A justifikohet injoranca sot?

Adriana Istrefi

Në këtë botë me shumë ngjyra dhe pak moral, në këtë botë ku e vërteta e tjetrit është e vërteta e të gjithëve, vështirë të gjesh një realitet si ai i librit. Shekullarizmi, kapitalizmi, demokracia kanë filluar të jenë një varr i madh ku janë shuar ndjesitë dhe kureshtjet për të qenë NJERI. Sot ekzistenca është “privatizuar”, sot njeriu real fabrikohet përmes dixhitalizimit, sot fjala nuk “flet”, sot fjala ka “turp”, sot fjala ka vdekur. Eh po! Demokracia i ka këto.
Demokracia, ky sistem i shitur si i lirë, vetëm liri nuk prodhon.. një sistem që është sa i pakuptueshëm aq dhe i pakëpërcyeshëm.
Luftuam për fjalën e lirë, erdhi demokracia dhe na e dha fjalën me shumicë e ndërkohë fjalës i humbi mendimi. Luftuam për dijen, kapitalizmi erdhi dhe na materializoi, duke na lënë vetëm kulturën e mallizmit. Luftuam kundër diktaturës sepse vdekja ishte çmim i lartë e ndërsa sot të vret OPINIONI. Demokracia nuk po prodhon lirinë që e menduam si të tillë, demokracia veçse sa transformoi fenomenin duke e justifikuar armën me ligj, fjalën me analfabetizëm dhe NJERIUN në konsumator.
E çfarë vlere ka njeriu modern, i cili sakrifikon vetveten për hir të masës? E si mund të vlerësohet paqja, kur akoma disa të vlerësojnë nga ngjyra e lëkurës? E si mundet njeriu MODERN ta dojë demokracinë, kur opinioni masës prodhon BESIMIN?
Sot lufta dhe paqja nuk kanë më kuptime specifike. Sot epoka e dixhitalizimit ka prodhuar idiotë me diplomë, ka prodhuar njësi matëse imazhin duke e kthyer njeriun një qenie mjerane. Sot epoka që po jetojmë i ka vlerat e përmbysura. Sot krimineli shihet si njeri që ia doli në jetë e ndërsa një akademik shihet si një dështak që prodhon broçkulla. Sot feja instrumentizohet nga politika në emër të mëshirës e ndërsa ai i varfri me barkun bosh lutet akoma për kafshatën e sotme. Ja pra, shekulli jonë ka prodhuar dy realitete ku vetëmohimi vret prej së gjalli me lutje e ndërsa kapitalisti modern bën publicitete në emër të bamirësisë.
Epoka e dukjes dhe injorancës është midis nesh. Nuk është vështirë të kuptosh se injoranca sot ka gojë. Injoranca flet me gjuhën e servilizmit se ndjenja nuk ka më, dëgjon me veshët e gënjeshtrës dhe të serviret në mesin e të pabarabartëve. Sot injoranca rilind në emër të pushtetit dhe deliron në turma. Sot turmat pa vetëdije, pa dije, pa tru, i gëzohen imazhit të medias duke prodhuar NJERIUN E RI MODERN.
Sot media kamuflon të vërteta të paditura. Sot e vërteta është ashtu siç tjetri mendon, siç tjetri thotë e madje kjo është LUMTURIA. Injoranca sot po i jep zë lumturisë së turmës e cila e paditur u gëzohet si skllavi të zotit. Dhe ja kaq, dhe budallallëkut i vumë brirë.
Sot NJERIU ka humbur vetveten në epokën që injoranca prodhon. Sot NJERIU për NJERIUN prodhon bombën atomike për të vrarë e ndërkohë nga ´´injoranca´´ e quan këtë shkencë. Sot NJERIU për NJERIUN prodhon medikamentin e rradhës jo për të luftuar sëmundjen, por për të vdekur dalëngadalë. Sot NJERIU për NJERIUN, prodhon politikë për të socializuar e ndërkohë lufton për të zhdukur identitetin e fqinjit.
Sot NJERIU për NJERIUN mendon për edukimin, për arsimimin e brezave, ndërkohë vriten për një fjalë goje.
Sot NJERIU për NJERIUN prodhoi globalizmin ndërkohë mendimin kritik e vranë.
Sot NJERIU për NJERIUN krijoi ligjin e ndërkohë drejtësia u bë çështje këndvështrimesh.
Sot NJERIU për NJERIUN bëjnë pakte tolerance e ndërkohë presin momentin të të mposhtin.
Sot, NJERIU për NJERIUN mendon për ndryshimin, ndërkohë pushteti ua vret ëndrrat.
Sot injoranca është bërë modë e ndërsa njeriu që i ikën turmës e quajnë të çmendur.
Dhe…. a më thoni pak, a justifikohet injoranca, kur ideali të vret?StrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...