Bashkëpunimet e dyshimta-Bledi Elmazi

Bledi Elmazi

Njeriu në rrugën e zhvillimit të tij, ishte dhe vazhdon të jetë kafshë shoqërore, ashtu si shumë kafshë si ujqit, shpendët shtegtarë, bletët, etj. Intelekti i tij thjesht i ka dhënë dhe përmasë virtuale këtij realiteti, për ta fuqizuar më tej, por nuk është vetë intelekti i tij krijues i këtij realiteti dhe nuk ishte njeriu që e zgjodhi këtë realitet. E këtu në këtë përmasë virtuale lind dhe problemi dogmave që burojnë prej bashkëpunimeve të dyshimta. Pra ide të caktuara të disa njerëzve: shtrembërojnë organizimin natyror të shoqërisë me vlerat e tyre në thelb hedoniste, kryekëput subjektive dhe pa asnjë relevancë me realitetin.
Në të kundërt, organizimi që i qëndron më besnik realitetit natyror është dhe ai që i përshtatet siç duhet mjedisit duke qenë rrjedhimisht dhe më efikasi përderisa vjel prej realitetit dhe vepron me realitetin.
Për sa i përket (administrimit), pra vendimmarrjes, në rendin e organizimit tek njeriu, me zhvillimin e trurit, si vegël interpretimi, vetëdijësimi dhe veprimi rreth realitetit, shfaqet dhe aftësia e përshtatjes së sistemit në mënyrë të atillë që t’i përgjigjet më mirë interesave dhe kushteve të njësisë shoqërore sipas së cilës kryhet zhvillimi. Kështu tek njeriu fuqia ndan pjesë me intelektin, i cili nuk është i pranishëm në kafshët e tjera. Si rrjedhojë e kësaj në rastin e njeriut vendimmarrjen duhet ta ketë ai që është më i aftë të marrë vendime funksionale drejt arritjes së qëllimit të shoqërisë në të cilën caktohet si vendimmarrës. (Për shkaqe pragmatiste si p.sh. të ligjit të turmës dhe cmirës së mediokritetit, që shpesh përbëjnë shumicën, në çdo shoqëri rëndom kërkohet prodhim intelekti agresiv në mënyrë që vendimmarrësi të jetë dhe zbatues i vendimit).
Ajo që nuk (apo bëhet sikur nuk) kuptohet me ose pa qëllim nga doktrinat që ngrihen mbi bashkëpunime të dyshimta është se aftësia për vendimmarrje, apo për zbatim e prijësit (a prijësve) më të aftë s’ka të bëjë me, dhe nuk varet nga, popullariteti i këtij në shoqëri, as nga pëlqimet e çdo individi të shoqërisë ndaj tij, por nga aftësia e tij të prijë, pra të marrë vendime efikase organizative.
Kështu, qëllimi i një sistemi organizativ detyrimisht nuk është të zgjedhë vendimmarrësit sipas popullaritetit të tyre në shoqëri, sepse kjo mënyrë zgjedh më popullorin dhe të pëlqyerin nga turma, por jo më të përshtatshmin për punën (haptas nuk e përcakton popullariteti aftësinë e dikujt në një profesion). Për më tej, turmës nuk i pëlqen realiteti dhe nëse i lihej asaj në dorë vendimi, gjëja parë që do të bënte do të ishte betonizimi, shpyllëzimi, plehrat e pafundme, lëndët toksike, qelbja e mjedisit, shkatërrimi i bregut të liqenit, dhe mundësisht gjithçka e kryer sa më larg ideve që të kujtojnë realitin, sepse ky i fundit sikur trazon nga pak utopitë sociale dhe hedonizmin e projektur mbi turma.
Për këto arsye bashkëpunimet e dyshimta në konkurse popullariteti janë në fakt shtrembëruese të realitetit dhe jo organizime funksionale


Loading...
loading...