Artan Dika:Pse u nda dhe pse nuk bashkohet RDK-ja

 Ish nënkryetari i RDK-së Artan Dika në një prononcim për Zhurnal ka dhënë informacione shtesë lidhur me atë se pse është ndarë RDK-ja, pse nuk është bërë ribashkimi i opozitës dhe gjithë rrjedhoja e këtyre zhvillimeve në syrin e tij, transmeton Zhurnal.mk

Sipas tij, e gjithë kryesia dhe struktura e patisë ka kërkuar që të bëhet koalicion mes LR PDSH, RDK dhe Besës me qëllim të mundjes së BDI-së.

“RDK-ja u nda për një çështje shumë madhore. E gjithë kryesia dhe struktura e partisë kërkonte të bëhet koalicionimi trepalësh LR PDSH-RDK-BESA për ta mundur BDI-në ndërsa kryetari i partisë i vetëm e kundërshtonte me të madhe këtë, duke kërkuar të mos shkohet bashkë në zgjedhje, gjë që e linte BDI-në në pushtet. Një gjë duhet të keni parasysh se kur ndodhën ngjarjet në RDK ishin shpallur zgjedhjet e parakohshme me 24 prill. Lëvizja Besa kishte dërguar fjalë se ishte e gatshme të ulet për të gjetur një zgjidhje, duke hequr dorë nga kërkesa 50 me 50, dhe ne ishim të gatshëm për kompromis. I vetmi njeri që e pengonte këtë ishte Veseli. Disa muaj më parë, me ndërmjetësimin e një miku të përbashkët isha takuar vet dhe kisha biseduar me sekretarin dhe nënkryetarin e Lëvizjës Besa për më shumë se katër orë, duke dashur t’i dëgjoj përfaqësuesit e Besës për ta parë se ku qëndronte problemi. Megjithëse kishim qëndrime krejt të kundërta ajo që më bëri përshtypje ishte se përfaqësuesit e Besës nuk ishin kundër bashkëpunimit por e kundërshtonin mënyrën e ndarjes së vendeve në lista, duke e parë partinë e tyre të defaktorizuar me vetëm 1/3-ën përballë 2/3-ave të dy partive tjera të afruara mes vete. Thënë realisht ky ishte një shqetësim i tyre që duhej marrë për bazë. Rufi Osmani ka qenë ai që ka kërkuar përshpejtimin e hapave sepse po afronin zgjedhjet. Ai më pat thënë personalisht se dyshonte tek loja e Veselit; se Veseli i shmangej atij; se nga burimet e tij të besueshme e kishte konfirmuar se Veseli vazhdonte me vite të merrte rrogë nga USHT megjithëse e kishte lëshuar punën; se Bilal Kasami ka shkuar deri në Çajle për ta takuar dhe Veseli nuk ka dalë ta takojë; e plot argumente e dyshime tjera. Veseli thoshte se Ambasada amerikane është kundër koaliconimit me Lëvizjen Besa. Për ta verifikuar këtë Rufiu e kishte marrë Fadilin dhe ishin takuar me zyrtarë të ambasadës të cilët u kishin thënë të kundërtën e pohimeve të Veselit, duke e nxjerrë atë për të disatën herë në rrenë. Po atë ditë, pas takimit në ambasadë, Rufiu më kërkoi të takohemi dhe pyetja e tij ishte kjo: “Doktor, sa deputetë mendon ti se do marrë RDK-ja me LR PDSH-në?” “4-5 … maksimumi 6, po ra bingo mundet edhe 7” – i thashë. “Po mirë” – tha ai – “si mendon ti, a ja vlen prap lodhja, harxhimet e mundi për të marrë 5-6 deputetë duke e lënë BDI-në prap në pushtet?” “Nuk ja vlen” – i thashë. “Atëherë” – tha Rufiu – “kryesia e ngushtë dhe ti duhet të shkoni të bisedoni me Veselin që ta bindni atë të lejojë koalicionim trepalësh edhe me Lëvizjen Besa, ndryshe është e kot.” Unë rash dakord dhe duke biseduar për skenaret e mundshme se si mund të rrjedhin ngjarjet shtrova dilemën se çfarë do të bëhej nëse Veseli me këmbëngulje nuk do lëshonte pe? “Atherë do të zgjidhni një kryetar të ri” – tha Rufiu. Bindja e përbashkët ishte se në rast se Veseli nuk do lejonte koalicionimin trepalësh ai duhej shkarkuar dhe duhej zgjedhur Fadilin për kryetar. Jemi munduar gati dy muaj për ta bindur Veselin vetëm të lejojë që të caktohen një ose dy persona për të zhvilluar bisedime trepalëshe, por ai me kokëfortësi nuk pranonte dhe nuk jepte asnjë argument bindës se pse e bënte këtë. Në mbledhjen e fundit të kryesisë, ku të gjithë anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve ishin pro caktimit të negociatorëve, ai mbeti vet dhe kur erdhi momenti të votohet u ngrit e tha ‘unë jam kryetar partie, unë nuk lejoj të votohet’ dhe iku. Kjo i acaroi të pranishmit që filluan të kërkojnë shkarkimin e tij. Për rreth një muaj sekretari i partisë Zenuni zhvilloi disa herë takime shtesë me Veselin për të gjetur nje zgjidhje. Ai nuk lëshonte pe me kokëfortësi. Për më shumë, vet në disa raste kishte thënë: “Amani mblidheni kuvendin edhe m’shkarkoni, se m’pjasi krija!” Dukej se njeriu kishte hall. Dukej se “ia kishte zënë rrota bishtin keq”. Mbase aso kohe zgjidhja më e mirë për ta demaskuar do të kishte qenë dhënja e dorëheqjeve kolektive dhe tërheqja jonë, por mbisundonte bindja se situata do të tejkalohej, do të ruhej aleanca me LR PDSH-në dhe se tërheqja do i demoralizonte njerëzit. Ngjarjet në RDK ishin tentimi i fundit serioz për ta bashkuar opozitën, për ta mundur BDI-në. Ishte tentim për ta parandaluar rezultatin e zgjedhjeve që pasoi. Sikur Sela të mos e merrte nën sqetull Veselin kur ai mbeti pa mbështetje, por t’i thoshte të kthehej tek shtëpia e vet, do të vazhdonte aleanca LR PDSH-RDK. Kjo do ta shtonte presionin ndaj Lëvizjes Besa për të arritur marrëveshje koalicionimi dhe për ta mposhtur BDI-në. Për vete nuk kam patur asnjë interesim tjetër. Pas tërheqjes së Rufiut nga posti i kryetarit jam propozuar për tu bërë kryetar, nënkryetar ose sekretar i RDK-së, por nuk kam pranuar. Ideologjikisht RDK-ja ishte më afër LR PDSH-së, por loja e Selës dhe tentimi për t’ja imponuar RDK-së si kryetar një person të shkarkuar ngjalli revoltë dhe averzion. Kjo e nxiti afrimin me Lëvizjen Besa, e cila gjatë asaj kohe pat mbajtur qëndrim korekt. Sado që në biseda private bashkëpunëtorët e ngushtë të Selës nuk ishin dakord me veprimet e kryetarit të tyre ata nuk kishin guxim t’i kundërvihen liderit të tyre. Bashkimi i opozitës më pas u bë shumë më i vështirë dhe ai nuk ndodhi sepse nuk u ra dakord për mënyrën e ndarjes së listave. Sela tani nuk pranonte propozimin e Bilalit dhe Fadilit për ndarje me 1/3, ndërsa Bilali nuk pranonte propozimin e Selës për ndarjen 50 me 50 mes tyre. Rezultati i zgjedhjeve që pasuan tregoi raportin real të forcave”, ka shkruar kështu Dika i cili më tej jep sqarim nëse është tradhëtuar Sela nga Veseli apo Veseli nga Sela.StrugaLajm

Sipas Dikës, të dy e kanë përdorur njëri tjetrin për qëllimet e tyre. Në një parti normale ku ka mendim kritik kërkohet llogari nga lideri për dështime të tilla. Anasjelltas, Veselit i duhej Sela në momentin e tij më kritik, kur vet kishte mbetur si peshku pa ujë, thotë për Zhurnal ai.

“Më duket se të dy e kanë përdorur njëri-tjetrin për qëllimet e tyre. Fillimisht Sela e përdori Veselin për ta dëmtuar RDK-në në momentin e krizës së saj, duke shpresuar se me shpërbërjen e RDK-së do t’i tërhiqte strukturat e saj nga vetja. Ishte një veprim tipik i mentalitetit thaçist, i dëmtimit të të tjerëve për tu forcuar vet. Selën e kishim informuar vazhdimisht për problemet në RDK dhe ai e dinte se këto ngjarje nuk kishin për qëllim prishjen e “Aleancës për shqiptarët”. Ndërkohë që ai deklaronte se do të respektonte vendimet e organeve të partisë, ai e mori nën sqetull Veselin që nuk kishte pas vetes asnjë organ të partisë. Ai e “ngjalli” Veselin në momentin kur ky kishte mbetur si peshku pa ujë. Por me kalimin e kohës kostoja e këtij veprimi të tij po vinte duke u bërë e papërballueshme, prandaj Sela vendosi ta “kullufis” edhe formalisht Veselin, duke harruar se Veseli ka pardon tjetër më të madh. Kush do japë llogari për prishjen e “Aleancës për shqiptarët” tani? Në një parti normale ku ka mendim kritik kërkohet llogari nga lideri për dështime të tilla. Anasjelltas, Veselit i duhej Sela në momentin e tij më kritik, kur vet kishte mbetur si peshku pa ujë. Pas kalimit të këtij momenti dhe instalimit si deputet pa patur kurrfarë peshe reale politike ai filloi të funksionojë si parazit në simbiozë me personin që e kishte marrë nën sqetull, duke ja rënduar gjithnjë e më shumë gjendjen atij. Veseli e ka ngrënë me kohë “grepin” dhe është i detyruar të hedh vallen që i urdhërohet sepse ja ka zënë rrota bishtin. Vetëm lexojeni deklaratën e LR PDSH-së në Saraj menjëherë pas zgjedhjeve që shprehte pakënaqësinë me ndarjen e posteve të ministrave mes partive të Aleancës për shqiptarët, kur Sela ende ishte bashkë me Veselin, dhe kuptojeni se pjesë e cilave qarqe është Veseli dhe kush e përfaqëson tani RDK-në në pushtet, pa qenë kurrë në RDK”, sqaron mes tjerave Dika.StrugaLajm

Po a është e mundur bashkimi i dy RDK-ve me Lëvizjen BESA. Sipas Dikës, RDK tashmë nuk ekziston, një pjesë i është bashkuar Lëvizjes Besa.

“Tashmë RDK-ja nuk ekziston. Ka një strukturë të mbetur të RDK-së e cila i është bashkëngjitur Lëvizjes Besa, ngaqë asaj nuk i mbeti më hapësirë tjetër në skenën politike, si dhe një sharlatan të vetmuar, i cili nuk ka asnjë arsye tjetër të veprimit në skenën politike pos shërbimit ndaj padronëve të tij që e (keq)përdorin. Sa për vete, e kam thënë edhe herë tjera se aktiviteti im partiak fillon dhe mbaron me RDK-në”, vlerëson Dika.

In : Aktuale

Loading...
loading...