DEMOKRACIA SI SISTEM I TË FORTIT

Ndryshimet e premtuara nga partitë politike shqiptare ishin vetëm kozmetike. Dhe sa herë që rrebeshi i kohës derdhej mbi substancat e kësaj kozmetike, pushteti shpejtonte dhe shqiptarëve ua gjuante pataten e nxehtë, me qëllim që të fitojë në kohë për të përgatitur shtresa të reja kozmetike. Partitë kishin vlerësuar se edhe përmes kozmetikës ndryshimi mund të ndodhë. Ajo që ishte nën këtë kozmetikë kishte filluar të ndryshket, ndërkaq për ndonjë intervenim më të madh nevojitej skenari adekuat për ta lënë ndryshkun në plan të tretë apo të katërt. Zgjidhja ishte e thjeshtë: inskeno ngjarje të tmerrshme, të cilat me javë të tëra do të bëhen top-temë e mediumeve.

Ta bombardosh masën me lloj-lloj lajmesh, do të thotë ta neutralizosh dhe ta bësh të paaftë për ndonjë analizë, së paku qoftë edhe sipërfaqësore. Kur masa fillon sërish të mendojë për ekzistencën, atëherë fillon të zhbëhet edhe interesimi për ndryshimet…Në fakt, kur shqiptarët kishin kuptuar se në politikë dy plus dy asnjëherë nuk bëjnë 4, ishte tepër vonë. Akoma nuk kishin arritur në atë stad që të kuptojnë se matematika e politikës është matematikë më e komplikuar dhe me shumë të panjohura. StrugaLajm

Morali i shoqërisë shqiptare që në orët e para të post-komunizmit u infektua rëndë nga elitat e pamoralshme, të cilat asnjëherë nuk e përcaktuan vijën e kuqe midis interesit grupor dhe atij kombëtar. Interesi kombëtar ishte vetëm një mburojë e interesit grupor, që nuk përfillte asnjë nismë të pavarur apo individuale. Çdo nismë kishte çmimin e vet. Tashmë dihej se kush kollitej dhe kush e paguante ilaçin për kollë. Erdhi epoka e maksimës së njohur: “e ke lekun, e ha byrekun”. Demokracia do të kuptohej ndryshe dhe do të bëhej sistem i të fortit. Shoqëria shqiptare po mbulohej nga sjelljet e pamoralshme. Ata, mashtruesit, që midis shqiptarëve erdhën përmes portës së madhe, ishin alergjik ndaj temave që kishin të bëjnë me lirinë, drejtësinë e përgjegjësinë. Ata patën vetëm një qëllim: që historia shqiptare t’i pranojë krahë hapur si shpëtimtarë të kombit.StrugaLajm

Formimi i një vetëdije për zbërthimin e të gjitha të këqijave të shqiptarëve në periudhën e tranzicionit post-komunist, do të çonte deri te e vërteta e manipulimit të madh se shqiptarët ishin vetëm një makineri votuese për të ardhur në pushtet ata që në emër të çështjeve madhore kombëtare të bënin biznes pikërisht me këto çështje. Vetëdija që i nënshtrohej kozmetikës ishte po ajo vetëdije me të cilën manipulonte partia në pushtet. Henrik Ibzen kishte thënë: Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe lirisë është shumica e pushtetshme, ndërkaq Makiaveli: Ai që mashtron, do të gjejë gjithmonë nga ata që lejohen të mashtrohen!


Loading...
loading...