Bymimi i antivlerës-Bekim Tateshi

Si ta rrotullosh, komunistët shqiptarë edhe sot krenohen se kanë bërë shumë në reformimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, duke harruar disi nivelin e ulët të shprehjes të mendimit të lirë dhe ngufatjen e demonstrimit të mendimit ndryshe

Nga dr.Bekim TATESHI

Regjimi komunist ka pasur shumë të meta dhe nëse shkruajnë ekspertët e fushës do ju duhet shumë kohë dhe mund, mirëpo një fjalë e urtë popullore thotë: “Rri shtrembët e fol drejt”, andaj duhet të pajtohemi se ky rregullim shtetëror kishte edhe atribute pozitive që kanë ndikuar në jetën shoqërore të popullatës që u gjendën në këto vise dhe në këto situata. Për shembull, lufta kundër analfabetizmit, rritja e cilësisë të arsimit në të gjitha nivelet, vaksinimi, ndërtimi i fabrikave dhe infrastrukturës, etj. etj. Nuk kam ndjenja jugonostalgjike edhepse rininë e kam kaluar në atë periudhë, por duhet pranuar se vlera është “prodhuar”, “kultivuar” dhe “konservuar” me xhelozi me qëllim që të mbijetojë regjimi dhe aktorët e tij e aty këtu për mbijetesë të kameleonëve dhe butakëve duke shtypur intelektualët që mendonin dhe vepronin ndryshe.StrugaLajm

Si ta rrotullosh, komunistët shqiptarë edhe sot krenohen se kanë bërë shumë në reformimin e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë, duke harruar disi nivelin e ulët të shprehjes të mendimit të lirë dhe ngufatjen e demonstrimit të mendimit ndryshe. Përsëri, si ta rrotullosh, komunistët shqiptarë duke shkatërruar elitën shqiptare të krijuar nga e kaluara, përshtatën dhe krijuan një elitë të re që duke tradhtuar interesat nacionale, verbërisht u shkrinë në një elitë internacionale, e cila kishte qëllim ekspanzionist dhe shkatërrues, ku sipas disa të dhënave ka qenë më e egër edhe se fashizmi hitlerian. Kjo elitë krijoi vlera dhe intelektualin e pozicionoi në majë duke krijuar kështu një respekt dhe vlerësim të lartë ndaj mësuesit, arsimtarit, profesorit, mjekut, inxhinierit, avokatit, arkitektit dhe disi rrugaçëve dhe mafiozëve nuk ju jepej hapësirë për të shprehur “filozofinë” e tyre që bazohet në antivlerë, por të punojnë nëntokën dhe mos përzihen aty ku nuk duhet.StrugaLajm

Me ardhjen e demokracisë, duke frymuar më lehtë, nga emocione të shtypura disadekadëshe të ndjekura me momente euforike, nuk ishim në gjendje të kuptojmë se deinstalimi i komunizmit dhe instalimi i demokracisë ka rregulla, ka dobi por edhe si të gjitha fenomenet, ka edhe rreziqe që popujt tjerë e kanë kaluar moti dhe pak duhet të jesh i mençur dhe i gjindshëm e të mësosh nga gabimet e të tjerëve. Doli në sipërfaqe bashibozlluku, kaosi i organizuar që rezultuan me krijimin e antivlerave në çdo sferë të jetës, në çdo pore të shoqërisë. Me dëshirën për ta shlyer komunizmin, bëmë gabime në hapa dhe nuk mbajtëm atë që ishte e mirë, por lejuam që antivleristët të dalin në sipërfaqe dhe të instalohen çdokundi, e përsëris çdokundi duke mbjellur antivlerën në çdo vend dhe duke lejuar që ajo të rritet, të bymehet dhe të na ngulfat ditë për ditë. Në këtë bymim kontribut të hatashëm kanë dhënë edhe armiqtë tonë shekullor, qofshin fqinj apo më të largët, duke u ndimuar edhe do palaço shqipfolës për pozita, para dhe poenë të imta politike që rezultoi me dëme ireverzibile apo rëndë të riparueshme. Antivleristët “u shkolluan” dhe u instaluan aty ku duhet të jepet kontribut për shoqërinë dhe nga mosdija na kthyen pas duke u ranguar ndër popujt me arsim dhe shëndetësi më të dobët në rajon.

Nëse në ardhmërinë e afërt kemi sukses të integrohemi në strukturat euro-atlantike ne do kemi shansin të lirohemi nga ky tumor, me detyrë primare të ndalojmë apo të zvogëlojmë emigrimin e jashtëm, por edhe atë të brendshëm për të cilën nuk flet askush, që njëlloj ndikon keq në zbrazjen e vendbanimeve të vogla duke shkatërruar bizneset familjare disabrezëshe. Ne do duhet antivleristat t’i kthejmë atje ku e kanë vendin se armiku jonë ata i pasuroi që të prishin vlerat tona që krijohen nga truri jonë. Armiku jonë me qëllim varfëroi intelektualët tonë që nga varshmëria financiare mos mund të ngrenë kokën. Që të mos merren me punë intelektuale, por gjithë energjinë ta kanalizojnë për mbijetesën e fëmijëve. Ka tendenca që integrimi euroatlantik të shtyhet që neve shqiptarëve nuk na përshtatet dhe nuk na konvenon për ardhmërinë dhe zhvillimin e përgjithshëm e brezave të ardhshme. (koha.mk)


Loading...
loading...