Buzhala i drejtohet Ramës: Albini i blen robat në pazar 50 euro kurse ti në Paris e Milano 1000 euro

Berat Buzhala ka bërë një shkrim ku thotë se ka ikur koha kur hante qeni petulla dhe se tani shkëlqimin e kryeministrit Edi Rama do ta marrë kryeministri i sapo zgjedhur në Kosovë Albin Kurti.

Ish kritiku më i madh i këtij të fundit, tashmë ka ndërruar mendje duke thënë se Kurti është lideri më i mirë që ka pasur Kosova vitet e fundit.

Ai thotë se Kurti ka avantazhe në raport me Ramën pasi ai i ble robat në pazarin e Prizrenit kurse Rama sipas tij në Milano e Paris.

“Edi Rama ishte interesant, posaçërisht për rininë, në krahasim me kë? Ishte interesant në krahasim me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin e Hashim Thaçin. Mirëpo, a është Edi Rama interesant në krahasim me Albin Kurtin? Tash e tutje nuk është më. Albini për Edin është një pasqyrë në të cilën ai do të shikohet dhe do ta shohë veten se sa është plakur, se sa hipokrit është, se sa i korruptuar është, e pse jo edhe sa i paditur është. Në ndërkohë që Edi e ka argëtuar Qetin, duke mos pasur kohë për lexim, Albini e ka vazhduar stilin e tij të jetës. Kjo ka qenë një kohë mjaftueshëm e gjatë, sa për t’u krijuar një epërsi e dukshme kulturore. Ka mundësi që rrobat që Albini ka në trupin e tij blihen diku në Ferizaj e Prizren dhe nuk kushtojnë më shumë se 50 – 100 euro, kurse ato të Ramës në Paris a Milano dhe kushtojnë më shumë se 500 – 1000 euro“, nënvizon Buzhala.

Shkrimi i plotë:

I takojnë të kaluarës ditët kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas ditëve të lodhshme të punëve në Tiranë, vendoste që të dilte pak deri në Prishtinë për t’u çlodhur dhe për t’u argëtuar. Për të territori i Kosovës, kryesisht, ishte një lloj i cirkut të madh, ku flitej pak më ndryshe, njerëzit silleshin pak më ndryshe, kurse ai që nga pika e kufirit në Vërmicë e deri në Fabrikën e Amortizatorëve në Prishtinë e gëzonte, padrejtësisht, epitetin e të diturit. Për Edi Ramën nuk do të këtë kurrfarë pengese që të vijë rregullisht në Prishtinë, sa herë t’ia dojë zogu i qejfit, të shkojë në Presidencë në Prishtinë, të shkojë në Fabrikën e Amortizatorëve, por tash ai e di që në Prishtinë është veshur me pushtet një politikan, të cilin opinioni publik në Kosovë dhe në Shqipëri e konsideron më të pastër, më të ditur, më të kulturuar, me të lexuar, sesa Edi Ramën.

Ka mundësi që Albinin e ndajnë nga pozita e kryeministrit edhe disa javë. Ka mundësi që atë e ndan nga pushteti edhe ndonjë plan i presidentit Thaçi, që të mos e lërë ta marrë pushtetin fare, por unë po flas këtu për vendimin e qytetarëve të Kosovës që ta veshin atë me pushtet. Ndërsa, kur kanë kaluar pesë ditë prej këtij vendimi, Edi Rama, që vite më parë e quante Kurtin “vlerë kombëtare”, ende nuk po denjon që ta urojë atë për fitoren. Edi Rama vazhdimisht e ka konsideruar Kurtin “vlerë kombëtare”, por për të qëndruar në opozitë e jo për ta ndarë me të, tash e tutje, një lloj të pushtetit mbarëkombëtar, kategori kjo jokushtetuese, por shumë domethënëse.

Më kujtohet kur Rama e kishte vizituar Prishtinën, si kryebashkiak, fill pas përfundimit të luftës. Ai, përveç takimeve të tjera, e kishte takuar edhe Ismet Beqirin, homologun në Prishtinë. Ai takim, në vetvete, dukej si satirë politike. Ismeti i parashikueshëm dhe i veshur me ca palë tesha të gjata dhe të gjëra, me ndonjë ngjyrë që ndoshta as nuk kishte emër, kurse në krah të tij Edi dekadent, i papërmbajtshëm dhe i paparashikuar, i veshur në atë mënyrë që vetëm ai do të guxonte. Plus me çorape të kuqe. Në atë kohë veshja e tyre nuk ishte gjë e lehtë, siç është sot, bie fjala, kur edhe “kuca e maca” e bëjnë një gjë të tillë. Ne që ishim më të rinj i lëpinim buzët. Dëshironim ta kishim në krye të kryeqytetit një djalë të ri dhe avangardist, sikur puna e Edit, që kishte arritur ta bënte, me ndihmën e ngjyrave, Tiranën një qytet simpatik. Dëshironim ta kishim në krye të Prishtinës një si puna e Edit, që kur nervozohej me konventat e merrte sëpatën në krah dhe dilte rrugëve të qytetit për të vënë rend dhe ligj.

In : Aktuale

Loading...
loading...