Çdo ditë e më pak nxënës dhe studentë!

Gjatë pesë viteve të fundit, sistemi arsimor, pa asnjë përjashtim, ka pësuar rënie në numrin e nxënësve, respektivisht studentëve. Bazuar ne te dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), si shkollat fillore dhe të mesme, ashtu edhe universitetet kanë nxjerrë në vitin 2015/2016 shumë më pak të diplomuar se sa në vitin 2011/2012, shkruan gazeta KOHA. Në harkun kohor prej pesë viteve ka rreth 11 mijë persona më pak, të cilët u kanë dhënë fund tre cikleve të arsimit. Kështu, nëse pesë vite më parë nga shkollat fillore dolën mbi 23 mijë gjysmë-maturantë, vitin e kaluar (2015/2016) numri i gjysmë-maturantëve kishte rënë për pesë-gjashtë mijë nxënës më pak, pra kishte rënë poshtë nivelit të 17000 gjysmë-maturantëve. Të dhënat e ESHS-së tregojnë rënie edhe në nivelet e tjera.

Shkollimin e rregullt të mesëm vitin që shkoi nuk e përfunduan as 23000 nxënës, kurse pesë vite më parë ky numër ishte më tepër se 25000. Rëniet janë ndjerë edhe në nivelin e arsimit të lartë, ku amplituda tregon gjithashtu zvogëlim të numrit të të diplomuarve në harkun kohor prej pesë vitesh. Pra, nëse vitin akademik 2011/2012 numri i të diplomuarve ishte mbi nivelin e10000-shit, pesë vite më vonë numri i njëjtë ra poshtë nivelit të 9000-shit. Rënia, sipas këtyre të dhënave, është konstante edhe sa i takon numrit në përgjithësi të nxënësve për prezencën në institucionet e arsimit parashkollor. Kështu, nga 197 859 sa ishte numri i përgjithshëm i nxënësve të shkollave fillore, viteve në vijim ai numër zbret në: 194 055, 190 541, 188 361 dhe 185 119 nxënës. Rënia është reflektuar gati se njëlloj edhe në bazë të gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, që do të thotë si paralelet në gjuhën maqedonase, si ato në gjuhën shqipe, turke dhe serbe, nga viti në vit kanë më pak nxënës. Për paralelet në gjuhën boshnjake nuk ka të dhëna, meqë këto paralele u regjistruan si të rregullta brenda sistemit të arsimit fillor nga viti 2015/2016. Megjithatë, parë nga aspekti demografik, nuk mund të thuhet se rënia e nxënësve, sidomos në arsimin fillor është pa dallime. Diferencën, siç tregojnë të dhënat e ESHS-së, e bëjnë rajoni i Pollogut dhe rajoni i Shkupit, aty ku jo vetëm nuk ka rënie në numrin e nxënësve, por ku shënohet dhe numri më i madh i nxënësve në nivel të shtetit. Konkretisht, përcjell KOHA, shkollat të cilat gravitojnë në njësinë rajonale të Shkupit, vitin shkollor 2016/2017 e nisën me 64 659 nxënës, shkollat e rajonit të Pollogut me 30000 nxënës, ndërsa rajonet e jugperëndimit, Pellagonisë, Vardarit, juglindjes, lindjes dhe verilindjes, janë në kuotat e 13378 nxënësve. Krahas rajoneve të Shkupit dhe Pollogut, të cilat nuk kanë shënuar rënie në numrin e nxënësve vitin e kaluar, në këtë kategori bëjnë pjesë edhe shkollat e rajonit të Pellagonisë.

Rrethinat e Kumanovës dhe Kriva Pallankës, respektivisht njësia rajonale Verilindore e Maqedonisë, bazuar në numrin e nxënësve gjatë pesë viteve të fundit, rezulton me rënien më të madhe, mbi minus katër për qind. Sakaq, tre rajonet tjera: jugperëndim, juglindje dhe lindje kanë rënie nga minus 4 deri në minus 2 për qind. Rajoni i Vardarit është nga minus 2 deri në zero për qind, ndërsa pa rënie në numrin e nxënësve është rajoni i Pollogut dhe Shkupit. Në Raportin vjetor të ESHS-së për funksionimi e institucioneve arsimore dhe numrin e nxënësve/studentëve, jepen të dhëna edhe për gjendje e objekteve, numrin e të punësuarve, shkollat speciale dhe kategoritë e ndryshme. Një prej tyre është edhe kategoria e personave të moshës madhore të përfshirë në arsim. Edhe këtu është shënuar rënie në numrin e nxënësve të kësaj kategorie. Nga 402 persona në vitin 2011/2012, pesë vite më vonë, ai numër zbriti në 285 nxënës të moshës madhore.

In : Aktuale

Loading...
loading...