Bëjeni një fëmijë, shpëtoni Shqipërinë!

Autoritetet shqiptare duhet të gjejnë një slogan, sikurse shumë vende, për të nxitur çiftet bashkëshortore të bëjnë fëmijë, në kushtet kur vendi po tkurret nga viti në vit. Këtë vit, INSTAT nuk tha asgjë më shumë se çfarë ka shkruar në statistikat e viteve të shkuara: Shqipëria po zvogëlohet!

Instituti i Statistikave, përmes raportit më të fundit, thjesht konfirmoi krizën demografike shqiptare, krizë që ka nisur vite të shkuara dhe po përkeqësohet. Sipas INSTAT, numri i lindjeve në Shqipëri vazhdon të ulet. Gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë pasqyroi një rënie me 69,9 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2017. E përkthyer në shifra, kjo krizë demografike mund të kishte një panoramë të tillë: Popullsia e Shqipërisë u tkurr me 0.2 për qind, ose afro 15 mijë banorë në vitin 2017.
Më 1 janar të këtij viti, Shqipëria numëronte 2 milionë e 870 mijë 324 banorë. Referuar këtyre të dhënave statistikore, shkaku i tkurrjes duket të jetë emigracioni, që mbetet shumë i lartë në shifra, që ka shtrirë efektet e tij dhe ndaj rritjes natyrale prej lindjeve të reja. Gjirokastra, Dibra, Berati, Kukësi, Korça, Lezha, Fieri, Elbasani dhe Shkodra rezultojnë qarqet me ulje të ndjeshme të popullatës, ndërsa vetëm tre qarqe, Vlora, Durrësi dhe Tirana pësuan rritje të popullsisë për vitin 2017.
Gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 30 mijë e 869 lindje të reja, 39 mijë e 900 shqiptarë kanë emigruar, ndërsa mbi 25 mijë janë regjistruar si imigrantë. Në tkurrjen e popullsisë, vlerësojnë sociologët, kontributin më të madh e ka shtesa natyrore, ose numri i banorëve që mbetet nga raporti lindje-vdekje. Sipas INSTAT, për vitin 2017 kjo shifër ishte 8637 banorë, duke pësuar një rënie me 16.5 për qind.
Po sipas INSTAT, problem vijon të mbetet ulja e numrit të lindjeve 2,7 për qind më pak se një vit më parë. Për gjithë vitin 2016, në Shqipëri u lindën vetëm 31 mijë e 700 fëmijë, shifra ndoshta më e ulët që nga viti 1930 kur shteti shqiptar krijoi për herë të parë regjistrin civil dhe filloi të regjistrojë të dhënat demografike. Megjithatë, ky rekord negativ i vitit të kaluar po përkeqësohet edhe më shumë këtë vit, pasi numri i lindjeve për periudhën janar-shtator të vitit të kaluar ka rënë me 3300 krahasuar me 2016-ën.
Shifrat e konfirmuara zyrtarisht nga INSTAT konfirmojnë anën tjetër të medaljes: plakjen e popullsisë. Numri i banorëve nën 14 vjeç ka pësuar rënie me 0.7%, duke zbritur nga 26.7% që ishte në vitin 2016, në 26% për vitin e kaluar. Ndërkaq, numri i pensionistëve, apo i banorëve mbi 65 vjeç, është rritur me 0.5 për qind në krahasim me vitin 2016, duke shkuar në 19.4%. E së fundi, jo thjesht për kureshti, Shqipëria ka 1 milion e 438 mijë e 609 banorë meshkuj dhe 1 milion e 431 mijë e 715 femra, një raport deri diku në baraspeshë.

SLOGANE QË NXISIN
Shqipëria nuk është as e para dhe as e fundit që po pëson tkurrje në popullatë. Vende të tjera, në Evropë e më gjerë, po zvogëlohen sikurse Shqipëria. Rritja natyrore e popullsisë ka nisur të ulet ndoshta 50 vjet më parë, si fillim në Evropën Perëndimore – Britania e Madhe, Holanda, Belgjika – për t’u shtrirë më pas në vitet 1990, kur dukuria u përhap edhe Evropën Lindore, përfshirë edhe vendin tonë. Kështu, në vitin 2016 në Shqipëri, në 1000 banorë, lindnin 12 fëmijë, krahasuar me 41 fëmijë që lindnin në vitet ‘60.
Ndërsa në rend botëror, në fund të klasifikimit qëndron Japonia dhe Gjermania me 8 lindje për 1000 banorë, më tej vendet me 12 lindje për 1000 banorë, ndërkohë Nigeria qëndron në krye me 50 fëmijë për 1000 banorë, e ndjekur nga Mali me 47 fëmijë dhe Angola me 45 fëmijë. Ky klasifikim rrëzon një nga tezat se, paraja është shkaku i lindjeve të pakta. Sepse, rezulton që në vende të varfra si Mali apo Angola e Nigeria lindshmëria është mjaft e lartë.
Duke parë tendencën e popullsisë në rënie, disa vende kanë gjetur slogane intriguese dhe nxitëse, në përpjekje për të nxitur lindjen e sa më shumë fëmijëve dhe parandaluar plakjen e popullsisë. E nga ana tjetër, autoritetet qeveritare të këtyre vendeve kanë ndërmarrë politika ekonomike e financiare për të ndihmuar familjet me shumë fëmijë dhe nxitur çiftet e reja për të bërë sa më shumë fëmijë.
Kështu, në Poloni, një nga vendet evropiane me numrin më të vogël të lindjeve, qeveria është përpjekur të gjejë një slogan intrigues. “Dëshironi të bëheni prindër? Bëni fëmijë si lepujt”. Ky është apeli, jo pak i çuditshëm, i fushatës më të fundit të ndërmarrë nga qeveria polake. Edhe pse ky apel ka shkaktuar polemika dhe reagime të shumta në vend, për shkak edhe të kostos së këtij spoti – 642 mijë euro – qeveria ka shpjeguar se synon vetëm rritjen e numrit të lindjeve dhe ndalimin e plakjes së popullatës polake.
Vetë ministri polak i Shëndetësisë ka shpjeguar se, qeveria po përpiqet të inkurajojë polakët në moshë riprodhuese – 18 deri në 45 vjeç- që të bëjnë një jetesë të shëndetshme. Duket se qeveria polake po studion edhe mundësinë e mbështetjes financiare për të mundësuar lindjen e fëmijëve nëpërmjet fekondimit artificial për çiftet që kanë probleme riprodhimi.
“Lindni sa më shumë fëmijë, paguan qeveria”. Maqedonia fqinje ka zgjedhur këtë slogan për të nxitur lindjen e sa më shumë fëmijëve në vend. Qeveria duket hapur se është e shqetësuar, më së shumti, për uljen e lindshmërisë së maqedonasve. Sipas një projekti qeveritar për fekondimin artificial, të hyrë tashmë në fuqi, qeveria i financon tërësisht çiftet për lindjen e një fëmije të dytë. Ndërkohë, ka dhe një ligj që është në fuqi, sipas të cilit, qeveria u jep afro 8 mijë dinarë çdo muaj familjeve për fëmijën e tyre të tretë.
Danimarka ka një slogan që konsiderohet “patriotik”. “Nëse nuk do të kesh fëmijë për familjen tënde, bëje për Danimarkën”. Ky është slogani që u drejtohet danezëve, banorëve të vendit të vogël nordik, që po regjistron prej vitesh nivel të ulët të lindshmërisë, 1.73 fëmijë për një çift.
Në Singapor, edhe ky një tjetër vend me nivel më të ulët të lindshmërisë në botë – vetëm 0.81 fëmijë për një çift, organizohet “Nata Kombëtare“, e shpallur si e tillë më 9 gusht 2012 nga qeveria. Në këtë Natë, çiftet nxiten “të shpërthejnë patriotizmin e tyre”.
Po kështu, qeveria ka vendosur në dispozicion një numër të vogël apartamentesh me qira, për të inkurajuar njerëzit të jetojnë së bashku dhe të riprodhohen. Sa u përket shifrave, qeveria e Singaporit shpenzon çdo vit afërsisht 1.6 miliardë dollarë në programe për t’i bërë njerëzit të bëjnë më shumë dashuri.
Italia, me nivel lindshmërie prej 1.43 fëmijë për grua, shumë më poshtë mesatares evropiane prej 1.58, ka marrë një qasje të diskutueshme për të inkurajuar qytetarët që të kenë më shumë fëmijë. Autoritetet kanë publikuar një sërë reklamash që u kujtojnë italianëve se koha mund të mbarojë dhe se fëmijët nuk vijnë nga askund. “Bukuria nuk njeh moshë, lind pjellori”, thotë një reklamë. Ndërsa një tjetër fton italianët të jenë më të gjallë: “Bëhu energjik! Mos prisni për lejlekun”.

RRUDHJE DHE PLAKJE
Pothuajse gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku pjesë është edhe vendi ynë, po plaket me ritme të shpejta. Në horizont duket se nuk ka ndonjë shenjë përmirësimi, pasi popullsia parashikohet të vazhdojë në rënie. Sipas Bankës Botërore, e cila së fundi publikoi një analizë për Ballkanin Perëndimor, tendenca e plakjes së popullsisë vjen për dy shkaqe. Besohet se shkaku i parë është niveli i ulët i lindjeve, që u shoqërua me emigracion të lartë, që është dhe shkaku i dytë.
Vendet e Ballkanit janë përpara një sfide të madhe. Nëse ato nuk marrin masa për të frenuar përkeqësimin e situatës, e ardhmja ngjan e zymtë. Banka Botërore raporton se, këto vende do të përballen me ulje të produktivitetit, pasi plakja në rajon do të ulë pjesëmarrjen e fuqisë punëtore dhe do të frenojë rritjen mesatare vjetore të të ardhurave për frymë me 0.4 pikë përqindjeje gjatë 50 viteve të ardhshme. Plakja e popullatës, gjithashtu, do të sjellë dyfishim të varësisë së të moshuarve ndaj moshës së punës, nga viti 2015 deri në vitin 2050.
Sa i përket Shqipërisë, në fillim të vitit 2017, popullsia në Shqipëri ishte 8 mijë persona më pak se parashikimet e INSTAT-it për këtë vit. Kjo rënie, në raport me çfarë pritej, mund të konsiderohet më fatale për moshën nga 0-15 vjeç, ku rrudhja është me 10 mijë të rinj më pak nga sa pritej. E kundërta ndodh me të moshuarit, të cilët po shtohen me shpejtësi. Shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit janë 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011, kur u bë Censusi i fundit për Popullsinë dhe Banesat. Mosha mbi 60 vjeç zë aktualisht 18.8 për qind të gjithë totalit të popullsisë.
Tkurrjen e popullsisë së Shqipërisë e paralajmëroi edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara që në raportin e këtij viti. Sipas OKB-së, brenda një shekulli, popullsia e vendit tonë do të shkojë nën 1 milion banorë. Ndaj, nëse e doni Shqipërinë dhe doni ta shpëtoni atë, bëjeni një fëmijë!

In : Aktuale, Rajoni

Loading...
loading...