Çfarë po ndodhë me gjuhën shqipe në Maqedoni, a i mashtroi Zaevi shqiptarët?

Gjatë fushatës zgjedhore është premtuar që do të zyrtarizohet gjuha shqipe në Maqedoni, por ende nuk dihet se çfarë do të bëjnë përfaqësuesit shqiptarë për të dërguar këtë proces përpara.

Edhe pse janë mbajtur zgjedhjet në fund të viti 2016, dhe është krijuar Qeveria e re e Maqedonisë, shqiptarët e atjeshëm nuk besojnë se do të ketë përparim në të drejtat e tyre, përshirë këtu edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Sipas ekspertëve, gjatë fushatës zgjedhore shqiptarët janë manipuluar nga partitë politike dhe se qytetarët ndjehen të zhgënjyer me pafuqinë e përfaqësueseve politik. Lidhur me çështjen e gjuhës shqipe në Maqedoni, “Bota sot” ka tentuar të marrë përgjigje nga partitë politike, por nuk ka arritur.

Manipulim me shqiptarët nga partitë politike

Ndërsa, Publicisti,  Nijazi Muhamedi ka thënë se përpjekjet për ti dhënë statusin zyrtarë të gjuhës shqipe është një manipulim për gjithë shqiptarët nga partitë politike.

“Demarshi i partive shqiptare lidhur me shumë të telallisurin “statusin zyrtar” të gjuhës shqipe është një demarsh manipulues faqe opinionit gjithëshqiptar, një demarsh që në fakt përbën një argatëri të turpshme të tyre për ta legjitimuar dominimin institucional maqedonas mbi shqiptarët me gojën dhe me dorën e shqiptarëve”, ka thënë Muhamendi.

Sipas tij,  ata tash e bëjnë përsëri atë punë  dhe e luajnë atë rol që e kanë luajtur gjatë negocimit gjoja të Marrëveshjes së Ohrit, kur në vend që të negociojnë statusin zyrtar të gjuhës shqipe,  e pranuan përdorimin publik dhe pak turli-zyrtar të shqipes si gjuhë e komunitetit që përbën mbi 20 përqind.

“Do të thotë se pranuan statusin e gjuhës minoritare”, duke e njëjtësuar mandej atë “status të gjuhës minoritare” me gjuhët e tjera, si romishtja, vllahishtja, etj që flitet e shkruhet në Maqedoni, nëse këtë status e lexojmë drejt si është shkruar në MO dhe si lejohet të përdoret .Dhe, që turpi të jetë më i madh, dhe të jetë një turp bile gjithëshqiptar, ata kanë lejuar që shqipja në kushtetutën e Maqedonisë të mos e gëzojë të drejtën e emrit të vet, por të marrë emër numri dhe përqindjeje, një definim tejet racist, të cilin nuk do ta kishte pranuar bile as ndonjë fis afrikan, nëse kolonizatori i tij do t’ia përdhoste kështu poshtërueshëm mohimin e emërtimit të gjuhës. Kjo në fakt, teoritikisht dhe simbolikisht do të thotë që maqedonasit mohojnë ekzistencën e gjuhës shqipe në Maqedoni, po mohojnë njëherësh edhe ekzistencën e saj edhe përgjithësisht ku flitet e shkruhet ajo në tokat shqiptare; ndërsa ne shqiptarët e pranojmë me gojën tonë mohimin e tyre, që njëherësh do të thotë edhe mohim i vet popullit tonë që e flet dhe e shkruan këtë gjuhë, që këtë gjuhë e ka embleme historike dhe embleme përhershmërie të identitetit shqiptar,dhe po ashtu na mundon gajljeja e turpshme që të deklarohemi se ne  jemi “të vetmit që pranojmë gjuhën maqedonase” ,pra, “kombin maqedonas” dhe “identitetin e tij””, ka thënë Muhamedi.

Po ashtu, ai ka thënë se statusin zyrtar të një gjuhe e definon kushtetuta, e jo ligji.

“Ligji për gjuhën ose gjuhët zyrtare minoritare, e ky ligj që po tundet e shkundet, mjerisht në tërë opinion shqiptar, duhet të mandatojë përdorimin “zyrtar”,të kthyer në “përdorim publik me funksion vetëm komunikues”, pra, të operacionalizojë atë status juridik-kushtetues që e përmban kushtetuta, ndërsa në e Kushtetutën e Maqedonisë, në të cilën është inkoroporuar MO, njihet vetëm një gjuhë zyrtare, maqedonishtja, në tërë territorin e brendshëm të Maqedonisë, dhe në përdorimin me jashtë. Ndërkaq, statusi i shqipes, sipas definimit kushtetues është  një “status I gjuhës bashkë-zyrtare”, jo me vleftësi juridike të njëjtë me maqedonishten, por vetëm si “gjuhë shoqëruese”,ose,thënë në zhargonin e sociolinguistikës,”status i një gjuhe “eskorte”, dhe më shëmtueshëm,”status i një gjuhe shërbëtore”, ka thënë Muhamedi për “Bota sot”.

Për më tepër, Muhamedi shton se drafti i kësaj marrëveshjeje politike mes eskortave politike shqipfolëse në qeverinë e Zaevit,  që pritet të kthehet në projektligj, e mandej të miratohet në ligj, është një tekst tejet poshtërues për dinjitetin e gjuhës shqipe.StrugaLajmStrugaLajm

“Sepse, është tekst i shkruar nga pala maqedonase dhe në ujdi mes tyre(VMRO-LSDM),duke futur aty të gjitha akrobacionet juridike-politike për të fshehur “statusin pa status të saj”,dhe është tekst të cilin “pehlivanët”politik shqiptarë e kanë miratuar “me lexim të parë” dhe nga njerëz që fare nuk kanë të bëjnë me gjuhën, dy “veterinaë”(nga dy parti shqipfolëse) japin pëlqimin se janë dakord me tekstin e lexuar, dhe e telallisin atë si “avancim të përdorimit të shqipes”,duke vigjiluar që ky tekst të mos bjerë në dorë ekspertësh shqiptarë;që ky tekst të mos shtrohet në debat para ekspertëve shqiptarë ,në debat për opinionin shqiptar. Dhe ,që të jetë turpi dhe më i madh,janë anashkaluar,me ndonjë “përzgjedhje të ndonjë “eksperti partiak”,edhe dy Universitetet në gjuhën shqipe,UEJL dhe USHT,dhe dalin e imponojnë politikisht dhe mashtrueshëm këtë tekst në emër të tyre dhe të gjithë shqiptarëve, ashtu si ua ka prerë mendjepakësia e tyre politike”, ka theksuar ai.

Pritet avancimi për gjuhen shqipe

Ndërsa, profesori universitar, Mersel Bilalli ka thënë se çështja e gjuhës është problemi më e vogël që kanë shqiptarët tani.

“Ata shumë vite nga Gruevski ekonomikisht u shkatërruan, mposhtën e gjunjëzuan, me çka mbi 200 mijë shqiptar nga Maqedonia për dhjetë vite lëshuan vendin”, ka thënë Bilalli.

Po ashtu, ai ka thënë se problemi i gjuhës për këtë moment paraqet problem më shumë çështje forme e jo esence.StrugaLajm

“Duhet shumëçka ndryshuar që të filloi të ringjallet edhe ajo pak ekonomi që kishim. E të mos përmendi cenimin e dinjitetit kolektiv, Kumanovën, montazhën në Liqenin e Smillkovës ku si duket njerëz të pafajshëm vazhdojnë të jenë në burg. Ju pyetni se çka duhet të bëjnë përfaqësuesit shqiptar që çështja e gjuhës të ecë para. Po mu ata përfaqësues për arsye të panjohura fuqishëm me logjikën e një mazohisti me vite përkrahnin Gruevskin”, ka thënë ai.

Bilalli ka shtuar se duhet të pritet disa muaj deri të bëhet ligji më i avancuar, dhe se tani kundër këtij ligji do të jetë VMRO.

“Tani duhet pritur disa muaj nëse duam të bëjmë ligj dukshëm më të avancuar, madje këtu duhet përfshirë edhe Komisionin e Venedikut, pasi VMRO tani si opozite do t’i kundërvihet fuqishëm miratimit të një ligji të tillë. Përndryshe në qeveri ka disponim për ligj më të avancuar”, ka thënë Bilalli.

Të zhgënjyer me përfaqësuesit shqiptarë

Ndërsa, politologu, Xhenur Iseni ndjehet i zhgënjyer nga përfaqësuesit të cilët kanë marrë vota në emër të gjuhës shqipe.

“Jemi bërë vëzhgues të zvarritjeve dhe vonesave. Jemi dëshmitarë se si shqipja shqelmohet. Jemi bërë të zhgënjyer me pafuqinë dhe dobësinë e atyre që marrin vota nga ne në emër të gjuhës shqipe dhe jetojnë me votat tona më mirë se ne, e krejt ne së bashku të përbuzur pa e bërë gjuhën shqipe krejtësisht zyrtare”, ka thënë Iseni.

Ai ka shtuar se që nga viti 2002 deri më tani është bërë premtimi i njëjtë nga partitë shqiptare për të zyrtarizuar gjuhën shqipe.

“Në çdo zgjedhje prej 2002, të gjithë na premtuan të njëjtën. Por të gjithë nuk ishin në pushtet. Ishte BDI 12 vite, ishte PDSH 2 vite, por gjërat nuk janë tundur. Ato nuk kanë ndryshuar siç kemi shpresuar dhe pritur. Arsyet janë të ndryshme. Por arsyeja kryesore ka një adresë. Partitë në pushtet duhet dhënë llogari. Ali Ahmeti na tha para pak kohëve se ai e kishte zgjedhur stabilitetin e Maqedonisë dhe hyrjen në NATO pse paska lëshuar pe në vitin 2012 me një kërkesë për gjuhën shqipe”, ka thënë Iseni.

Më tej, Iseni ka folur për garancitë se LSDM nuk do t’ia bëjë përsëri të gjitha partive të reja partnere BDI, dhe Aleancës për Shqiptarët, ashtu siç VMRO-DPMNE ia bëri BDI-së.

“Skenari i njëjtë është në përgatitje. Por skenarin që në fillim e sakatuan vet të njëjtat parti shqiptare.  Mjafton që të krahasohet deklarata/platforma e 7 janarit dhe do shihet se ata që e hartuan dhe nënshkruan, pikërisht të njëjtit hoqën dorë nga ndryshimi i kushtetutës. Sepse nuk i kanë 2/3 në parlament, na thanë. Por ka mënyra për të bërë kaq vota në parlament. I kanë maqedonasit plot 100. Si do të vepronin LSDM e VMRO-DPMNE nëse krejt partitë shqiptare do të bojkotonin çdo proces për qeveri ? A e ka shtruar kush këtë pyetje midis partive shqiptare ? Pse u prishka stabiliteti i Maqedonisë nëse shqiptarët kthehen në shtëpi deri sa maqedonasit të bëjnë mendjen midis bërjes së ndryshimeve kushtetuese për gjuhën shqipe zyrtare dhe të ardhmes së Maqedonisë?”, ka thënë Iseni për Bota sot.

Ai  ka thënë se ky skenar duket të jetë shlyer nga truri i krejt partive shqiptare dhe se ata po flasin vetëm për ndryshime ligjore.

“Pikërisht kështu bëri BDI dhe Ali Ahmeti plot 12 vite qeverisje  VMRO-DPMNE . Aleanca për Shqiptarët dhe ndoshta Lëvizja Besa po kopjojnë dëgjueshmërinë e BDI-së me heshtjen për kushtetutën. Dhe në këtë rast çfarë faji duhet kërkuar nga Zaev kur ai ua thotë troç se ai nuk do të lejojë ndryshime të kushtetutës e as nuk do të lejojë zyrtarizim të plotë të gjuhës shqipe”, ka shtuar Iseni për “Bota sot”.

Në fund, ai shtuar se e ka kuptuar edhe Zaevi nënshtrimin e partive shqiptare në emër të stabilitetit të Maqedonisë.

“Pra, as Gruevski e Zaev nuk janë adresa e fajtorit, kur vet partitë shqiptare që në fillim zbusin kërkesat e tyre dhe duken se e duan Maqedoninë më shumë se vet Gruevski dhe Zaevi pa e zyrtarizuar gjuhën shqipe. Thjeshtë gjuha shqipe vetëm do të avancohet por nuk zyrtarizohet”, ka përfunduar Iseni.

In : Aktuale

Loading...
loading...