Aleanca dhe Besa, amendamente plus për ndryshimet kushtetuese

Një ditë para votimit të mundshëm të nevojës për ndryshime kushtetuese, dy partitë më të mëdha nga blloku politik maqedonas theksojnë dallimet e kundërta sa i përket votimit. Derisa LSDM-ja beson se kolegët opozitarë do të tejkalojnë interesat partiake dhe do të votojnë “pro”, VMRO-DPMNE-ja shpreh qëndrimin unik të grupit parlamentar, kundër marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimit të Kushtetutës. Në rast se nuk arrihen 2/3, LSDM-ja propozon shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Besoj sinqerisht dhe ashtu siç theksova, besoj se nesër do ta kemi shumicën e nevojshme prej 2/3 për votim. Sipas vlerësimeve tona dhe gjithë asaj që kemi dëgjuar deri më tani nga diskutimet dhe deklarimet e kolegëve tanë nga opozita, nuk ka asnjë deputet në VMRO-DPMNE dhe në koalicionin e tyre të cilët janë kundër anëtarësimit në NATO dhe BE. E kemi ndjenjën se jemi afër momentit historik dhe momentit i cili do t’i jep kahje tjetër vendit dhe historisë së këtij shteti, duke besuar të gjithë nga ne këtu se ajo është Maqedonia Evropiane”- u shpreh Tomisllav Tuntev, deputet i LSDM-së.

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje thonë nga grupi parlamentar i BDI-së, nga ku shprehen të bindur se nevoja për ndryshimet kushtetuese do të kalojë.

Për BDI-ë nuk ka nëse në këtë proces. Për BDI-në ka vetëm një Maqedoni të integruar plotësisht dhe barabarësish në NATO dhe në BE. Alternativë tjetër nuk ka, plan B nuk ka. Nuk heqim dorë nga përpjekjet tona shumë intensive, shumë konstruktive, shumë dashamirëse dhe shumë inkluzive për të arritur në Kuvendin e Maqedonisë që do të hapte rrugën e Maqedonisë drejtë integrimit Euroatlantik”- tha Artan Grubi, Deputet i BDI-së.

Shpalljen e zgjedhjeve e kushtëzon edhe partia e Hristijan Mickoskit. VMRO-ja kërkon kryeprokuror të ri dhe 100 ditë qeveri teknike. Opozita nuk mohon shkuarjen në zgjedhje edhe pa Qeveri teknike 100 ditshe, duke i mundësuar kështu LSDM-së që të shpall zgjedhje pa nevojën e votave të BDI-së.

Fillimisht të kalojë votimi për ndryshimet kushtetuese në të cilat VMRO-DPMNE-ja do të votojë kundër. Pas kësaj menjëherë duhet të nisë procesi i Qeverisë teknike dhe realizimi i të gjitha kërkesave tona dhe më pas menjëherë shkojmë drejtë zgjedhjeve”- pohoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Në mesin e numrave që shumica beson se i ka për ndryshime kushtetuese, llogarit edhe votat e partive opozitare shqiptare. Lëvizja Besa, krahu i Kasamit dhe Aleanca për Shqiptarët kanë njoftuar se do ta mbështesin nevojën për ndryshime, por që në fazën e dytë do të ndërhynë me amendamente për çështjet si kombësia në dokumentet e identifikimit dhe zyrtarizmi i gjuhës shqipe. Pavarësisht se Rregullorja e Kuvendit mundëson diskutim deri në 10 ditë në fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, votimi nuk është i lidhur me afatet. Në rast se shumica nuk është e sigurt në numrat e nevojshëm, akti i votimit mund të shtyhet për disa ditë duke i dhënë kështu hapësirë shumicës për intensifikimin e negociatave me kolegët nga opozita. Në diskutimin aktual të drejtën e fjalës nuk e kanë realizuar 15 deputet./Alsat-M/

In : Aktuale

Loading...
loading...