Ballkani Perëndimor dhe Katalonja

Jo vetëm në Barcelonë por edhe në Serbi prej kohësh valon flamuri katalonas. Të gjitha zyrat e Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LVS) kanë nxjerrë në dritare flamujt e kësaj province spanjolle, në shenjë solidarizimi me Katalonjën. Shefi i LSV Nenad Çanak ka udhëtuar vet në fundjavën e kaluar në Barcelonë, për të ndjekur nga afër ecurinë e referendumit për pavarësi. “Ky referendum do të ketë pasoja serioze politike. Spanja e centralizuar si ajo sot nuk do të mund të ekzistojë në të ardhmen”. Ndërsa në Rijekë të Krocisë, partia autonome lokale “Lista për Rijekën”, kërkon që presidentja dhe kryeministri i Kroacisë të ndërkrejnë heshtjen dhe të denojnë “dhunën  brutale” ndaj qytetarëve katalonas. Një shtet i cili ka kërkuar edhe vet solidaritetin e botës deri në arritjen e pavarësisë, nuk ka të drejtë të heshtë, kumtoi kjo parti.

RAJONI I SECESIONEVE

Nuk dihet nëse është për shkak të Spanjës apo problemeve të Serbisë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, por shumë liderë të shteteve pasuese të ish-Jugosllavisë kanë heshtur për referendumin e pavarësisë në Katalonjë. Ndërkohë që Ballkani Perëndimor ka probleme si asnjë rajon tjetër me tendencat secesioniste, që nga vitet 90-të. Boshnjakët, serbët, kroatët dhe sllovenët më të moshuar kujtojnë vitet e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Bosnje-Hercegovina ka edhe sot probleme serioze me tendencat për secesion. Por edhe në rajonet tjera ka zëra që kërkojnë më shumë autonomi. Ngjashëm sikur në Katalonjë, edhe në Serbi ka rajone më të fuqishme ekonomike që kërkojnë më shumë autonomi financiare nga qendra në Beograd. Por edhe në Kroaci. “A ka Istra të drejtë të jetë e pavarur nga Kroacia?”, shtron pyetjen portali “Index.hr”. Por megjithë faktin që Istra vërtet paguan shumë tatime dhe përfitime në llogari të Zagrebit, politikanët e atjeshëm kanë hedhur poshtë mundësinë e ndonjë referendumi për decentralizimin e Kroacisë. Me siguri që ka njerëz që mendojnë se Istra duhet të jetë e pavarur, thotë politikani Ivan Jakoviq për Index: “Por kjo nuk është politika jonë. Ne duam një autonomi sa më të gjerë të Istrës por jo edhe shtet të pavarur”. Ndërsa Vojvodina e ka statusin e krahinës autonome në Serbi që nga viti 1945. Me Kushtetutën e vitit 1974 autonomia ishte zgjedhur edhe më shumë. Por në vitin 1989, kjo autonomi është shkurtuar nga autokrati i atëhershëm serb Sllobodan Millosheviq. Statusi i autonomisë është rikhtyer zyrtarisht prap në vitin 2002. Ndërsa me ndryshimet kushtetuese të vitit 2006 është zgjeruar autonomia financire. Por Beogradi ka hedhur poshtë deri tani të gjitha kërkesat e Çanakut për rikthimin e autonomisë së vitit 1974. Kërkesat e nacionalistëve shqiptarë në Maqedoni dhe jug të Serbisë për bashkim me Kosovën dhe krijimin e një “Shqipërie të Madhe” kundërshtohen jo vetëm në Beograd por edhe në bashkësinë ndërkombëtare. Ajo ka frikë se me ndryshimin e kufijve mund të shpërthejnë edhe konflikte të reja në këto rajone. Kërkesat dhe kërcënimet më të zëshme për secesion dëgjohen në Bosnje-Hercegovinë. Kroatët e Bosnjës kërkojnë entitetin e tyre. Ndërsa lideri i serbëve Millorad Dodik kërkon prej vitesh mbajtjen e një referendumi dhe ndarjen e Republikës Serpska nga Bosnje-Hercegovina. Tendosjet etnike janë dëshmuar në këto rajone në 15 vitet e fundit si mjeti më i fuqishëm për mbajtjen e pushtetit.

SHPRESAT DHE DËSHPËRIMET

Tendencat seperatiste në shtetet ish-jugosllave kanë dëmtuar edhe procesin e reformave ekonomike. Vetëm Sllovenia mund të krenohet sot me një standard shumë më të lartë jetese se në kohën e ish-Jugosllavisë. Madje edhe Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian, ka probleme shumë serioze me papunësinë e të rinjve dhe eksodin e shumë njerëzve që duan të punojnë diku tjetër. Varfëria, papunësia dhe ikjet janë pjesë e të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë. Shpresat për një të ardhme më të mirë nuk janë realizuar as në Serbi, Maqedoni apo Mal të Zi. Bosnje-Hercegovina e bllokuar është me vite të tëra larg statusit të kandidatit për anëtarësim në BE. Një perspektivë të hidhur për të ardhmen ka edhe Kosova si vendi më i varfër në Evropë. Të drejtën e lirisë së lëvizjes pa viza e kanë fituar edhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, por jo edhe shtetasit e Kosovës, të cilët detyrohen ende të presin në rende të gjata para ambasadave të huaja. Serbia me të gjitha forcat po bllokon pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 dhe të festuar me eufori të jashtëzakonshme. Gjendja në Kosovë edhe më tej i ngjanë një gjendje të përhershme të një vendi paslufte. (DW)

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...