Bexhet Asani:“SHQIPONJAT” ARBËRESHE FLUTURUAN NË AMERIKË…!

“SHQIPONJAT” ARBËRESHE TË SHËN SOFISË SË EPIRIT FLUTURUAN NË AMERIKË…!

Shkruan:
Bexhet Asani

Nga mesi i tetorit 2019, Grupi folklorik “Shqiponjat” nga Shën Sofia e Epirit të Krahinës së Kozencës – Kalabri, për disa ditë me radhë shfaqën koncerte në Nju Jork dhe në Kenerikë. Për ardhjen “Shqiponjave” arbëreshe, më kishte njoftuar regjisorja Luçia Martino: “Përshëndetje i dashur profesor! Jam e gëzuar se në tetor do të jem në Nju Jork. U vinjë me dy grupe: një kalabrez e një arbëresh. Na ka Kalabria jemi arbëresh pir (por) jemi edhe kalabrezë. Dua t’ u njohë! Je dërgonjë programin. Columbus day jemi dhe ka sfilata me kostimet arbëresh. Shihemi në Nju Jork. Të fala shumë!


“Mirë se të na vini!” – iu përgjigja shkurt.
Me të marrë këtë mesazh nga motra jonë arbëreshe, aty për aty e bëra një Lajmërim: Lajmërohen të gjithë shqiptarët si dhe Qendrat kulturore shqiptaro – amerikane, kudo që gjenden në Nju Xherzi, në Nju Jork, në Kenerikë etj., se më datat 11, 12, 13 dhe 16 tetor 2019, do të mbahet “Java kulturore arbëreshe dhe kalabreze” do të marrin pjesë: Shoqata Kulturore “Vorea” nga qyteti i Frasnitës së Kalabrisë – Itali, e udhëhequr nga regjisorja e njohur Luçia Martino, do të vërë në skenë një fragment të komedisë me titull “Gruaja magjistare”, në gjuhën arbëreshe, po në regji të Luçias, grupi folklorik “Shqiponjat” nga Shën Sofia e Epirit, do të prezentohet me këngë dhe valle popullore arbëreshe si dhe grupi folklorik “San Sosti” do të prezentohet me këngë dhe valle kalabreze (Italiane), ndërsa znj. Luçia Martino me shoqet e saja nga kuzhina tradicionale arbëreshe do të përgatisë SHTRIDHËLA (Shtrydhëla – lloj pilafkash, jufkash). Aty do të kemi rastin dhe nderin të dëgjojmë gjuhën e Skënderbeut..! Duhet ta mbështesim gjakun tonë të shprishur! (Shpërndarë).
Nuk kam ndonjë të dhënë sesa shqiptarë morën pjesë gjatë këtyre netëve nëpër shfaqjet e motrave dhe vëllezërve tanë arbëreshë! Mund të them me plotë gojën se kushdo që ka marrë pjesë në netët kulturore arbërshe e kalabreze ka dalë i kënaqur, i pasur dhe i pajisur me kulturat e këtyre komuniteteve të cilët me shekuj kanë bashkëjetuar e vazhdojnë të bashkëjetojnë që nga Moti i Madh.
Më se një javë përpara e caktova se të dielën, më 13 tetor do të shkonim në Nju Jork: unë Afërdita, Zenepja dhe Mendiu. E prisja me padurim këtë ditë. U nisëm para orës shtatëmbëdhjetë edhe pse programi fillonte më ora nëntëmbëdhjetë. Kaluam urën e Xhorxh Uashingtonit, mbërrimë në Menhatan. Për pak minuta duhej të arrinim, ishim fare afër..! Po ndodhi e papritura! GPS që na tregonte rrugën u çakërrdis…! Në vend të na çonte në Yonkers (Jonkers të Nju Jorkut) atje ku do të mbahej shfaqja, na nxori përtej urës, në Nju Xherzi. Ora kishte kaluar nëntëmbëdhjetë e tridhjetë minuta. Që të ktheheshim prapë na duhej gati edhe një orë..! U kthyem në shtëpi duke e lajmëruar zonjën Luçia me keqardhje se ne nuk kishim mundësi të takoheshim! I premtova se të mërkurën, më 16 tetor do të takoheshim patjetër…!
Po nuk iu binda unë njëherë vetvetes..! Asnjëherë nuk duhet ta jepja fjalën! Po u dha fjala gjallë – vdekur duhet të mbahet! E prisja me padurim ditën e mërkurë. Nga orët e vona të pasditës, momentin kur duhej të niseshim dështon çdo gjë..! Televizionet lajmëronin shi me erë thuajse do të bëhej kiameti! Minutat më kalonin më shpejtë se sekondat! I telefonova nja dy miqve të mi, nuk përgjigjeshin..! Në fb., në mesazh i shkruaj bashkëqytetarit tim Zikri Metës: “Je i interesuar të shkojmë sonte te shfaqja e arbëreshëve!?” – Po, patjetër. Do të shkojmë. E mora çantën, çadrën sepse shiu binte rrëke dhe u nisa. Do të takoheshim te Qendra kulturore shqiptaro – amerikane. Të dy dyshonim në do të mbahej koncerti apo ishte anuluar shkaku i “motit të keq!” Tentova disa herë të vija kontakt me Luçian, ishte e kot ajo s’ kishte internet. E provova për herë të fundit te organizatori i koncertit Luçiano Siciliano. Për çudi vura kontakt, i them Zikriut bisedo me të, daç në anglisht, daç në italisht. Ia filloi Zikriu italisht, dëgjova se e fliste rrjedhshëm gjuhën italishte. Koncerti do të mbahej. U nisëm nëpër shi, shi po me shtëmba siç thotë një frazeologji e jona. Gati një orë e dyzetë minuta që nga Nju Xherzi gjer në Stamford të Kenerikës shiu nuk u ndalë. Përkundër motit të ligë, arritëm në kohë.
Takojmë regjisore Luçia Martino-n. Na përqafoi përmallshëm. Fjalët që thoshte në arbërisht i kuptoja mrekullisht, fjalët që thoshte në italisht nuk i kuptoja dot. Fatmirësisht që e kisha përkthyesin Zikri Meta me vete. Luçia na prezentoi edhe me arbëreshe e arbëreshë të tjerë. Ia vlejti që erdhëm i thash shoqëruesit dhe mikut tim Zikri. Ai u ngazëllye pa masë. Patëm nderin të dëgjonim përpëlitjet e fundit të arbërishtes sonë, gjuhës 550 vjeçare të Skënderbeut.
Në takime të tilla takon njerëz që nuk e ke menduar ndonjëherë se do të mund t’ i takoje. Përveç arbëresheve, arbëreshëve e kalabrezëve ne takuam dhe Ambasadoren e Kombit znj. Ruki Kondaj e cila i shoqëronte arbëreshët që nga Kanadaja për në SHBA dhe anasjelltas. E përgëzuam znj, Kondaj për punën vetmohuese që bënte, me të vërtetë një punë sa e guximshme po aq e lodhshme dhe e vështirë. Fotografitë i bëm me arbëreshët dhe me kalabrezët, para se të fillonte koncerti dhe mirë vepruam. Filloi muzika arbëreshe, ishte një parapërgatitje nga instrumentistët. Një djalë 4-5 vjeçar me kostum popullor arbëresh hidhte i vetëm valle sikur ta kishin parapërgatitur. Ai djalë i vogël ishte i ledhatuari i Grupit folklorik “Shqiponjat” të Shën Sofisë. Me të drejtë i kishin dhënë edhe emrin e merituar “shqiponja e vogël”. Ishte një djalë çapkën, lehtë e kuptova se nuk i pëlqente ta fotografonin. Sa herë që bëhesha gati ta fotografoja ai ose do të ulte kokën ose nuk do të vallëzonte, ose do të kthente shpinën..!
Kostumet popullore të vajzave arbëreshe dhe atyre kalabreze në shikim të parë dukeshin sikur nuk ndryshonin shumë…! Po të thellohesh pak do të vësh në pah dallimet, domosdo arbëreshet ashtu siç ruajtën gjuhën, adetet, zakonet, u përpoqën që të krijonin njëlloj veshje e cila do të dallohej nga të huajt lëtinët dhe do ta ruanin gjer në ditët tona me xhelozi.
Filloi muzika arbëreshe, këngët “O lule, lule”, “Moje bukura More”, “Xhamadani vija, vija” etj., ndezën publikun në sallë, valltaret arbëreshe u futën në mesin e tyre, valles iu bashkuan kalabrezë, amerikanë, arbëreshë e shqiptarë. Më la mbresa grupi flklorik kalabrez, vajzat dhe djemtë e këtij grupi këndonin bashkë me ne: “Xhamadani vija, vija, është Kosova, është Shqipëria, rreh si zemër çiftelia sa e madhe është Shqipëria…! Unë dhe Zikriu bëmë mjaft fotografi dhe disa video. Po i afrohej fundi mbrëmjes dhe javës kulturore arbëreshe dhe kalabreze në Amerikë, ne do të dëshironim të ishte e pafund ajo mbrëmje…!
Muzika mbaroi. Ne duhet të shkonim. Kishim rrugë për të bërë. Shiu i vjeshtës nuk na u nda vajtje-ardhje. Regjisorja Luçia Martino sikur nuk donte të na lëshonte: ja do ta takoni këtë, do ta takoni atë..! Dhe ne shikonim njëri – tjetrin, s’ na ikej, kjo na pëlqente. Në fund fare, kur ne menduam se takuam “të gjithë”..! Luçia na ndali për një çast, prisni pak, të takoni Daniele Sisca. Filloi ta prezentonte: Daniele është Kryebashkiaku i Shën Sofisë së Epirit. Është mirë që bashkëpunimi jonë të vazhdojë…
U ndamë të kënaqur e të lumtur dhe me shpresën se do të takoheshim sërish…! Ku i dihet! Mali me malin nuk takohet, por njeriu me njeriun mund të takohet…! Rugës Zikriu më thotë: “T’ i marrim te Qendra kulturore shqiptaro – amerikane në Riverdell të japin një koncert…! Ide e mirë, po janë 20 vetë dhe ka shpenzime. I heq të gjitha unë – tha prerë Zikriu. Si ide më pëlqeu – i them, por nuk mund të realizohet dot! Ai me këmbëngulje insistonte. Mundet. Eh, sikur ta dija këtë mendimin tënd para nja 10 ditësh! Pse? – më pyeti, sepse arbëreshët, nesër nisen për në Kanada. Nuk e dija që miku im strugani Zikri Meta të ishte aq i dhënë pas kulturës sonë arbërore..! U ndamë nga gjaku ynë i shprishur, me mbresat më të mira.
Rrini mirë! Rron gjaku arbëresh..!


Loading...
loading...