BORXH PËR BORXH: Qytetarët lënë peng stolitë e arit

Këtë fenomen e konfirmojnë nga këmbimoret e qytetit, nga ku thonë se pothuajse çdo ditë ndeshen me rastet kur pothuajse çdo i dyti klientë që futet në këmbimore, është i predispozuar të kërkojë sasi parash për kryerjen e nevojave elementare

Strugë, 28 prill – Kriza ekonomike po thellohet nga dita në ditë dhe tashmë një pjesë kryefamiljarëve, përveç se janë të detyruar të marrin ushqimin me listë, detyrohen të futen edhe në borxhe. Në këtë gjendje është edhe një pjesë e biznesit të vogël, të cilët në mungesë të likuiditetit, detyrohen të krijojnë borxhe te biznesi më i madh apo te të tretët, shkruan gazeta KOHA. Këtë fenomen e konfirmojnë nga këmbimoret e qytetit, ku pa dashur të identifikohen, thonë se pothuajse çdo ditë ndeshen me raste kur persona të caktuar lenë peng apo ofrojnë edhe stolitë e grave vetëm e vetëm për të siguruar mjete financiare në funksion të ekzistencës momentale të familjeve të tyre. Pronari i një këmbimore që nuk pranon të identifikohet, për gazetën KOHA, potencon se nga viti vit, ky fenomen po thellohet edhe më shumë. Sipas tij, pothuajse çdo i dyti klient që futet në këmbimore është i predispozuar të kërkojë një sasi parash për kryerjen e nevojave elementare, sepse rroga nuk i mjafton të shtyjë muajin. Sipas tij, ky fenomen dikur nuk ka qenë prezent, por viteve të fundit është masivizuar kjo edhe për efekt të krizës ekonomike dhe fenomeneve të tjera që po shoqërojnë këtë tranzicion të tejzgjatur, si varësia nga bixhozi, lojërat e fatit që në shumë raste kanë shkatërruar shumë ekonomi familjare. Ndërkohë, drejtori i Entit për Mbrojtjen Sociale në Strugë, Vegim Nura, në disa raste ka thënë se kërkesat për ndihmë sociale janë në nivelet e një reduktimi të lehtë dhe nuk vërehen ndryshim thelbësore në shtimin e kërkesave për të përfituar kujdesin e shtetit, gjithashtu edhe kërkesat për ushqim falas te mensa e qytetit janë në po ato nivele që kanë qenë edhe më herët.

”Ne brenda mundësive që garanton ligji, gjithmonë jemi munduar që qytetarët që kanë probleme të theksuara në rrafshin e ekzistencës sociale t’u mundësojmë benificionet që u garanton shteti. Përveç ndihmës sociale financiare, subvencionin për pagimin e rrymës elektrike, u asistojmë edhe për shumë nevoja të tjera”, përfundon ai. Ndërsa qytetarët nevojtarë hedhin poshtë këto pretendime dhe në kushte anonimati thonë se për të përfituar ndihmën sociale, janë krijuar një sërë procedurash dhe rregullash burokratike që në themel kanë pamundësimin e marrjes së ndihmës sociale dhe në shumë raste ata thonë u është shqiptuar vendimi që të kthejnë ndihmën financiare sërish në shtet.(KOHA/Strugalajm.com)StrugaLajmStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...