për këtë breg liqen ka pasur denoncime të vazhdueshme, si nga shoqëria civile, organizata politike, çka është më e rëndësishme, ka pasur edhe denoncime të vazhdueshme penale nga Ministria e Punëve të Brendshme. Më gjithë këtë, inspektorati dhe ministria përsëri kanë heshtur. Mos ndoshta, udhëheqësit e këtij institucioni nuk e dinë ku gjendet gjeografikisht liqeni i Dibrës?! Mos ndoshta për Ministrin Sugareski, breg liqeni i Dibrës (bashkë me qytetin e Dibrës) ka mbetur akoma në hartat mentale maqedonase, si pjësë faktike e R.Shqipërisë, qytet kufitar me shumicë shqiptare, ku në të vetmin vend në Republikën e Maqedonisë së Veriut, maqedonasit nuk rënditen as në vendin e parë apo të dytë demografikisht.

Ёshtë për të ardhur keq kur institucionet shtetërore nuk i trajtojnë të barabartë qytetarët e vendit. Andaj i bëjmë thirrje qeverisë, partive politike shqiptare në qeverisje, shqiptarëve brenda LSDM-së, të vetëdijesojnë dhe aktivizojnë inspektoratin në krye me Llokman Limanin, Ministrin Sugareski, e gjithë të tjerët, të gjithë ata që e kanë të nevojshëm për ta mësuar se bregu i liqenit të Dibrës gjendet në territorin e shtetit të Maqedonisë së Veriut, dhe fatkeqësisht është breg liqeni me i shkatërruar dhe i rrezikuar nga ndërtimet e paligjshme, se e gjithë vija e breg liqeneve të tjerë brenda shtetit, të bëra bashkë.

Veçanërisht kërkesa shkon edhe për kandidatët e zgjedhjeve vendore në garën për të parin e qytetit të Dibrës, që përveç parashikimit në programin e tyre zgjedhor, edhe gjatë fushatës elektorale të ngrejnë zërin dhe kërkojnë llogari nga institucionet adekuate, për trajtim të barabartë, si çdo qytet tjetër ku ka një breg liqen dhe për të cilët ngriten çështje diskutimi dhe zgjidhje problematikash. Për më tepër, të jenë vigjilent dhe kyçen në diskutimin aktual mes ministrisë dhe komunave, në lidhje me kompetencat e disponimit me tokën e breg liqenit, se cila do të jetë zgjidhja më e mirë. Në atë se a do të jenë vetë të aftë në përballje me ndërtimet e paligjshme në breg liqen, apo këtë çështje ta lënë në kompetencë shtetërore. Sot si kandidatë e kanë obligim moral, nesër si kryetar do ta kenë obligim ligjor.

Autori: Alpin Ollogu

Loading...
loading...