Çfarë duhet të dini nëse planifikoni të shkoni nga Zvicra në Itali ose anasjelltas

Fqinji jugor i Zvicrës po hap kufijtë e tij për turistët nga BE dhe vendet e zonës Shengen më 3 qershor. Por a duhet të udhëtojnë banorët e Zvicrës atje?

Italia ka njoftuar më 16 maj se do të lejojë që turistët ndërkombëtarë të vijnë në vend duke filluar javën e ardhshme, dhe se do të hiqet periudha e detyrueshme 14-ditore e karantinës.

Njoftimi kapi autoritetet zvicerane në befasi sepse Zvicra dhe fqinjët e saj të tjerë, Gjermania, Franca dhe Austria, ranë dakord të heqin kufizimet e udhëtimit vetëm nga 15 qershori, shkruan The Local.

Në kohën e marrëveshjes, Italia ishte ende në bllokim të pjesshëm, përcjell albinfo.ch.

“Situata në Itali është qetësuar, por është akoma më delikate sesa në Zvicër, Austri apo Gjermani,” kishte deklaruar Norman Gobbi, presidenti i qeverisë së kantonit Ticino në atë kohë.

Ticino ndan një kufi të gjatë me Italinë, ku koronavirusi ka mbytur mbi 33,000 njerëz deri më sot.

Por edhe pse njerëzit nga Zvicra do të lejohen të shkojnë në Itali, italianët nuk do të mund të hyjnë në Zvicër.

“Zvicra e informoi Italinë se e konsideroi të parakohshme heqjen e kontrollit të saj kufitar nga 3 qershori”, tha presidentja zvicerane Simonetta Sommaruga gjatë një konference për shtyp këtë javë, përcjell tutje albinfo.ch.

Duke folur në italisht, një nga katër gjuhët kombëtare të Zvicrës, ajo shtoi se “ne duam një rihapje të koordinuar. Prandaj nuk do ta hapim kufirin në atë datë”.

Udhëtimi për në Itali nuk rekomandohet për banorët e Zvicrës deri më 6 korrik, tha Karin Keller-Sutter, ministrja e Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë në konferencën për shtyp.

Ata që shkojnë në Itali nga 3 qershori mund ta bëjnë këtë me rrezikun e tyre, por mund të përballen me kontrolle kufitare pas kthimit të tyre në Zvicër. Për shembull, ata mund të duhet të plotësojnë formularë të veçantë dhe të krijojnë një certifikatë shëndetësore.

Për shkak të afërsisë me Italinë veriore, situata është veçanërisht e rëndësishme në kantonin e Ticino-s, përcjell tutje albinfo.ch.

Sipas Gobbi, njerëzit nga Ticino do të jenë në gjendje të kalojnë kufirin në Itali, por rreziku shëndetësor “duhet të vlerësohet pasi të jenë kthyer në territorin tonë”.

Si kujtesë, të vetmit qytetarë italianë që janë të autorizuar të hyjnë në vend për momentin janë 70,000 mbajtës të lejeve ndër-kufitare, të cilët udhëtojnë në punët e tyre në Zvicër.

Autoritetet e Ticino thonë se qeveria federale po lehtëson kufizimet shumë shpejt, përcjell tutje albinfo.ch.

Në një konferencë për shtyp të enjten, Raffaele De Rosa, kreu i departamentit të shëndetit të kantonit, tha se heqja e kufizimeve të shpallura nga Këshilli Federal më 27 maj ishte “i përshpejtuar” dhe ai do të preferonte “që Berna të kishte zgjedhur rrugën e kujdesshme”.

“Ajo që më shqetëson është pragu i ri për tubime”, tha ai, duke iu referuar vendimit të Këshillit Federal për të lejuar grupe deri në 30 persona të takohen në vende publike nga 30 maji, duke u rritur nga kufiri aktual i pesë. Pastaj, nga 6 qershori, deri në 300 njerëz do të jenë në gjendje të mblidhen.

“Duke marrë parasysh se çfarë ka kaluar Ticino gjatë këtyre muajve të kaluar, do të ishte e dëshirueshme të shkonim pak më ngadalë me tubimet. Në ngjarje të mëdha bëhet më e vështirë të garantosh planet e mbrojtjes dhe çdo gjurmë kontakti”, tha De Rosa, transmeton albinfo.ch.

Ai gjithashtu theksoi se kriza e koronavirusit të Ticino ishte më e rëndë se në pjesët e tjera të Zvicrës.

Ticino kishte pacientin e parë Covid-19 të Zvicrës më 25 shkurt – një njeri që ishte infektuar gjatë kohës që ishte në Milano.

Që nga ajo kohë, numri i infeksioneve të konfirmuara në kanton ishte rritur në mënyrë të konsiderueshme në 3.245, përfshirë 341 vdekje. Vetëm kantoni i Vaud ka regjistruar më shumë fatalitete por në përpjestim me numrin e banorëve, Vaudi është më pak i dëmtuar./

In : Aktuale

Loading...
loading...