Çmimi i mosnënshtrimit-Zeqirja Ibrahimi

Ideatorët dhe idealistët e Besës do ta tejkalojnë edhe këtë grip, duke mos u nënshtruar as kësaj radhe, ani se disa sosh nuk kanë mundur ta durojnë presionin. Ne do të vazhdojmë t’i shërbejnë idesë së Besës të bindur se kjo ide do të ngadhënjejë një ditë. Në maratonë ka plot garues që nuk arrijnë ta përfundojnë garën dhe dorëzohen…

Nga Zeqirija IBRAHIMI

Derisa disa aktivistë e vajtojnë, disa aktivistë na shajnë të gjithëve dhe disa të tjerë na lusin që të bëhemi bashkë, si në ditët tona më të mira, besoj të gjithë këta me qëllimin më të mirë, duke më ardhur keq për secilin prej tyre, madje edhe për ata që më shajnë dhe që nuk ua kthej mesazhet që mos ta fëlliqin më shumë tastierën, por edhe duke e pasur parasysh kërkesën e opinionit të gjerë për t’u njohur nga dora e parë, vendosa më mirë ta shpjegoj vet se ç’po ngjet këto ditë me Besën tonë.

Kur erdhëm në skenë me Lëvizjen BESA, plot na paragjykuan “se janë si gjithë të tjerët”, plot të tjerë na përçmuan “se janë fëmijë të lazdruar që duan pushtet”, shumë të tjerë as që na përmendën diku dhe pati pak të tillë që na admiruan për guximin që të paraqitemi në skenë pikërisht kur partia shqiptare e asaj kohe sapo kishte prekur plafonin historik të votave që kishte marrë ndonjë parti shqiptare ndonjëherë. Sidoqoftë, me modestinë e takatit tonë, ne erdhëm duke u forcuar gjithnjë dhe duke u bërë zëri i vërtetë i shqiptarit të trevave autoktone në Maqedoni. Në të vërtetë, atë e kishim synuar krejt në fillim të vitit 2014, kur me mikun tim Afrim Gashi (dhe shokë të tjerë që pastaj erdhën në Besë pikërisht për shkak të idesë) e kishim dizajnuar Besën. Mendimi i jonë ishte se shqiptarëve të trevës së Maqedonisë u duhej një subjekt politik që do të ishte komplementar me shqiptarin e rëndomtë të këtij shteti. Dhe, si një e djathtë që e kishim menduar, thoshim se organizata politike nuk duhet ta ketë synim të prodhojë a të shpikë shqiptar të ri, shqiptar të shfytyruar (siç kishte synuar gjysmëshekulli e majta titiste dhe enveriste), por ajo duhej të ishte reflektim i asaj që është shqiptari i rëndomtë i kësaj treve, duke e marrë parasysh historinë e tij, kulturën e tij, arsimin e tij, gjendjen sociale, identitetin religjioz etj. Meqë në fillet e themelimit të Lëvizjes raporti i ndërsjellë karshi parimeve ishte metafizik dhe ne besonim në parimet e politikëbërjes sonë, jorastësisht e quajtëm atë BESA. Ajo do të ishte Autentike, sepse ishte subjekt i parë i shqiptarëve në Maqedoni që ishte autentik në artikulimin politik, sepse tha se qenia e shpreh lirinë jo duke iu përshtatur rrethanave, por duke ia përshtatur rrethanat vetvetes; Autoktone, sepse ndërtohej mbi premisat e vlerave autoktone shqiptare në Maqedoni; dhe Autonome, sepse nuk ishte derivat i asnjë partie shqiptare të mëparshme në Maqedoni ose Kosovë e Shqipëri. Besa mëtonte të ishte sinonim i nacionalizmit të ri të shqiptarëve në Maqedoni, që nënkuptonte se edhe shqiptarët e këtij vendi ta kenë versionin e tyre të nacionalizmit. Për hesapin e politikës së brendshme në Maqedoni, Besa ishte partia e parë në historinë e politikëbërjes në Maqedonisë (nëse është ndonjë satisfaksion kjo që ishte e para) që tha se Maqedonia ishte një shtet i kurdisur keq, që ishte ndërtuar mbi definicione të gabuara dhe se duhej një ridefinim i saj, duke krijuar kohezion ndërmjet shoqërisë shumetnike dhe shtetit monoetnik. Kjo nënkuptonte që shoqëria dhe shteti duhej të bëheshin komplementarë mes vete. Menduam se e kishim gjetur formulën që na bënte komb të suksesshëm në Maqedoni, që na hiqte nga nacional-romantizmat e këngëve folklorike, por edhe që mundësonte një shtet të të barabartëve konform trendeve euro-integruese. Mbi këto premisa e zhvilluam edhe aktivitetin opozitar. Shumë aktivitete, konferenca e debate, e veçmas dy protestat e organizuara nga Besa, e para më 13 qershor 2015 dhe e dyta më 9 maj 2016, që ishin dy protestat mbase më madhështore, më masovike dhe më mirë të organizuara kurdoherë te shqiptarët e Maqedonisë, ishin shenjë se më në fund po vinte në skenë një artikulim i drejtë dhe i saktë politik i shqiptarëve në Maqedoni. Por, ndonëse ky ishte lajm i mirë për neve, për të tjerët ishte shqetësim.

SHPIFJET

Meqë gjatë vitit 2015 në Maqedoni kishim krizë politike në plotkuptimin e fjalës, e cila në mënyra më të zbehta zgjati edhe gjatë 2016-tës, zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016 do të ishin një portë për një fazë tjetër të jetës politiko-shoqërore të Maqedonisë. Në ato zgjedhje Besa mori vota sa për shtatë deputetë, por për shkak të disa manipulimeve të bëra nga KSHZ-ja, arriti të regjistrojë vetëm 5 deputetë. Megjithatë, edhe ata 5 deputetë ishin dëshmi se ideja e Besës ishte kapur nga elektorati dhe se po përtypej mirë për ta ndërtuar një frymë të re të skenës politike në Maqedoni. Testi i parë ishte kaluar, por testi i dytë ishte më i rëndë – formimi i qeverisë. Kur e mori mandatin Gruevski, Besës i erdhi selami për të bashkëqeverisur me të, madje edhe pa BDI-në, por përgjigja e saj ishte troç: “nuk pranojmë të ulemi me politikanë të inkriminuar”. Dhe, ndonëse Besa pati pastaj rol konstruktiv në ndërtimin e qeverisë së re, duke qëndruar e paepur përpara presionit të regjimit të atëhershëm VMRO-BDI (atëbotë BESA akuzohej si parti e afërt me LSDM-në, si sorosoide etj.), me çka iu kishte gjetur si partner i padyshimtë LSDM-së, pas zgjedhjeve element i patjetërsueshëm i formimit të qeverisë u bë përsëri BDI-ja. Kjo i ndërlikoi gjërat. E kur Besa refuzoi ta pranojë imponimin për ta mbështetur kandidatin e BDI-së për kryetar Kuvendi, kështu duke i qëndruar besnik votuesit dhe parimit të saj për sistemin e ri të vlerave (“nuk pranojmë imponime të vendosura diku tjetër dhe figura të kapura”), e veçmas kur refuzoi të marrë pjesë në qeveri pa marrëveshje të nënshkruar dhe me kushte të imponuara nga mandatari, atëherë gjërat ndryshuan. Sa për informacion, Besa i kishte ofruar LSDM-së të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje, duke e precizuar mënyrën e vendimmarrjes, programin e përbashkët qeveritar të afatizuar, bashkë me RIDEFINIMIN, dhe ndarjen e pushtetit në mënyrë vertikale, horizontale dhe ndarje në bazë të resorëve veçmas. Atëbotë drejtuesit e LSDM-së na shikonin me syrin “a jeni në mend ju çka kërkoni?; ne e kemi në dorë një parti me 10 deputetë, që nuk kërkon këso gjëra, ndërsa ju me 5 deputetë shisni mend”. Në fund të bisedimeve Zaevi na tha se “nëse nuk vini në qeveri (pra, pa marrëveshje), do ju mbetet akuza se jeni me VMRO-në”. Kujtuan se do të dorëzohemi. Por, edhe ata që kishin menduar se Besa “by defualt” duhej të ishte në bllok me LSDM-në u stepën kur panë se Besa e ka me gjithë mend dhe jo vetëm për propagandë se është subjekt Autentik dhe Autonom. Madje, edhe kur iu kanosën se “qëndrimi jashtë qeverisë, në vend se të vlerësohej si pika kulmore e historike e një partie politike, ajo do të interpretohej si koketim me VMRO-në”, Besa përsëri mbeti stoike se më të rëndësishme janë parimet sesa përfitimet. Sepse për Besën politika nuk ishte vetëm numra, por para së gjithash parime. Ndryshe i bie që Merkeli duhej të bënte qeveri me fashistët, sepse ashtu i bënte numrat. (Për informacion: Merkeli i ka numrat që ta bëjë qeverinë me partinë naziste, por ajo do të detyrohet ta bëjë qeverinë me SDP-në vetëm që të mos e lejojë të vijnë në pushtet fashistët. Pra, për të më të rëndësishme janë parimet se pushteti.) Kështu Besa, po e them pa modesti – për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, dëshmoi se ka shqiptarë që nuk janë në shitje për poste, se ka shqiptarë që politikën e bëjnë ndryshe, se ka shqiptarë që dinë të heqin dorë nga privilegjet në favor të parimeve. Sidoqoftë, spin-doktorët me honorarë të pushtetit e bënë të veten. Meqë Besa nuk iu nënshtrua këtij diktati, pra që të shitej me çmimin që ia kishte caktuar dikush tjetër, u vu në shërbim agjenda e parë – “SHPIFJE DHE AKUZA”: iu sulën me të gjitha mjetet dhe me të gjitha armët që ta njollosin dhe ta nxijnë me akuzat më të pështira e më të poshtra, që edhe sot e gjithë ditën nuk prajnë. Dhe, dorën në zemër, një pjesë bukur e mirë e opinionit, që është e thyeshme më lehtë, e hëngri këtë karrem dhe në vend se ta pranojë si vlerë qëndrimin parimor të Besës, që më në fund kishte një parti që e mban besën dhe fjalën ndaj votuesit, filluan të besojnë në shpifjet e akuzat që i gatuanin honoraristët e pushtetit.StrugaLajmStrugaLajm

ELIMINIMI POLITIK

Dhe, derisa pushteti po etablohej dhe Besa përsëri ndihmonte në gjëra që qeveria nuk i kalonte dot vet, kjo për hir të parimit se “nuk jemi nihilistë të refuzojmë dhe mohojmë gjithçka, por jemi parimorë duke i mbrojtur kërkesat e votuesit tonë”, erdhën zgjedhjet lokale, në të cilat erdhi në shprehje edhe më mirë dhe më saktë qëndrimi i partive maqedonase se “partitë shqiptare, që nuk nënshtrohen, duhet të luftohen deri në eliminim”. Natyrisht, pasi të nxihen në sytë e opinionit, që gati u arrit përmes luftës mediale. Pas kësaj vijoi faza e luftës së drejtpërdrejtë politike pa pardon. Kështu, edhe pse LSDM-ja e kishte akuzuar gjatë gjithë kohës BDI-në se ishte parti “e regjimit”, “e korruptuar”, “e inkriminuar”, “e kriminalizuar”, “e kapur nga VMRO-ja”, si “parti që kishte inskenuar vrasje si ajo e Kumanovës dhe tragjedi të tjera”, as kjo nuk i pengoi asaj që ta bëjnë bashkë qeverinë dhe, bile, të shkojë më tej. Diçka që Merkeli sigurisht nuk do ta bënte, e bëri Zaevi. Me një fjalë, ai u ra kalem krejt këtyre gjërave dhe këtë e bëri përmes lavatriçes së tij “Prokuroria Speciale”, e cila sot i ndjek vetëm kriminelët e VMRO-së dhe i ka harruar ata të BDI-së. Thuajse ata ishin engjëjt dhe thuajse ne i kemi harruar përgjimet që vet Zaevi i kishte publikuar. Këtë ia thashë Zaevit në mbledhjen e votimit të Qeverisë: “A ti ke gënjyer se ata të BDI-së janë të korruptuar apo ata janë të ndershëm dhe ti ke shpifur?! Të dyja nuk mund të jenë të sakta. Sepse, se ata janë të tillë ne me shumicë e kuptuam pikërisht nga ti.” Por, në këtë dalldi e dehje, si në kohën kur kishte ardhur Tito në pushtet në ’45-tën, më duket se askush nuk e dëgjoi këtë. Kjo i bie që për partitë maqedonase vazhdon të vlejë maksima “shqiptar i mirë është ai që unë e kam në dorë; të tjerët duhet eliminuar”. Në këtë frymë, pa dashur të bëj përgjithësime dhe më përjashtime për çdo respekt, por nga shqiptarët që i favorizoi ai doli se tipi i shqiptarit të dëshirueshëm prej tij është shqiptari i padijshëm dhe i kapur. Pra, sipas tyre, secili shqiptar që ka tru autonom dhe që nuk është i kapur është shqiptar që duhet të luftohet dhe zhvlerësohet. Prandaj, shikoni pak se e kë e favorizoi dhe ndihmoi ai në zgjedhje lokale dhe e merrni vesh këtë. Për shkak të kësaj qasjeje, për fat të keq si asnjëherë më parë, sot në mjediset shqiptare vlon nga kriminelët që sillen si kapadainj dhe torturojnë e vrasin si ua ka ëndja, ndërsa shqiptarët e ndershëm janë strukur dhe nuk bëzajnë.

Këtu edhe është shpjegimi i luftës së pushtetit ndaj partisë së panënshtruar. LSDM-ja në zgjedhje lokale u bë bashkë me BDI-në për ta luftuar BESËN (dhe Aleancën për Shqiptarët) dhe, madje, përkundër asaj se edhe ndërkombëtarët ia zunë për të madhe kryeministrit se po bënte dëm që po ndërhynte në vullnetin shqiptar, ai u tha shqiptarëve se “tash unë vendosi edhe për komunat e juaja dhe se ju nuk vendosni më për asgjë fare”. Ky ishte zhvlerësimi më i madh politik që ndonjë parti maqedonase kurdoherë ua ka bërë shqiptarëve në Maqedoni. Duke e kapur BDI-në, ai i kapi të gjithë shqiptarët dhe, thjesht, u dërgoi mesazh se “nëse doni të jeni fitues dhe në pushtet, patjetër duhet të më nënshtroheni mua”. Dhe, ata që nuk u nënshtruan, nuk fituan. Rezultati tashmë dihet.StrugaLajm

DIVIDE ET IMPERA

Pasi që kishte përfunduar kjo fazë, pra pasi që partia më e madhe shqiptare ishte nënshtruar, ndërsa partitë e tjera ishin lënduar, pasoi faza e fundit – përpjekja për zhbërjen e plotë të partive të panënshtruara. Kjo fazë është në zhvillim e sipër tashmë në Lëvizjen BESA dhe flitet se e pret edhe Aleancën për Shqiptarët.

Ndonëse opinioni e di saktë se kush e ka ideuar Besën, kush ia ka vënë 3 A-të, kush e ka bërë platformën RIDEFINIMI, kush ka artikuluar ide nga Besa, sot në Besa kemi fenomenin e mospërgjegjësisë, të luftës së egër për fron, fenomenin e inatçinjve që e djegin jorganin për shkak të pleshtit, fenomenin e provincialistëve që “më mirë pranojnë të jenë të parët në Llërcë se të fundit në Shkup”, që në përgjithësi i shërbejnë – me ose pa vetëdije – agjendës së zhbërjes së një partie të panënshtruar. Nëse i shikoni me kujdes fotografitë e taborëve në BESA, në njërën anë janë ata që gjatë gjithë kohës sulmoheshin me akuza e shpifje dhe, në anën tjetër, janë ata që gjatë gjithë kohës koketonin me pushtetin. Ose, shprehur me gjuhë politike, në njërën anë janë idealistët, në tjetrën oportunistët. (Shpjegim: oportunistë janë personat joparimorë, që ndërtojnë një mendësi morale duke u bazuar në prirje të çastit dhe, shikuar nga aspekti psikologjik, ata shquhet për lëkundje dhe labilitet.) Brenda grupit të oportunistëve është edhe një nëngrup tjetër, edhe më perfid – “instrumentalistët”. Ndonëse për nga numri janë shumë më pak, ata arrijnë t’i instrumentalizojnë oportunistët, duke i yshtur në pafundësi në “avangardën” oportuniste. Natyrisht, instrumentalistët kanë më shumë mbështetje dhe përkrahje nga pushteti, sepse ata e kryejnë një detyrë të rëndësishme – përpjekjen për eliminim të politikanëve të panënshtruar. Këtë as VMRO-ja e as LSDM-ja nuk kanë arritur ta bëjnë vetë.

HAPPY END

Dhe, kur i dëgjon ofkëllimat e aktivistëve dhe votuesve që nuk e durojnë dot këtë përplasje, natyrisht se si njeri të vjen keq dhe e vuan, por kur e shikon organizimin politik në shiritin e historisë, gjithnjë e ke në mendje se më e rëndësishme është të mbrohet ideali, edhe me çmimin e jetës, sesa ta pranohet nënshtrimi vetëm për shkak të përfitimit. Azem Morana dhe shokët e tij të NDSH-së (ose edhe Sulë Hotla me ushtarët e tij) e dinin se suksesi i betejës së tyre ishte në kufi të të pamundurës, por ata nuk u nënshtruan. Dhe, ata janë sot burim i idealit tonë për ta vazhduar misionin, e jo ata komunistë, si Nexhat Agolli etj., që u bënë argat të komunizmit, ndërsa në kthesën e parë e hëngrën kokën e vet.

Gjithë kjo i ka dy shpjegime. I pari, pra, është historik. Pavarësisht si do të jetë epilogu në BESA, do të jemi lumtur nëse dikur diku do të shënohet se në vitet 2014-2018 ka pasur shqiptarë të rinj që kanë prodhuar një subjekt politik ndryshe, që nuk janë nënshtruar ndaj asnjë partie maqedonase, që kanë artikuluar një vizion autentik politik, që kanë afirmuar vlera morali dhe kanë qenë kundër krimit, korrupsionit dhe amoralitetit, që e kanë shqiptuar drejt e pa ekuivoke interesin shqiptar, që nuk janë trembur as kur i ka kërcënuar VMRO-ja e as kur i ka shpifur e luftuar LSDM-ja, që nuk janë nënshtruar as ndaj presioneve as ndaj privilegjeve dhe që në fund këtë kokëfortësi (ashtu i thënçin) ose bindje parimore e kanë paguar me eliminim nga skena politike, pasi që në të kanë futur elementë, që e kanë bërë me sukses këtë vazife, ose i kanë kapur disa drejtues të saj, që e kanë kryer këtë detyrë me sukses.

Shpjegimi i dytë është se kjo përçarje dhe ky tension është normal për partitë politike në sisteme pluraliste. Mund të na vijë keq, por për organizatat e mëdha, siç është relativisht edhe Besa, këto gjëra janë krejt të zakonshme. Prandaj, ideatorët dhe idealistët e Besës do ta tejkalojnë edhe këtë grip, duke mos u nënshtruar as kësaj radhe, ani se disa kanë devijuar dhe nuk kanë mundur ta durojnë presionin. Ne do të vazhdojmë t’i shërbejnë idesë së Besës të bindur se kjo ide do të ngadhënjejë një ditë. Në maratonë ka plot garues që nuk arrijnë ta përfundojnë garën dhe dorëzohen. Prandaj maratonën nuk mund ta përballojë secili. Kondicioni është mbi të gjitha. Ndërsa ne kemi kondicion më shumë seç mund të na bëjnë ata presion. Qyshkur e kishim themeluar Besën, ne ishim bërë gati për këso sfidash, andaj jemi të bindur se edhe kjo rrufë do të kalojë dhe Besa patjetër do të ngadhënjejë. Idealistët e Besës do të vazhdojnë të rezistojnë deri kur pushteti maqedonas të maturohet politikisht dhe relacionin e ndërsjellë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve të mos e ndërtojë në saje të fuqisë dhe nënshtrimit, por në saje të dialogut, koordinimit dhe ndarjes simetrike të pushtetit.


Loading...
loading...