Arvanitët e Greqisë të harruar nga qeveritë shqiptare

Në takimin midis dy ministrave të jashtëm të dy shteteve fqinj (i dyti pas atij të Kretës) rrodhi fjalia se në prill do të shkojë kryeministri Rama në Greqi i ftuar nga kryeministri Cipras.

Në Davos të Svicrës u njoftua se në prill kryeministri grek Cipras do të shkojë në Tiranë. Është një lajm i mirë, madje i pritur me kohë, i vonuar. Me sa është folur, madje me entuziazëm nga dy ministrat e jashtëm, punët për shumë çështje kanë marrë vijë. Se sa e thellë dhe e gjerë është kjo vijë, sa ujë përcjell dhe sa “toka ujit” dhe të “kujt ujit” më shumë, koha do të na e tregojë.

Nuk do të hamendësoj se çfarë do të bëhet e për çfarë do të flitet, sepse deri tani, në të gjitha daljet mediatike është shkruar e folur për “bisedime hermetike”, do të ndalem tek diaspora, ajo që na lidh me “gjakun e shprishur” tash e shekuj jetuar. Ndalem thjesht sepse edhe mua që kam vetëm njëzet e dy vjet i “ikur”, që kam kombësi shqiptare, që kam vetëm pasaportë shqiptare, më quajnë diasporë, shqip “farë e shpërndarë”! ë shkruan Shekulli. Kjo sepse diaspora shqiptare, shpërndarë në shekuj si farat që i merr era, ka nevojë për dorën dhe fjalën e ngrohtë që vjen nga rrënjët e hershme të saj, nga vendi mëmë, gjysh, stërgjysh, katragjysh…nga mesazhet njerëzore që e lidhin më shumë me rrënjët e të parëve.

Falë hapësirës historike që Italia u ka krijuar arbëreshëve në mbajtjen gjallë, madje edhe në kultivimin e gjuhës, zakoneve, këngëve, valleve, hapjes së shkollave, studimit të gjuhës shqipe deri në shkallë universitetesh, rrënjët e diasporës shqiptare atje kanë gjetur tokë pjellore e vazhdojnë të nxjerrin filiza, të rriten e të japin fryte. Me radhët e mësipërme nuk kam ndërmend tu hyjë në pjesë studiuesve të çështjes arbëreshe, por në krahëhapje me ta, dua të ndalem paksa në një degëzim paraardhësish të tyre, degëzim që nis me vargjet e një kënge masivisht të njohur…Moj e bukura More/Ku të lamë e ku më je?… Fjala është për Arvanitët, për “harresën” zyrtare shtetërore që u është bërë dhe u bëhet tash e më shumë se një shekull shteti të formuar shqiptar, për harresën dje, por veçanërisht për harresën sot.

Harresë e pafalshme…

Arvanitët, një popullsi që flet shqip, që ka zakone, këngë, valle, kostume shqiptare, që ka mall e dashuri për të parët e vet, që ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në Revolucionin Grek 1821-1828 për Pavarësinë e Greqisë nga Perandoria Otomane, që i kanë dhënë Greqisë personalitete të larta të politikës, shkencës, kulturës, artit deri në nivelet më të larta të shtetit…janë pranuar zyrtarisht se janë me origjinë shqiptare, në mos minoritet shqipfolës. Ambasadori Grek në Republikën e Shqipërisë Leonidha Rokanas i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptaro-Greke, ka folur për fenomenin Arvanitas, një fenomen që, sipas tij, nuk tregon vetëm që të dy popujt tanë mund të bashkekzistojnë, por edhe që mund të bëhen një, të pandashëm nga njëri-tjetri. Ai deklaroi: “Në historinë tonë të përbashkët kemi një fenomen që njihet si ai i arvanitasve.StrugaLajmStrugaLajm

Të gjithë në Greqi njohim arvanitët dhe gjuhën e tyre, që është gjuha e folur prej fiseve shqiptare në Greqi, një dialekt i gjuhës shqipe. Një gjuhë që flitet shumë në vendin tim, madje shumë i flasin të dy gjuhët. Disa prej tyre e përdorin edhe sot këtë gjuhë. Fenomeni arvanitas nuk tregon vetëm që të dy popujt tanë mund të bashkekzistojnë, por edhe që mund të bëhen një, të pandashëm nga njëri-tjetri”.

Korrespondenti i gazetës amerikane ”Detroit News” (“Dielli” 6 mars 1926), intervistoi Gjeneral Pangallosin në shtëpinë e tij. Ai shkruan: ”Ky fshat një orë më këmbë larg nga Athina është vendi i stërgjyshërve të Gjeneralit Pangallos. Është një fshat bujqish të cilët flasin gjuhën shqipe…” Thedhor Pangallos, gjeneral, kryeministër, personalitet i lartë i shtetit grek, shkruante me dorën e tij: “Që nga mosha e foshnjërisë flas gjuhën shqipe pse e ndjera nëna ime, që më rriti, nuk dinte greqisht. Ajo ishte vajza e më të madhit pasanik të Megaridës, Andon Birbilit, në shtëpinë e të cilit në Salaminë, la frymën e fundit mareshalli i paharruar Gjergj Karaiskaqi.

Rrjedhimisht, gjysma e gjakut tim është shqiptar dhe jam krenar për këtë. Admiral Kundurioti, tre Nikolaidhët, gjyshi, biri dhe nipi, gjeneral Konduli, admiral Saqellariu, heroi i nëndetëses “L. Kconi”, V. Lasko dhe shumë grekë të tjerë të përzgjedhur, janë që të gjithë me origjinë shqiptare dhe janë të njohura shërbimet që ata i bënë atdheut. Paparigopulos shkruan se nga të gjitha racat që erdhën në Greqi, përzierja me gjakun shqiptar prodhoi amalgamën e shkëlqyer. Hidriotët, Speciotët, Miaulët, Sahturi dhe mijërat e luftëtarëve të 1821-shit e deri më sot, dëshmojnë vërtetësinë e mendimit të Paparigopulit.StrugaLajm

Arbërishtja ishte gjuha që fliste Kundurioti, Kryeministër i Greqisë, Bubulina, Boçari, Suliotët dhe shumë të tjerë. Ishte gjuha që kuptonte dhe dinte Karaiskaqi, Andruçoja e shumë të tjerë luftëtarë të revolucionit për pavarësi. Sigurisht që arvanitasit nuk kanë prezencë të rëndësishme vetëm në librin e madh të të vrarëve të nderuar të kombit grek. Ata kanë prezencë të rëndësishme në botën e letrave, në shkencë dhe në institucionet e shtetit të ri veçanërisht duke marrë detyra shumë të larta ushtarake por edhe poste politike…” Mund të citoj shumë, madje mund t’ju sjell edhe arvanitas të gjallë në bisedat që kam bërë me ta në zonën e Thivas dhe në zona të tjera të Greqisë.

Mund t’ju sjell edhe lotin mbi rrudhat e një arvanitasi që kur e takova për herë të parë më tha “Jam njëqind pa tre vjet” dhe kur e takova për herë të fundit më tha: “Jam njëqind edhe katër vjet”, momentin kur i dhashë një libër me intervistën e parë me Të, çastin kur me sy të përqendruar mbi shkrimin dhe fotografinë e tij me duar që i dridheshin më tha: “Po unë nuku di të lexoj!”. Mund t’ju sjell edhe një peng të jetës sime, pamundësinë që amanetin që mu dha në Kosovë, në Prekaz në Ditët e Diasporës që dekoratën për Aristidh Kolën e madh arvanitas tua dorëzoj pjesëtarëve të familjes.

Pamundësinë që t’i gjej ata, largimit në heshtje që i bënin njeriut të tyre për tu shpëtuar telasheve nga segmente ekstreme që nuk e deshën Atë dhe nuk e duan “çështjen arvanite”. Një temë kjo tabu që sa vjen e hermetizohet. Arvanitasit mund të them se janë në skaj të kujdesit dhe harresës së shtetit shqiptar, dje, por veçanërisht sot kur falë pranisë së mërgimtarëve nga Shqipëria është zgjuar si asnjëherë “Kushtrimi i të parëve”, dëshira për të folur shqip, madje edhe dëshira për ta shkruar shqipen e tyre që ka kaluar gojë më gojë e i ka rezistuar si në asnjë vend tjetër asimilimit. Kam pas fatin të njihem me arvanitas të mëdhenj si Aristidh Kola që “edhe në gojë të ujkut” u ngrit kundër serbëve të Millosheviçit, në përkrahje dhe në debate të mëdha televizive për mbështetjen e kosovarëve në betejën e tyre finale për Kosovën e Pavarur.

Kam njohur, madje kam në bibliotekën time, libra të Tito Johallas ndër të tjerë një libër për Skënderbeun dhe një vepër voluminoze për arvanitasit e ishullit të Androsit, në analizë të fjalës së shqipes të banorëve të ishullit, një ndër ishujt e mëdhenj të Greqisë ku arvanitasit ishin shumicë. Kam biseduar me shumë arvanitas, bisedat me të cilët, shpërndarë në shtatë libra të serisë “Njerëz që i dua” dhe në shtypin e shkruar, po ti mbledh bashkë bëjnë një libër dyqind faqesh, me fjalë e me fotografi të tyre ngrirë në arkivin tim. Për arvanitasit janë shkruar (dhe vazhdojnë të shkruhen) shumë libra jo thjesht publicistikë e folklorikë por shkencorë, historikë, albanologjikë, biografikë. Kësaj pasurie të mbledhur me përkushtim dhe kujdes profesional, në kushte aspak të favorshme, deri në kushte ilegaliteti, shteti dhe politika shqiptare i ka qëndruar, dhe vazhdon t’i qëndrojë larg, në pozicionin pa sy për ta shikuar dhe pa veshë për ta dëgjuar.

Për disa muaj do të mbush njëzet e dy vjet mërgimtar në Greqi. Në kujtesën time të fortë për shkak të profesionit të gazetarit që e kultivoj edhe këtu prej kaq kohe, nuk kam parë, nuk kam dëgjuar që ndonjë personalitet i lartë i shtetit shqiptar të ketë shkuar në ndonjë takim me arvanitas, në stere apo në ishuj, të jetë ulur në sofrën e begatë të fjalës dhe të ushqimit të tyre. Kam një koleksion CD me këngë arvanitase, këngë me tekste të Aristidh Kolës dhe me muzikë të Moraitit, këngë që i dëgjoj me dëshirë dhe më japin informacion e mall për jetën e gjallë që përshkruhet në to.

Këto këngë janë kënduar dhe këndohen me raste anë e kënd Greqisë, veçanërisht në trevat arvanite, por, keq më vjen, nuk i kam parë apo dëgjuar në skenat e festivaleve shqiptare e në veçanti në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Do të desha që Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama të vinte një ditë në Greqi me një synim që të takohet me arvanitët, bashkërisht me Kryeministrin Cipras, të ulej me ta e të gjerbte kënaqësinë e madhe të fjalës së bukur të shqipes së “tyre” ruajtur në shekuj sa nuk i ka gjet askush fillimin. Majko, ministër i Diasporës, paska shkuar deri në Ukrainë për tu takuar me një komunitet shqiptarësh që numërohen me gishtat e dorës, kur një komunitet milionësh i ka në derë të shtëpisë! Mos u qëndroni larg arvanitasve! Ata sot kanë nevojë më shumë se kurrë për kujdesin e shtetit Amë, për mbijetesë. Pse jo, edhe për shkollim në dialektin e bukur të shqipes së shpërndarë.


Loading...
loading...