“BETEJA E LIVADHISË”

Prof. Dr. Nebi Dervishi/Strugalajm.com
“BETEJA E LIVADHISË”
(vjeshtë 1462)

Shekulli i XV, veçanërisht periudha e luftrave legjendare të Skenderbeut paraqesin një nga fazat më të ndritshme të historisë sonë kombëtare. Ai e udhëhoqi luftën për pavarsi kundër pushtetit osman; ishte kreatori i bashkimit të parë politik e shtetëror dhe njëherit njëri nga figurat më të shquara të këti shekulli në planin ndërkombëtar.
Ka ngjarje në jetën e popujve, të cilat për nga detyrat që shtrojnë, për nga zgjidhjet që ofrojnë, për nga përmasat dhe forca e qëndresës popullore, mbetën përgjithmonë në histori, si udhërrëfyese për kohën e vet dhe për të ardhmen.
Një ngjarje e tillë në historinë e kombit shqiptar është lufta e madhe shqiptaro-osmane në shek. XV nën udhëheqjen e krytrimit legjendar e kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeut.
Historiografia e jonë deri tani, e udhëhequr nga politika ditore andej e këtej kufirit shtetëror, nuk e ka trajtuar sa duhet çështjen e historisë së Mesjetës, e cila gjendet jo për fajin e shqiptarëve autoktonë në këto treva etnike, jashtë kufirit shtetëror.
Siç thotë në një rast Prof. Aleks Buda: “Jemi të mendimit se për peshën e këtyre trevave do të duhej një shqyrtim i ri, i gjithëanshëm dhe i peshuar i tërë materialit burimor, por edhe i gjithë ati që ka dalur këtu e vite më parë, që nga botimi i “Historisë së Skenderbeut” nga Fan Noli. Do të duhej një interpretim me pikëpamje shkencore e me bazë të shëndoshë, për t’u paraqitur në dritën e plotë e të drejtë jo vetëm figura e Skenderbeut dhe epokën e tij, e cila është një nga periudhat më markante e historisë sonë.
Shekulli i XV, veçanërisht luftrat e Skënderbeut, paraqet një nga fazat më të ndritshme të historisë sonë kombëtare, madje jo vetëm kombëtare. Prandaj, luftat e Skenderbeut dhe vetë prijësin mund t’i inkuadrojmë në rrafshin kombëtar dhe atë jashtëkombëtar, pra më gjërë, duke parë ndihmesën që kanë sjellë për lirinë dhe pavarsinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të Ballkanit e më gjërë.
Populli shqiptar në dekadat e para të shek. XV ra nën robërinë osmane, më e rënda e me pasoja edhe në etnopsikologjinë kombëtare. Heroi i ynë kombëtar e rivendosi lirinë e humbur, duke ringjallur te shqiptarët vetëdijen dhe kultin e lirisë, se liria është vlera më e shenjtë, se ajo fitohet dhe mbrohet me luftë, se për atë, siç thotë edhe Barleti “duhet sakrifikuar edhe fëmija”. Skenderbeu si çlirues i atdheut, ishte i ndërgjegjshëm se ajo fitohet me vështirësi, por më vështirë edhe mbrohet e ruhet. Dhe ai si prijës i vërtet i një populli, gjeti forcën te bashkimi i popullit, tek uniteti kombëtar. Përmes kësaj synonte të arrinte te formimi i shteit shqiptar. Me mençuri e me urti, me mendjehollësi e me dituri, arriti që t’i bashkojë prisat shqiptarë nën një komandë, në një forcë e në një shtet. Ky shtet i vogël dhe i organizuar, i drejtuar nga heroi ynë kombëtar, ishte bërë pengesë e pakapërcyeshme për depërtimin e osmanëve në Itali dhe drejt qytetërimit Evropianë. Ka shumë të drejtë kur thot një kronikan i kohës, Gjergj Merula, se pushtuesit osmanë gjatë rrethimit të dytë të Shkodrën më 1478, kur ngulnin flamujt osmanë në muret e Rozafës (kalasë), bërtitnin “Roma, Roma… Kjo dëshirë e sulltanëve osman, veçanërisht e Sulltan Mehmetit II, mbeti ëndërr edhe pse ishte diçka e mundshme në vitet 40-50 të shek. XV.
Përvoja e 30 viteve të para të shek XV i kishte treguar Skënderbeut gadishmërinë e masave popullore për të luftuar. I kishte treguar se lufta e veçantë e zotruesve të ndryshëm feudal si dhe kryengritjet popullore në krahinat e ndryshme veçmas, sado të fuqishme që kishin qenë, ato nuk ishin në gjendje të ndalnin vërshimin osman.
Po ashtu ishte bërë e qartë për Skenderbeun se sulltani nuk lejonte në asnjë mënyrë që zotrimet e Kastriotëve të mbeteshin të bashkuara, qoftë në formën e një “ziameti” me vete në kuadrin e Sanxhakut, që ishte krijuar në vitin 1443.
Këto ishin rrethanat në të cilat u zhvillua ajo kthesë vendimtare dhe filloi ajo etapë e re më e lartë në luftën kundër pushtimit osman dhe në gjithë historinë tonë që lidhet me emrin dhe veprën e Skenderbeut. Kjo kthesë që bëhet në vitet 1443-44, i ka rrënjët në kushtet objektive të mbrendshme, të cilat në të njëjtën kohë u favorizuan dhe nga disa rrethana të jashtme.
Përparimi osman në viset qëndrore të Ballkanit, drejt Danubit, pushtimi i tokave serbe më 1439, goditjet e vazhdueshme (të njëpasnjëshme) kundër Mbretëris Hungareze, e detyruan këtë të fundit që nga viti 1442 të kalonte në veprime kundërsulmuese të fuqishme kundër osmanëve. Përfaqësuesi i kësaj politike u bë J. Hunijadi, i cili pas Skenderbeut u bë një nga figurat më aktive të luftës antiosmane. Nën udhëheqjen e tij, një ushtri hungareze, në vjeshtën e 1443 kaloi Danubin. Për t’i siguruar asaj mbështetje në këto vise, u zhvillua një veprimtari e gjerë diplomatike, në mesin e të cilëve u përfshi edhe Arbëria. Qëndrimi i Skenderbeut në Betejën e Nishit, në ditët e para të nëntorit 1443, ku forcat osmane pësuan disfatë, nuk ishte një veprim i lindur spontanisht, por rezultat i planit të paramenduar. Në këtë betejë morën pjesë me repartet e veta të gjithë sanxhakbejlerët. Skenderbeu u tërhoq me forcat shqiptare që kishte me vehte ose që mundi t’i mblidhte. I paisur me një ferman që ia merr me forcë, siç na thuan shumë burime, sekretarit të vulës, me shpejtësi të rrufeshme, Skenderbeu mori rrugën e kthimit në atdhe, rrugën e kryengritjes së hapur kundër sulltanit.
Beteja e Nishit 1443 është e një rëndësie të veçantë. Skenderbeu aty vendosi të largohej nga varësia e Sulltan Murati II që të krijonte shtetin e parë shqiptar, për të penguar ambiciet e Perandorisë Osmane për pushtimin e Evropës Pernëdimore. Pasi çliroi Krujën dhe ngriti flamurin, aty më 28 nëntor 1443, Skenderbeu menjëherë i kushtoi kujdes çlirimit të kalave e fortesave, e veçanërishtë asaj të Sfetigradit dhe kalave të tjera.
Pas çlirimit të kalave rreth Krujës, Skenderbeu e pa të nevojshme të organizonte një kuvend me princat feudal shqiptarë, për të ngritur shtetin e parë shqiptar. Më 2 mars 1444, në Kishën e Shën Kollit në Lezhë, arriti të organizonte Kuvendin dhe të formojë LIDHJEN E LEZHËS, që mund të quhet si formimi i shtetit të parë shqiptar. Në këtë Kuvend nuk pati me sa dimë ne ndonjë përfaqësues nga krahinat e Shqipërisë Lindore, megjithëse këto vise u bënë arenë e vërtetë e luftrave kundër osmanëve.
Pas fitoreve të para të Skenderbeut në vitet 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha, në dyert e trojeve shqiptare, në Alhri (Ohër), Kostur, Manastir e Shkup, me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit, me një rregullsi të planifikuar, sidomos në kohën e korrjeve e të mbjellave, me qëllim imediat për të shteruar forcat njerëzore dhe mundësinë ekonomike të vendit.
Siç është e njohur (ditur) nga 24 beteja të zhvilluara në luftën e madhe shqiptaro-osmane, në shek. e XV, 19 prej tyre Skenderbeu i ka zhvilluar në trevat e Shqipërisë Lindore, e prej tyre të paktën 9 beteja i ka zhvilluar në Pellgun e Ohrit-Strugës ( 2 beteja në Modriç, Ohër, një në Livadhi, Oktis e Dobovjan, 3 në Mokër që sipas mendimit tonë e fakteve të shumta duhet kërkuar pa dyshimin më të vogël në këtë nënqiell, 3 beteja në Sfetigrad e kështu me radhë).
Në Betejat e Skenderbeut dhe në përpjekjet e tija për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, me të drejtë duhet parë edhe ndihmesa që kanë dhënë shqiptarët (arbnorët) e Shqipërisë lindore në këto troje dhe në kontekst (lidhje) me këtë edhe fortesat (kalat) e shumta në këtë pellg ku janë zhvilluar betejat, troje këto që në atë periudhë përbënin një tërësi teritoriale. Fushat e Livadhisë e Domosdovës, Ohrit e Torviolit, Mokrës e Krujës, kalatë e Ohrit dhe e Petrelës, fusha e Pollogut e Elbasanit, në kohën e Skenderbeut, të gjitha këto kanë qenë dhe kanë përbër një njësi teritoriale dhe kanë marrë pjesë aktive në qëndresën për mbrojtjen e lirisë kombëtare, kanë dhënë ndihmesën në krijimin e shtetit të pavarur e unik shqiptar. Kjo traditë është ngulitur thellë në vetëdijen e shqitparit të djeshëm e të sot.
Teritoret etnike shqiptare, të çliruara dhe të organizuara në një shtet sulmoheshin prej sulltanëve osmanë nga disa drejtime, nga Kosova, Greqia e Maqedonia. Drejtimi kryesor dhe më i shpesht ka qenë itinerari në Maqedoni, nga Ohri (ku Skenderbeu kishte ngritur pika vrojtuese dhe një sistem të tërë me foresa e kala si: e Trebenishtës, Potmolit, Llokoçeres, Koroshishtës, Dollogozhdës, Tateshit, Moronishtë, Modriçës e Vajtosit, etj).
Ushtrit osmane pasi depërtonin nga Alhria, futeshin në dy gryka kryesore: drejtimi i parë ka qenë Drini i Zi për të hyrë në Dibër, Vajkal e Krujë dhe Shkumbini për në Elbasan e Krujë. Drejtim tjetër nga vinte ushtria osmane ishte nga Shkupi, në grukën e Dervenit, në Tetovë, Pollog e Radikë. Në këtë hapsirë të madhe gjeopolitike janë zhvilluar betejat e shumta, ka pasur shumë pika strategjike të rëndësishme, të cilat të dy palët janë përpjekur që t’i shtinë në dorë.
Sipas humanistit shqiptar Marin Barleci, Beteja e Livadhisë zhvillohet në vjeshtën e vonshme të vitit 1462.
Karaxhabeu një ushtarak i dëgjuar në hierarkinë ushtarake osmane për fushatat e shumta dhe me autoritet pranë sulltan Mehmetit II –Fatihut (Pushtusit), i njohur nga merita lavdie, i shtron atij kërkesën për kryesimin e një ekspedite ushtarake prej 30.000 vetësh, kundër Gjergj Kastriotit –Skenderbeut. Me këtë rast komandanti i dëgjuar turk, i premtoi se do të sillte atë “të gjallë apo të vdekur” përpara këmbëve të Sulltanit.
Sulltan Mehmeti II e miratoi planin e tij, duke i shtuar edhe 10.000 ushtarë të tjerë me qëllim kompensimin e humbjeve të mëparshme të ushtrisë osmane.
Efektivi i zbuluesve të Karaxhabeut, nuk i shpëtoi dot vigjilencës së zbuluesve të Skenderbeut të shpërndarë me një strategji të qëlluar edhe në këto treva etnike shqiptare.
Rrjedhimisht, lëvizja dhe dislokimi i njësive ushtarake osmane nuk mbeti sekret për Skenderbeun, gjë që i dha mundësi ati të pregaditej mirë e në kohë, për t’u përballur me sukses me rrezikun e madh që i kanosej. Fillimin e betejës, Heroi i ynë Kombëtar e priti i qetë e krenar me këto fjalë:
“UNË DO T’I TREMBESHA MË SHUMË KAPEDANIT PO TË MOS ISHTE PLAK, SE SA TËRË USHTRISË. KARAXHABEU YNË – shtonë ai sipas Barlecit – DO TË KUJDESET MË MIRË PËR VETEN E VET. SIKUR TË KISHTE MENDUAR PËR MOSHËN, PËR FATIN E VET TË LODHUR TANIMË NGA GJITHË ATO TRIUMFE, QË I KA LEJUAR, NGA GJITHË ATO FITORE QË I KA PESHUAR… PËRPARA PRA, SE UNË S’DO TIA KEMË FRIGËN AS 50 VJEÇAR KËTI NJERIU TANIMË TË PLAKUR, TË CILIN DIKUR TË RI SE KAM PËRFILLUR FARE, KUR ISHA GATI FEMIJË…”
Kundër ekspeditës së Karaxhabeut, Skenderbeu pregaditi më shumë forca se sa kundër Hasanbegut, çka ia diktonte përvoja e gjatë dhe name i të parit.
Pa humbur kohë dhe duke e vlerësuar drejtë situatën, ai nisi midis dy Dibrave 2.000 kalorës, deri në tokat e tribalëve, ku pritej të mbërrinte ushtria osmane. Ata, të fshehur në malet përqark dhe në pikat vrojtuese të fortifikuara, si Kalaja e Dollogozhdës, Tateshit, Modriçës, Sfetigradit, Moroishtës, Jabllanicës, organizonin veprime të shpejta e befasuese.
Karaxhabeu nisi një pararoje prej 4.000 ushtarësh, kurse pjesën kryesore e vendosi në vendin e quajtur KIER (një toponim për ne i pa njohur, por sipas bindjes tonë duhet të jetë shtrirë në lindje të Livadhisë pranë varreve të vjetra). Pararoja osmane u zbulua nga shqiptarët dhe gjatë përleshjes la shumë të vrarë e të plagosur. Pjesa që mbeti gjallë, u kthye te Karaxhabeu për t’i dhënë lajmin e kërdisë. Kjo bëri që morali i ushtrisë turke të bjerë akoma më shumë. Komandanti turk ishte gadi të kthehej nga kishte ardhur, për tu këthyer sërish kundër Skenderbeut në pranverën e ardhshme, por turpi nuk e la të realizonte një veprim të këtillë. Me manovrime të shpeshta që zgjasin dy ditë, Karaxhabeu, vendosi tendat në fushë (jemi të mendimit se duhet të jetë vendosur te livadhet e Thanave, pranë Livadhisë, në perëndim). Pas pregaditjeve të bëra, në mengjesin e një dite vjeshte të vonshme, Karaxhabeu i dërgon lajm Skenderbeut për t’u ndeshur në mënyrë të rregullt dhe jo hajdutshe. Heroi Ynë Kombëtar nuk priti shumë sa të mbaronte këshillimi në kampin osman. Që në fillim të betejës së Livadit (dhisë), nisi një shi i fortë saqë beteja u ndërpre. Shiu vazhdoi tri ditë rrjesht, aq sa Karaxhabeun e detyrojë të zhvendoste tendat e kampit në vendet malore e të shpëtojë ushtarë nga mbytja. Shiu i vazhdueshëm i dha mundësi Karaxhabeut që të shpëtojë kokën e të largohet.
Në fillim Sulltan Mehmet II e priti Karaxhabeun me nam, me qortime të ashpra, por më vonë e lavdëroi me që kishte shpëtuar ushtrinë nga katastrofa e sigurtë.
Beteja e Livadhisë afër Ohrit në një ditë vjeshte të vonshme të 1462, përbënë një fitore tjetër të suksesshme kundër ekspeditave të Sulltan Mehmetit II Fatihut, pas asaj beteje të Mokrës që zhvillohet më 27 gusht dhe në Fushën e Pollogut, pakë ditë më vonë 1462, të cilat u arritën brënda një harku kohor shumë të shkurtër.
Viset e Shqipërisë Lindore në drejtimin, vertikal Shkup-Ohër në Luftën e madhe shqiptaro – osmane në shek. XV pa dyshimin më të vogël kanë paraqitur një levë dhe një krah shumë të fuqishëm në betejat e Skenderbeut, luftra këto të rrepta e të ngjeshura, të pa ndërprera në tërë kryengritjen dhe qëndresën gjithëkombëtare. Këto luftra e kjo vazhdimësi dëshmojnë për një popull, për një histori dhe për një territor që padrejtësisht historia (Fuqit e Mëdha) në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913 na ndanë në disa shtete.StrugaLajmStrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...