A kanë shqiptarët elitë?


Nga Xhafer Shatri/StrugaLajm

Ata që mendojnë se është e pamundur, luten të mos i pengojnë ata që përpiqen (ta bëjnë të pamundurën…)
Albert Ajnshtajn
StrugaLajm

Nuk ka popull më individualist se shqiptarët. Ua kalojnë larg zvicëranëve, por dallimi është se këta të fundit i kanë kushtet për këtë komoditet, që ndryshe quhet subsidiaritet; kur ai, ajo ose ai tjetri ia besojnë shtetit një pjesë të ‘kompetencave’, lirive dhe të të drejtave të tyre. E ato që u mbesin, i ruajnë me çdo çmim, privatësinë dhe pronën sidomos.
Ndërkaq shqiptari do t’i bëj vetë të gjitha, mjekun, hidraulikun, avokatin, gjyqtarin, prokurorin, policin, shkencëtarin, pilotin, trimin, shtetin: të gjitha. Ky është një karakter kolektiv në themel antishtet…
Po marr një shëmbull konkret; çështjen e copëtimit të Kosovës.
Ka disa vite që trajtohet kjo temë në medie, në debate, në oda (çuditërisht oda vazhdon të jetë ende një institucion te shqiptarët e Kosovës sidomos…). Trajtimi është gjithëfarësh, siç e thoshte Demaçi, tëposht e përpjetë. Ani se kjo është ndër temat më të nxehta, askush nuk mëtoi të thërrasë, në emër të institucionit që përfaqëson, një tryezë, një debat ku do të ftoheshin autoritete akademike, shkencore, universitare, ekspertë apo analistë meritorë etj., për ta thënë fjalën e tyre për një çështje kaq madhore, që shpejt do të na thyhet në kokë të gjithëve.
Ndërkaq shkrimet, analizat etj., nuk mungojnë. Njëri thumbit, tjetri patkoit. Çdonjëri kokë më vete.
Këtë mendësi e shfrytëzojnë maksimalisht vetjet e liga, veç të tjerash, për ta marrë dhe për ta mbajtur pushtetin. Për t’ia arritur këtij qëllimi kanë ose zhvillojnë shkathtësi të tilla sa që një shoqëri në ndërtim e ka të pamundur t’i ndalë. Shëmbulli më konkret është Hashim Thaçi. Ky person qe 20 vjet tallet me shqiptarët. Gjatë luftës është përpjekur me ‘mish e me shpirt’ me nxitë luftë vëllavrasëse mes shqiptarëve, shëmbujt janë të shumtë dhe çdonjëri që s’ka problem me mbamendje i di. Shumë njerëz janë vrarë prej tij ose me urdhër të tij për t’i realizuar ambicjet e tij pushtetore.
Pas Luftës Thaçi, në etjen e tij të egër për pushtet ka kontribuar maksimalisht: që të ndahet Mitrovica dhe Veriu i Kosovës, që të sabotohet me të gjitha mjetet shpallja e Pavarësisë, me qëllim që kjo të ndodhë vetëm pasi ai të jetë në pushtet. Për të ardhur me çdo kusht në pushtet Hashim Thaçi me shokët e tij, në mars të vitit 2004, bashkë me shërbimet sekrete serbe, i vunë flakën vendit dhe kryen krime të tilla me të cilat fëlliqën keq emrin e mirë të Kosovës. Duhet nënvizuar se këto ngjarje haxhiqamiliste janë ngjarjet më të turpshme në historinë e vobektë të shqiptarëve.
Gjatë kësaj kohe Thaçi e C° i kanë rrjepë ndërmarrjet kryesore ‘shoqërore’ e ‘shtetërore’: Telekomin, Trepçën, KEK-un…, të gjitha privatizimet janë bërë nën kontroll të rrebtë të klanit të tij që ndryshe njihet si Prontomafia.
Pasi erdhi në pushtet, Hashim Thaçi nuk la institucion pa kriminalizuar, nuk la sistem të ndërtuar me shumë mund pa e bërë paçavër: arsimin, shendëtësinë, drejtësinë, ekonominë, Ministrinë e Punëve të Jashtme, mediet…
Më e rënda nga të gjitha është ajo që Hashim Thaçi, për të shpëtuar lëkurën e tij, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, është lëshuar në bisedime të fshehta me Serbinë dhe ka kornizuar marrëveshje që dëmtojnë rëndë jo vetëm integritetin territorial të Kosovës, por edhe interesat strategjike të shqiptarëve kudo që janë.
Dhe tani kur ka ardhur puna për t’ia lidhur lëmezat kësaj çështjeje, dhe kjo përmes një copëtimi të dhimbshëm territorial në favor të Serbisë, shqiptarët po sillen me një fatalizëm që t’i përkujton filmat zoologjikë që i shohim te Arte ose te kanalet e tipit ‘les animaux’. (Unë i shikoj shpesh, sepse aty e shoh cullak natyrën e ligë të njeriut, por ajo që më intereson më së shumti është sidomos sjellja, funksionimi i kopesë, turmës përballë rrezikut eminent…).
Nuk ka ide se si t’i dilet përballë këtij rreziku. Ata që po e kundërshtojnë, sidomos Haradinaj, po torpedohet përmes organizimit të grevave deri edhe te presionet ultimative ndërkombëtare. Me i dhimbshmi është presioni që vjen nga një vend që i detyrohen edhe një mijë breza shqiptarësh, Amerika.
Por kjo është kështu. Amerika ka ndryshuar jo vetëm në raport me shqiptarët, Amerika ka vendosur t’i kthehet vetvetës. Është vendim legjitim i një kombi. Ia besoj, sepse është lodhur duke qenë bebiciter permenent i popujve të vonuar. A meriton vëmendjen e Amerikës, një popull që lejon ta ketë në krye një vrasës siç është Hashim Thaçi? Jo. Pra Amerika tash ka vendosur t’i mbyll projektet që i ka nisur. Kosova është njëri prej tyre.
Ne, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, duhet ta kuptojmë më në fund, se Amerika që neve na shpëtoi nga asgjësimi, Amerika që kurdëve të Irakut ua bëri shtetin, nuk është më.
Tash është Amerika që ka vendosur t’u kthehet problemeve të saj të brendshme dhe ne këtë frymë do ta zgjidhë njëherë e mirë çështjen e Kosovës, se a dëmtohen shqiptarët ajo nuk ka kohë të merret me këtë, sikundër që nuk po ka kohë të merret më as me kurdët e Sirisë, të cilët po mbeten nën mëshirën e Erdoganit dhe Asadit.
Kështu është jeta.
Tash është një Amerikë që ndodhet para sfidave të mëdha dhe nuk po ia qesin llogaritë më të jetë Babadimri i atyre qe flen herët e zgjohen vonë. Shumë e thjeshtë.
Tash a do të thotë kjo që ne ta pranojmë të papranueshmen? Jo.
Mund të bëjmë përplot gjëra, së pari të zgjedhim njerëz që dijnë të shkruajnë letra, të paktën.
Lexojini dhe krahasojini përgjigjet që, në letrat e tij, ia kthyen presidentit Trump, Thaçi dhe Vuçiqi. Lexojini me vëmendje.
Para 110 vitesh kur shqiptarët nuk kishin shtet, kishin intelektual që shkruanin letra që të bëjnë edhe sot krenar. Ndërsa letra e Thaçit është një servilizëm e neveritshëm, për turpin tonë, dokrra të një kodoshi që e ka bishtin e zënë me derë!
Por po i kthehem fillimit:
Si është e mundur që, përballë një rreziku serioz të mos ketë një kundërveprim të koordinuar të elitave intelektuale, një apel të përbashkët drejtuar presidentit Trump, kancelares Merkel, kryeministres May, presidentit Macron etj., të nënshkruar nga shkrimtarë, gazetarë, intelektualë të profileve të tjera shqiptarë, ku me një fjalor krejt normal kërkohet ndihmë, kërkohet drejtësi, u thuhet troç: mos lejoni që xhelati të tallet serisht me viktimën që edhe pas të gjitha atyre krimeve që ka bërë, kërkon t’ia këpusë një gjymtyrë si kusht për t’ia hequr prangat.
Ky është krim në pikë të ditës.
Çka ju kushton një veprim kaq i pakët intelektualëve shqiptarë? Si do të arsyetohen nesër ata para fëmijëve të tyre kur nuk kanë lëvizur as gishin e vogël për ta penguar Serbinë dhe veglat e saj për t’i shkaktuar edhe një gjymtim tjetër Kosovës? Në këtë rast ne detyrohemi ta mësojmë se nuk kemi elitë dhe, për më tepër, ta marrim si të saktë thënien e Dobrica Qosiçit se “… shqiptarët janë bërllogu gjenetik i Ballkanit…“
Këtë shkrim po e përfundoj me një mendim tjetër detyrues të Albert Aijnshtajnit:
Ata që kanë privilegjin të dijnë, kanë edhe për detyrë të veprojnë.
Por jo pasi të jetë bërë krejt vonë.
Ndërkohë kalemxhinjtë e ndryshëm le t’i dëgjojnë serenatat për Amerikën që i këndojnë Thaçi dhe ‘klientët’ e tjerë të Gjykatës Speciale.


Loading...
loading...