Austri: 35 vjeçari nga Maqedonia jepte para me fajde, dënohet me 3 vite burg

Procesi gjyqësor në Gjykatën e Landit në Wels, Austri, kundër shtatë të akuzuarve për dhënie të fajdeve dhe për nxjerrje të dhunshme të tyre, ka përfunduar të enjten me shpalljen fajtorë të të gjashtë prej tyre. Dy të akuzuarit kryesorë, një kosovar dhe një shtetas i Maqedonisë janë dënuar me nga tre vjet e gjysmë burg, shkruan orf.at. Njëri është liruar.

Katër ndihmësit e dy të akuzuarve kryesorë, që në fakt kanë qenë ekzekutuesit e nxjerrjes së fajdeve, kanë marrë dënime me kusht prej dy deri katër muaj burg. Vendimet nuk janë ende të plotfuqishme.

Akuzat që ngarkonin këtë grup ishin: fajde, shantazhim i rëndë, detyrim, presion për deklarim të rremë etj.

Në qendër të procesit ishin dy të akuzuarit kryesorë, një shtetas 35 vjeçar i Maqedonisë dhe bashkëpunëtori i tij 28 vjeçar nga Kosova. Këta dy kishin dhënë para me fajde, kundrejt kamatave astronomike: 20 për qind në muaj. Dhe në rastet kur borxhlinjtë nuk mundeshin më të paguanin, ata i dërgonin ekzekutorët e tyre të cilët i nxirrnin borxhet me metoda mëse të dhunshme, përcjell albinfo.ch. Vetëm njëri nga të akuzuarit kryesorë, shtetasi 35 vjeçar i Maqedonisë ka pranuar pjesërisht akuzën. Të tjerët, përfshirë edhe “kolegun” e tij kosovar, kanë hedhur poshtë çdo fajësim të bërë.

Megjithatë, dy të akuzuarit kryesorë kanë marrë dënime të barabarta, gjegjësisht nga tre vjet e gjysmë heqje lirie. Ndërsa katër të dyshuarit për ekzekutorë janë dënuar me dënime me kusht prej 2 deri 6 muaj. I pesti prej tyre është shpallur i pafajshëm dhe është liruar.

Si një nga dëshmitë për paskrupullsinë e veprimeve për të cilat ngarkohen të dënuarit ka qenë rasti i një shqiptari i cili, për t`ua paguar borxhin fajdexhinjve, qe detyruar të plaçkiste një bankë. (albinfo.ch ka shkruar). Ai i kishte marrë hua nga i akuzuari për fajde 10 mijë euro. Nga prilli i vitit 2015 deri në nëntor 2016 ka paguar për çdo muaj nga 2000 euro në emër të kamatës. Pas kësaj ai nuk kishte pasur mundësi më të paguante kamatë dhe nga frika prej fajdexhiut, kishte vendosur të plaçkiste një bankë. Atij, gjykata ia ka zotuar 25.500 euro si dëmshpërblim, para këto që duhet të nxirren nga tre të dënuarit.

Dënimet në pjesën dërmuese të rasteve nuk janë ende të plotfuqishme.

In : Aktuale

Loading...
loading...