DEMAGOGJIA SI VLERË DEMOKRATIKE!?

Shkelzen Halimi

Për dallim nga vendet me traditë të gjatë demokratike dhe me parti jetëgjatë, te ne organizimi politik është kuptuar krejt ndryshe për të mos thënë mbrapshtë. Krijimi i disa standardeve që më shumë u ngjajnë kruzhoqeve provinciale, janë dëshmi se organizimi politik ndër ne ka një qasje tjetër. Partia nuk kuptohen si organizatë politike e një klasë apo e një shtrese shoqërore të caktuar, që ka programin dhe statutin e vet dhe që lufton për të mbrojtur interesat e klasës ose të shtresës shoqërore të cilës i përket, por si organizim i një grupi njerëzish që i bashkon përkohësisht një qëllim i caktuar. Gjithsesi kjo do të ketë ndikuar që midis nesh të kemi inflacion servilizmi, faktorizim brenda natës të anonimëve, analfabetëve, të pamoralshmëve, hajdutëve dhe një armatë të politikanëve mediokër. Kjo, mbase ka bërë që të mos kemi kurrfarë profilizimi ideologjik, por vetëm ngritje të kultit të individit, gjë që tregon se nga mentaliteti ynë akoma nuk është shmangur një-partishmëria, ndaj mund ta kemi të qartë se përse te subjektet politike shqiptare nuk ka konsolidim të demokracisë së brendshme, ku lideri është jo vetëm organi superior, me të drejta absolute.
Adhurimi i tepruar ndaj individit (liderit) ka përjashtuar orientimet programore dhe statutin e partisë. Aty ku adhurimi ndaj individit shkon përtej kufijve të normales (si në kohën e liderëve komunistë), aty servilët nuk zgjedhin mjete për ta treguar lojalitetin ndaj liderit. Kjo verbëri është shkaku kryesor që të kemi amatorizëm politik, i cili amatorizëm përmbyllet me aktivitete nëntokësore për realizimin e interesave klanore. Të tjerat janë vetëm mjegullnaja dhe demagogji, të cilat, fatkeqësisht, nga shumë individë dhe “analistë” partiakë, akoma trajtohen si vlera demokratike.

In : Aktuale

Loading...
loading...