AMATORIZMI I SKENËS POLITIKE SHQIPTARE

Shkelzen Halimi

Për subjektet politike shqiptare, bosht i organizmit politik nuk ishte ideja apo programi, por individi. Gjithsesi kjo do të ketë ndikuar që midis shqiptarëve të ketë inflacion servilizmi, faktorizim brenda natës të anonimëve dhe një armatë të politikanëve mediokër. Kjo, mbase do të bëjë që të mos ketë kurrfarë profilizimi ideologjik, por ngritje të kultit të individit, gjë që tregoi se nga mentaliteti shqiptar akoma nuk ishte shmangur një-partishmëria, ndaj dhe ishte e qartë se përse te subjektet politike shqiptare nuk pati konsolidim të demokracisë së brendshme, ku lideri do të tregohet jo vetëm organi superior me të drejta absolute, por askush nuk merrte guximin t’ia shprehë mendimin ndryshe, për të mos krijuar hatër-mbetje apo prishje qejfi. StrugaLajmStrugaLajm

StrugaLajm


Adhurimi i tepruar ka përjashtuar orientimet programore dhe statutin e partisë. Aty ku adhurimi ndaj individit shkon përtej kufijve të normales (si në kohën e liderëve komunist), aty servilët nuk zgjedhin mjete për ta treguar lojalitetin ndaj liderit. Kjo verbëri do të jetë shkaku kryesor që në skenën politike shqiptare në Maqedoni të dominojë kryesisht amatorizmi politik, i karakterizuar me grupe interesi dhe dëgjueshmëri të përsosur, që nuk kanë asgjë të përbashkët me traditën e demokracisë. Si pasojë e kësaj ishte edhe mungesa e konkurrencës së mirëfilltë demokratike, e cila dukshëm e bëri jo normale jetën e politikës shqiptare.
Krijimi i kultit të individit dhe jetësimi i tij në praktikë ishte një e vërtetë realisht e hidhur, që imponoi shumë pikëpyetje. Shoqëria shqiptare edhe në këtë fazë të demokratizimit nuk arriti të “çlirohet” nga individët e tillë që luanin lojëra të rrezikshme, duke keqpërdorur emocionet e njerëzve të sinqertë. Nuk do të konsiderohej e tepërt nëse thuhet se kjo ishte edhe shprehje e nivelit të emancipimit të mendësisë sonë! Në një konstelacion të këtillë ishte shumë vështirë të pritet ndonjë emancipim i anëtarësisë, i cili do të duhet të kalojë nëpër një proces të ndryshimit të mendimit dhe të organizimit politik. Për sa kohë që nuk do të ketë vlera të qëndrueshme, të cilave shqiptarët do t’u referoheshin, për aq kohë do të mbretërojë amullia, në të cilën, të gjithë do të bëjnë gjumë të rehatshëm, pavarësisht që brenda ditës para këmbëve të shqiptarëve përplaseshin me dhjetëra e dhjetëra probleme të natyrave të ndryshme, që kishin të bëjnë me indin kombëtar.

In : Aktuale

Loading...
loading...