Çështje gjuhësore -Resul Bekteshi

Resul Bekteshi

Çështje gjuhësore- si duhet të shqiptohen dhe të shkruhen drejt zanoret e dhe ë në pozicione të ndryshme në fjalë

Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe mbështeten kryesisht në parimin fonetik, që zbatohet në të gjithë rastet kur shqiptimi letrar paraqitet i njësuar. Në raste të këtilla vendoset lidhje e ngushtë midis formës së shkruar dhe formës së folur të gjuhës letrare.

Parimi i dytë në të cilin mbështeten rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe është parimi morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përberëse të sistemit fjalëformues dhe trajtëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore që shkaktohen nga ligjet fonetike që veprojnë në gjuhën tonë.

Kur në gjuhën letrare ka një traditë shkrimi të vjetër të ngulitur prej kohësh,do të pranohet parimi historik-tradicional.

Të ndalemi dhe të shpjegojmë konkretisht dhe me shembuj ku dhe si duhet të përdoren zanoret e përmendura më lartë, respektivisht ku ne më së shumti gabojmë kur i përdorim zanoret e dhe ë në drejtshkrim dhe drejtshqiptim.

Përdorimi i drejtë i zanores e të theksuar:

– Shkruhem me e fjalët kur kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qënë e ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëllore hundore( m,n,nj ). Edhe fjalët e formuara prej tyre shkruhen me e pvarësisht lëvizjes së theksit. Shembuj : emër,emëror,dhemb,dhembje,rremb, shemb, shembullor, tremb, zemër, thembër, argjend, brenda, i brendhshëm, kuvend, kuvendoj, mendoj, mend, mendim,qendror,vendim,qengj, qen,pendë , etj. Pra në këto raste edhe në shumë raste të tjera kur zanorja e ndiqet nga bashkëtingëlloret e përmendura shkruhet e-ja dhe jo ë-ja siç e përdorim në shumë raste.(jo vëndim por vendim,jo brënda por brenda ).

Përdorimi i drejtë i zanores e të patheksuar:

Zanorja e e patheksuar kur ndodhet në trajtën e pashquar njëjës –në trajtën e shquar të emërores bie, kurse në rasat tjera shkruhet.shemnuj : mësuese- mësuesja, nxënëse- nxënësja,qytetare-qytetarja,shishe- shishja, anije- anija,nisje- nisja, familje- familja, rrokje-rrokja, lule- lulja, ulje- ulja etj.(pra të shkruhet qytetarja dhe jo qytetareja ,mësuesja dhe jo mësueseja etj.)

Përdorimi i drejtë i zanores ë të theksuar :

Zanorja ë e theksuar përdoret në të gjitha rastet kur kjo i përgjigjet historikisht një a-je të ndjekur nga një bashkëtingëllore hundore. Poashtu me ë shkruhet edhe të gjitha fjalët e prejardhura ose të përbëra që formohen prej tyre, pavarësisht lëvizjes së theksit. Shembuj: dhëmb (historikisht dhamb ),dëm, , dëmtoj,e ëma, këmbë, mëngë, këngë, gjëndër. nëntor, njëra, lëndë, nëntë,lëndë, parathënie,rënë etj . Pra duhet pasur kujdes në drejtëshkrim jo nana as nona, por shkruhet nëna, jo nantor, por nëntor etj.

Shkruhen me ë edhe fjalët që marrin prapashtesën llëk p.sh. bollëk, hamallëk, budallallëk,pazarllëk etj. StrugaLajmStrugaLajm

Përdorimi i drejtë i zanores ë të patheksuar

ë-ja paratheksore shkruhet në këto raste :

-Te fjalët e parme dhe në gjitha fjalët ku ajo i takon rrokjes së parë. Poashtu përdoret edhe te të gjitha fjalët që formohen prej tyre. Shembuj : dëgjoj, bërryl, fëmijë, gjëmoj, këmishë, kënetë, këpucë, lëkurë, lëmoshë, pagëzoj, pagëzim, pështyj, pëllëmbë, qëroj, thëllëzë, shëtit, rrëfim, dëboj, dëborë, dërrasë, gëzoj, këtej, këtu, mëditje, mësyj, lëkund, kështu, këta, këtë, këtij, kështu etj.

– Te fjalët e prejardhura që formohen nga një temë me zanoren ë me anë të prapashtesave që nisin me bashkëtingëllore. Poashtu shkruhen edhe fjalët e përbëra dhe të përngjitura që kanë në pjesën e parë temë që mbaron me zanoren e theksuar më lartë e cila gjithashtu ndiqet nga një temë që nis me bashkëtingëllore. Shembuj : atëror, anëtar (anë + tar), botëror, armëtar, botëror, burrëri, burrëror, (burrë), gojëtar, gjatësi, gjellëtore, gjuhësi,gjuhëtar, hollësi, këmbësor, mirësi, punëtori, punëtor,tokësor, thellësi, urtësi, armëpushim, atëherë, bashkëfjalim, bashkënxënës, bashkëshorte,bashkëpunim,bukëpjekës, buzëqesh, datëlindje, dorëheqje, dorëshkrim, dhjetëfishoj, frymëmarrje, gojëdhënë, gojëmjaltë, gjashtëdhjetë, gjuhëgjatë, gjithëkombëtar, gjysmëhënë, i jashtëzakonshëm, hundëshkabë,dhjetëvjetor etj.

Kujdes : nuk shkruhet ë-ja paratheksore te përemrat e pacaktuar( pakufishëm ),te ndajfoljet dhe te lidhëzat e përngjitura që kanë si pjesë të parë fjalët gjithë dhe kurrë ; p.sh. gjithçka, gjithfarë, , gjithkah , gjithkund, gjithkush, gjithkund, gjithmonë, kurrfarë, kurrkund, kurgjë, kurrkush, kurrsesi etj.

Poashtu nuk shkruhen me ë fjalët e prejardhura që formohen në temë me bashkëtingëllore me prapashtesat tar(e),tor (e), ti dhe toj , shembuj : arsimtar , arsimtare ( arsim + tar, arsim+ tare, ) çlirimtar ,kujdestar, mishtar,tragtar, shqiptar,shtegtar,tregti,shqiptoj,tregoj,dëmtoj, zelltar,lundërtar,ëmbëltoj,shpeshtoj , themeltar etj.

Shkruhen pa ë-në paratheksore edhe fjalët që formohen prej temash me bashkëtingëllore të lëngët r-l-ll p.sh. afërsi (afër + si ), egërsi,epërsi,letërsi , popullsi ,vjetërsi, poshtërsi etj. StrugaLajm

Gjithashtu nuk shkruhet ë ja paratheksore te fjalët e përbëra në të cilat gjymtyra e dytë fillon me zanore p.sh. bashkatdhetar(bashk + atdhetar), bashkautor( bashk +autor ), bashkudhëtar, i gjithanshëm, kokulur,gojëmbël etj .

Pa ë-në paratheksore shkruhen edhe fjalët tradhtar,tradhti, tradhtisht,tradhtoj .

Nuk shkruhem me ë – në paratheksore edhe fjalët : algjebrik, dibran (algjebër, Dibër ,) librari,kodrinor, shkodran ,afroj,epror,mjekrosh, veprim, teproj, ajror,lakror,lodroj etj. Te fjalët e shënuara më lartë para temës me ër- para ë-së ndodhet një nga bashkëtingëlloret b, d,f,j,k,p,t,v ose një nga grupet nd dhe st .(libër, lodër, vepër,afër, Shkodër etj.)

Shkruhen me ë – në paratheksore fjalët e prejardhura që formohen prej temash me ër,ërr,ël, ës,ëz me anë të prapashtesave që fillojnë me zanore p.sh.arbëror (arbër), arbëresh,dimëroj (dimër), breshëri,dhelpëri,emëroj,emërues numërim , gjelbërim, urdhëresë, numëror,numërim, zemërim , varfëri etj.

Përdorimi i drejtë i ë – së pastheksore

Ë-ja pastheksore shkruhet në këto raste :

– Te emrat femëror me ëz, te emrat dhe mbiemrat mashkullorë me ës dhe ësh në të ghjitha trajtat e lakimit të tyre. Shembuj :lidhëz, lidhëza, pjesëz, pjesëza,blerës, , blerësi ,blerësin, blerësve, nxënës ,nxënëse, gjykatës, vendës, shpikës,zgjedhës, përgjegjës, zëvendës , Durrës,djegëse, pesëshe,mijëshe, dykatëshe, katërvendëshe, shumëngjyrëshe etj.

– Te mbiemrat me ët në të gjitha trajtat e lakimit të tyre . shembuj:

I cekët, i dobët, i errët,i shkathët, e ulët, (i, e ) zbrazët etj.

– Te trajta e vetës së dytë njëjës e së tashmes lidhore të foljeve me temë me bashkëtingëllore psh. të dalësh, të flasësh, të hapësh, të marrësh, të mbyllësh, të ndezësh, të zhdukës etj.

Ë-ja pastheksore nuk shkruhet:

– Tek emrat dhe mbiemrat me ël-ër-ërr dhe tek emrat mashkullorë me izëm-azëm gjatë lakimit kur pas këtyre fundoreve vjen një zanore. Shembuj: pupël- puple-pupla-puplat-puplave, vegël-vegla-veglave-veglash, ajër-ajri, çadër-çadra, dimër-dimri, dhelpër-dhelpre-dhelpra-dhelprën; dhëndërr-dhëndrri, emër-emri, gënjeshtër-gënjeshtra, gjarpër-gjarpri, letër-letra, lundër-lundra, misër-misri, ëndërr-ëndrra, kokërr-kokrra, ateizëm-ateizmi, sarkazëm-sarkazmi, reumatizëm-reumatizmi, materializëm-materializmi etj.

– Kjo zanore, ë-ja pastheksore kur merr mbaresën ër tek emrat në numrin shumës mashkullorë shkruhet në të gjitha rasat gjatë lakimit psh. etër-etërit-etërve-etërish, kunetër-kunetërit-kunetërve-kunetërish, mbretër-mbretërit-mbretërve-mbretërish, shtretër-shtretërve etj.

– Te mbiemrat me ëm dhe me shëm gjatë lakimit kur pas këtyre prapashtesave vjen një zanore ose një j, atëherë nuk shkruhet ë-ja pastheksore. Shembuj : i jashtëm- i jashtmi- të jashtmit- të jashtmin- të jashtmish, i mesëm- i mesmi- e mesme, i sotëm- i sotmi- e sotme, i ardhshëm- i ardhshmi- e ardhshmja- të ardhshmit etj.

– Poashtu para prapashtesave shëm dhe të në të gjitha trajtat e mbiemrave të formuar prej tyre nuk përdoren ë pastheksore. Shembuj : i natyrshëm- e natyrshme, i përkohshëm- e përkohshme,i pjesshëm- e pjesshme, etj.

Përdorimi i ë-së fundore është mjaft i rëndësishëm, prandaj kjo si temë e veçantë do të shqyrtohet në shkrimin vijues. Ky material është lëshuar për të gjithë ata që duan ta njohin dhe shkruajnë drejt dhe pa gabime gjuhën amtare. Janë rregulla që vështirë mbahen mend , por nëse i lexojmë dhe studiojmë mirë do të jenë të mirëseardhura për lexuesin dhe adhuruesin e gjuhës amtare.

Përgatiti : Resul Bekteshi , Strugë


Loading...
loading...