Artan Dika:Aleanca për Shqiptarët” kamuflim parazgjedhor

 Artan Dika, ish-nënkryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) dhe një nga bashkëveprimtarët politik më të afërt të Rufi Osmanit, thotë se “Aleanca për Shqiptarët” ka qenë vetëm kamuflim parazgjedhor për të krijuar para publikut idenë e bashkimit të partive politike, transmeton Zhurnal.mk

“Nëse flasim realisht, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në skenën politike në Maqedoni kanë mbetur vetëm BDI, Lëvizja Besa dhe LR PDSH, si edhe PDSH, e cila është në shpërbërje e sipër. Aleanca për shqiptarët ka qenë vetëm kamuflim parazgjedhor për të krijuar para publikut idenë e bashkimit të partive politike. E ashtuquajtura RDK e kësaj Aleance si parti me vetëm një person ka ekzistuar vetëm në vulë dhe si vegël e pushtetit për të shkaktuar probleme brenda opozitës. Sado që Uniteti si parti arriti të përfshijë një pjesë të të zhgënjyerve të BDI-së, sërish mendoj se krijimi i saj është manovër e BDI-së. Koha po e vërteton këtë. Është e vështirë të besohet se një 75 vjeçar që gëzon të gjitha privilegjet e pushtetit dhe që kurrë nuk ka bërë kritikën më të vogël për pushtetin, të marrë fshatrat fushave e maleve për të krijuar parti politike me ndonjë qëllim tjetër pos kryerjen edhe të një nderi shtesë ndaj mikut të tij në pushtet”, vlërson Artan Dika, ish-nënkryetar i RDK-së për Zhurnal.mk

Ai mendon se kryetari i LR PDSH-së ka bërë dy gabime strategjike, duke bërë të kundërtën e asaj që ka premtuar vet. Së pari gaboi kur prishi Aleancën me RDK-në. Ndryshe nga sa deklaronte se do të respektonte vendimet e organeve të RDK-së, ai “mori nën sqetull” një person të vetëm, me veprime të dyshimta, pa asnjë organ partiak apo funksionar tjetër pas, i cili tani po i krijon probleme vet atij (vet Rufi Osmani në atë kohë pat shprehur një varg dyshimesh se personi në fjalë është vegël e pushtetit brenda opozitës.

“Për lidhjet e tij me shërbimin sekret tani indirekt flet edhe një përfaqësues i lartë i LR PDSH-së, nisur nga emrimi i ministrit të tij së fundmi). Së dyti Kryetari i LR PDSH-së e defaktorizoi veten edhe më keq kur, ndryshe sa pat premtuar se nuk do të hyjë në një qeveri me BDI-në, e bëri këtë duke e vënë veten në “xhepin” e BDI-së. Hyrja në qeveri në këto rrethana të pafavorshme, duke marrë një pjesë të vogël të kulaçit qeveritar, i kënaq fare pak persona brenda partisë ndërkohë që i armiqëson shumë më shumë të tjerë dhe e ul peshën e partisë në vendimmarrjen brenda koalicionit. Kjo ka bërë që të mos merren seriozisht nga askush kërcënimet e tij se do të largohet nga qeveria nëse brenda 100 ditëve nuk miratohet ligji për gjuhën”, thekson Dika.

Sipas tij, në një situatë kur personin që e mori nën sqetull dhe e bëri deputet, është më shumë deputet i BDI-së se sa i Aleancës, qeverisë i duhet vetëm edhe një votë për të patur shumicën prej 61 deputetësh.

“Këtë Zaevi shumë lehtë mund ta sigurojë nga partia e Thaçit apo nga deputetë të tjerë. Unë nuk e kuptoj se si funksionon kjo logjika e “tryezës së përbashkët” të partive shqiptare në pushtet, ku njëra do të mbetet në qeveri ndërsa tjetra do të dalë nga qeveria nëse nuk miratohet ligji për gjuhën, por pa shkaktuar asnjë pasojë për qeverisjen! Në rastin më të pakët kjo është joserioze. Është ironi e fatit që njeriu që akuzonte dikur RDK-në se bashkëpunon me Zaevin, u ul vet në prehërin e Zevit dhe fatkeqësi fakti se njeriu që shkoi në seancën parlamentare para disa vitesh për ta ndihmuar Gruevskin që ta miratojë buxhetin, pasi i nxorri me dhunë deputetët e LSDM-së nga parlamenti, ra pre e dhunës çnjerëzore të huliganëve antishqiptarë të Gruveksit në po atë parlament”, nënvizon Dika.

In : Aktuale

Loading...
loading...