Adem Karaga: Teatri shqiptar, me pengesa teknike dhe financiare

Në 31 maj është paraparë të mbyllen punimet e parashikuara me aneks-marrëveshjen shtesë për teatrin shqiptar, por ndërtimi duket larg përfundimit.
Në ditën e teatrit, funksionarë shtetëror përsëri vizituan këtë institucion dhe premtuan mbështetje. Drejtori i teatrit Adem Karaga, nuk precizoi kohë se kur mund të përfundojnë punimet por u shpreh optimist që kjo mund të ndodhë së shpejti.

“Punimet janë zhvilluar sipas një dinamike, sigurisht me shumë pengesa financiare, qoftë edhe teknike në kuadër të projektit bazë që është ndërtuar. Ne nuk duhet të harrojmë se filluan punimet pa projektin bazë të cilin e kemi kërkuar edhe nëpër institutet qoftë arkiva të ndryshme, kështu që projektantët u desh të riincizojnë situatën faktike të teatrit. Jemi në fazat gati përfundimtare. Ne po presim për momentin edhe pjesën tjetër të teknologjisë skenike e cila është e porositur. Sigurisht ka kohëzgjatjen e saj sepse duhet të montohet” – deklaroi Adem Karaga, Drejtor i Teatrit Shqiptar.

Muaj më parë, Alsat zbuloi se teatri shqiptar ka nënshkruar një marrëveshje të re në vlerë prej rreth 1 milionë eurosh për ndërtimin e tij me kompaninë italiane “Scentia SRL” (Shencia), përmes kontratës së fituar në katër sy, pa tender. Kjo kompani rezultoi të ishte filial i kompanisë “Lamone Moreda” e cila falimentoi para katër viteve, e që paraprakisht firmosi kontratë në vlerë prej 8 milion eurosh për rekonstruimin e teatrit. Megjithatë, 20% e shumës, apo 1 milionë e 600 mijë euro përfunduan në llogarinë e kompanisë italiane edhe pse nuk vendosën asnjë tullë.

“Shencia”, biznesin milionësh e fitoi pasi më parë, në të njëjtën mënyrë, pa thirrje publike ka lidhur kontratë me Teatrin Shqiptarë në vlerë prej 200 mijë eurosh. Italianët do të bëjnë punët ndërtimore- artizanale, instalime hidroteknike dhe makinerie si dhe ndriçim. Kontrata e re me Teatrin është lidhur në dhjetor të vitit 2017, kurse në vitet 2015 dhe 2016 kjo kompani nuk ka pasur asnjë të punësuar në Maqedoni. Nga teatri shqiptar atëherë sqaruan se kontrata pa tender është lidhur për shkak të punëve të pa planifikuara gjatë ndërtimit.

In : Aktuale

Loading...
loading...