Anarkia që prodhoi “kopukë” kulturor…

Shkëlzen Halimi

MUNGESA E KAPITALIT SHPIRTËROR

Shqiptarët pozitën e tyre do të duhej ta shohin nga një perspektivë e re. Si angazhim sublim duhet ta kenë përmbushjen e vlerave kombëtare. Kur kjo do të arrihet, atëherë mund të dalin edhe në planin e kozmopolitizmit, por gjithnjë duke bërë krahasime midis asaj që është kombëtare dhe e huaj. Ajo që është shqiptare, mund të shprehet vetëm me gjuhën shqipe. Mohimi i vetvetes nuk të bën as evropian modern, e as perëndimor të përparuar. Evropës, Perëndimit mund t’i ofrohemi vetëm me vlera shpirtërore autoktone, të qëndrueshme, që janë karakteristikë e shqiptarëve. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët do të mund ta dëshmojnë kontinuitetin e qytetërimit që nga lashtësia e këtej.

Nëse me nocionin ideologji kuptojmë sistem idesh e pikëpamjesh politike, filozofike, juridike, estetike, morale e fetare, që shprehin interesat, qëndrimin e kërkesat e një klase, të një grupi shoqëror, të një partie, të një sistemi politiko-shoqëror etj., atëherë kjo asgjë nuk ka të bëjë me subjektet politike shqiptare, të cilat nuk patën bosht ideologjik. Fatkeqësisht, ato ishin vetëm grupime që e luftonin njëra tjetrën për t’u bërë pjesë e pushtetit, edhe atë për interesa meskine. Ideologjia e tyre nuk ishte as e majtë, as e djathtë, as e qendrës. Pra, ishin subjekte, herë – herë të krekosura, pa identitet të qartë.

Zgjidhjet e shpeshta të ofruar që ishin të pjesshme, për të mos thënë gjysmake, qartë treguan për mungesën e kapitalit shpirtëror. Në veçanti, kjo kishte të bëjë me ata të ashtuquajtur intelektualë, të cilët, duke përdorur fjalë të bukura (të huazuar e që i mori era), nuk ishin në gjendje t’i shkruajnë dy-tri fjalë, si dëshmi e kohës. Imagjinata e tyre nuk ishte në gjendje t’i perceptojë dukuritë negative që dëmtuan rëndë indin kombëtar. Në mungesë të guximit intelektual, ata tërë fajin, shpesh edhe pa të drejtë, ia lanë elitave politike, duke iu shmangur edhe nevojës së domosdoshme që të bëhen edhe korrektues të gabimeve të shumta politike. Kurse kjo defensivë e skajshme e tyre bëri që të shpërthejnë vlera të dyshimta sa që në një moment shqiptarët në Maqedoni patën, bie fjala, më shumë shkrimtarë se sa lexues. Askush asnjë fjalë nuk e tha për mekanizmat mbrojtës të kulturës shqiptare, e cila fatkeqësisht, për një kohë iu nënshtrua anarkisë totale që prodhoi “kopukë” kulturor…