Alsat: 61 vjeçari nga Labunishta që dyshohej për koronavirus, nuk pranohet në spitalin e Ohrit

Një pacient nga fshati Labunishtë i Strugës, i lindur në vitin 1959, i cili ka qenë i dyshimtë me koronavirus, dje pasdite nuk është pranuar në repartin infektiv në spitalin e përgjithshëm të Ohrit. Edhe pse paraprakisht në Strugë janë kryer të gjitha kontrollet e nevojshme nga rëntgeni e deri tek analizat e nevojshme, është marrë vendimi që të dërgohet në repartin infektiv në Ohër, që është reparti i vetëm në rajon. Drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani për Alsat tha se pacienti i cili në Ohër është dërguar me automjet të spitalit së bashku me familjen e tij dy orë kanë pritur para dyerve të klinikës infektive, që në fund të marrin raport për dërgimin e pacientit në Shkup.

Ndryshe, ky rast ka ndodhur pas paralajmërimeve të djeshme se spitali i Ohrit do t’i pranojë të gjithë pacientët e rajonit.

Për momentin pranojmë pacientë nga tërë rajoni. Tani për tani, Struga i kontrollon pacientët e vet dhe nëse ka nevojë për infektolog, i dërgojnë këtu – tha Goran Baleski- drejtor i spitalit të përgjithshëm, Ohër.

Drejtori i spitalit të Ohrit, Baleski përmes telefonit tha se pacienti është kontrolluar në automjetin e spitalit sepse ka pasur shenja të qarta të koronës. Pasi e ka marrë trajtimin e duhur, është dërguar për në Shkup. Ai shton se reparti infektiv ka kapacitet të kufizuar për pranimin e pacientëve.

Paraprakisht, Memlume Ibraimi 66 vjeçe nga Tateshi i Epërm i Strugës që ndërroi jetë nga Kovid 19, nuk ishte pranuar në repartin infektiv si dhe një paciente tjetër nga Llabunishti. Si pasojë, u shkarkua drejtorja e spitalit të Ohrit ndërsa nga kontrolli i Inspektoratit shtetëror shëndetësor- sanitar në repartin infektiv u detektuan lëshime të caktuara lidhur me veprimin e personelit mjekësor në rastin e pacientes së ndjerë nga Struga. Në ndërkohë, edhe Prokuroria Publike hapi rast për vdekjen e gruas nga Tateshi.

Ndryshe, Shtabi i krizës pranë komunës së Ohrit dërgoi kërkesë deri te Shtabi i krizës së Qeverisë që të gjejë zgjidhje për reduktimin ose kufizimin e lëvizjes së qytetarëve nga Ohri drejt Strugës dhe anasjelltas, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes më të madhe të qytetarëve.

Miki Trajkovski

In : Aktuale

Loading...
loading...