Dervish Hima,patrioti që Ohri i dha Shqipërisë

Prof. dr. Nebi Dervishi/Strugalajm.com

Veprimtaria atdhetare e Dervish Himës (1872-1928)
(Me rastin e 90 vjetorit të vdekjes (21 maj 1928)

Dervish Hima – tribun i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, është njërit ndër rilindasit tanë më të shquar në fund të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, intelektual i madh i kohës vet, patrioti të flaktë, veprimtarit të palodhura, luftëtarit të paepur për çështjen kombëtare e për shkollën shqipe, armik i përbetuar i sulltanit, pra, personaliteti i cili tërë jetën dhe pasurin e tij ia kushtoi luftës për liri, pavarsi dhe të drejta kombëtare.
Ohri është qytet me tradita të lashta dhe të ndritura shqipatre, gjatë historisë. Ishte kryeqensër e bashkësisë së Dasaretëve ilirë; seli e kishës shqipatre të shek. XIII; kryeqendër e Principatës së Gropajve në shek. XIV, arenë e betejave legjendare të Skenderbeut në shek. XV etj. Në Ohër kanë lindur dhe vepruar mjaftë personaliteet të shquara shqiptare: Onufri në shek. XVI, Andrea Bogdani, Pjetër Bogdani, Xheladin Beu, Medi Beu, Irfan Beu, Hamdi Bej Ohri e shumë e shumë të tjerë.
Edhe Dervish Hima (emri i vërtet i të cilit është IBRAHIM MEHMET NAXHI), lindi këtu në Ohër në vitin 1872. Të parët e tij kishin qenë dikur pronarë tokash, prandaj shpesh e gjejmë edhe Ibrahim Naxhi Spahiu. Hima nga kjo pasuri trashëgoi fare pak, të cilën, së bashku me vëllezërit e treti për çështjen e popullit dhe atdheut, kurse një pjesë ia konfiskoi pushteti osman, si dënim për patriotizmin e tij. Mirëpo, historia këtë e njeh si Dervish, për shkak se për t’i realizuar më lehët qëllimet dhe idealet e tij, shpeshherë vishej si dervish.
Dervish Hima është një figurë shumëplanëshe e shumë e rëndësishme e historisë kombëtare që, dallohet për një veprimtari të dendur në shumë fusha të jetës shoqërore e politike. Ai ishte para së gjithash një njeri i veprimit, padyshim njëri ndër veprimtarët më aktivë të Rilindjes Kombëtare, por ai ishte gjithashtu dhe një mendimtar, një ideology, e një diplomat i shquar, ashtu sikurse ishte edhe një studjues, propagandist e publicist i rallë. Falë kulturës së gjërë, aftësive dhe cilësive të ralla, ai diti të deputojë e të kontribojë me shumë sukses në të gjitha këto fusha të rëndësishme të dijes. Dervish Hima çmonte e vlerësonte drejt rolin dhe misionin që ato kishin si mjete të fuqishme të përpunimit e të propagandimit të çështjes shqiptare. Në këtë mënyrë ai arriti që t’i aktivizojë ato me shumë sukses në shërbim të këtij qëllimi. Është vështirë të dallosh se në cilën nga këto fusha ai spikati. Të gjitha i përdori me mjeshtëri e aftësi të rrallë, duke parashtruar e përçmuar përmes tyre ide, pikpamje e platforma realiste e frymëzuese që i shërben lëvizjes kombëtare si udhëheqje për veprim.
Nuk ka dyshim se në veprimtarinë e gjërë në dobi të çështjes kombëtare një vend të rëndësishëm e zë dhe ajo e zhvilluar në fushën e gazetarisë e të publicistikës, në të cilën Hima ka lënë kontributë të madhe. Siç dihet Dervish Hima nuk kreu ndonjë shkollë gazetarie, por, kultura e tij e gjërë, njohja e realitetit e mbi të gjitha preokupimi e përkushtimi ndaj çështjes kombëtare bënë që ai t’i qasej shumë shpejt gazetarisë. Nuk e teprojmë të themi se ai do të bëhej shpejt njëra nga penat më të shquara të kohës. Shkrimet e tij briliante përfaqësojnë majat e publicistikës shqiaptre. Ato mbeten edhe sot modele trajtimi të problemeve të mëdha, me një gjuhë të thjeshtë, të pasur të kuptueshme. Shkrimet e tij dallohen për larminë e bukurinë e frazës, për stilin e thjeshtë e komunikativ e mbi të gjitha për qartësinë e thellësinë e mendimit, për përpunimin e spjegimin më kompetencë që u bën problemeve të mprehta të kohës, për mënyrën se si transmeton ato tek populli i vet dhe në opinionin ndërkomëtar.
Dervish Hima shkollën fillote e kreu në qytetin e lindjes, në Ohër ndërsa të mesmen në Selanik. Hyri në shkollën e lartë mjekësore-ushtarake të Stambollit, të cilën për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane, e ndërpreu pas du vitesh. Në vitin 1895, fshehurazi u kthye në Shqipëri, ku punon për të përhapur idetë kombëtare dhe për çeljen e shkollave shqipe në vise të ndryshme të vendit. Më 1897 largoet nga Shqipëria dhe shkon në Bukuresht, ku iu kushtua tërësisht Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe u lidh njëkohësish me levizjen xhon turke. Pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Pejës, “Besa-Besë” në vitin 1899, Hima botoi në Bukuresht thirrjen turqisht “Të zgjohemi”(UJANALLËM), në të cilën pasqyroi programin e saj kombëtar. Me kërkesën e Portsë së Lartë u ndoq nga Rumania dhe shkoi në Itali. Në Kongresin e orientalistëve në Romë më shtator-tetor të 1899 mbrojti [ështjen shqiptare. Pasi largohet nga Roma i ndjekur nga qeveria Italiane vendoset në fillim në Paris dhe pastaj në Gjenevë, ku iu kushtua gazetarise shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Turqve të rinjë që u mbajtë në Paris më 1902, ku së bashku me Ismail Qemalin, Hamdij Bej Ohrin etj., mbrojti të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të shtypur të Perandorisë Osmane.
Pas revolucionit xhon turk të 1908 u kthye në Shqipëri, ku kundërshtoi politikën antishqiptare të xhonturqve. U arrestua në Shkodër nga xhon turqit që u detyruan, nën presionin e atdhetarëve shqiptarë, ta lirojnë pas katër muajsh burgimi në Selanik. Në udhëtimin që ndërmori më 1909 në Tiranë, Durrës, Elbasanë, Vlorë, Berat e qytete të tjera punoi për përhapjen e ideve kombëtre, për çeljen e shkollave e të klubeve.
Në kongresin e Dibrës të 1909 bënte pjesë në grupin e atdhetarëve shqiptarë, dhe dha ndihmën e vet si delegate në kongresin e II të Manastirit. Udhëhoqi një nga çetat e Studentëve gjatë kryengritjes së Përgjithshme të 1912.
Në vitet 1913-1918 në mërgim e pastaj në atdhe luftoi për mbrojtjen e shtetit të pavarur dhe për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shtypit shqiptar.
Dervish Hima u formua nën ndikimin e ideve të rilindasve të mëndhenj si Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, etj. Duke ecur gjurmët e tyre, që në moshën fare të re ai do t’i përkushtohej tërësisht çështjen kombëtare e në këtë kuadër do të nisë debytimin e parë në fushën e publicistikës. Në një letër që i drejtonte mikut dhe bashkëluftëtarit të tij Ibrahim Temos mësojmë së sapo kishte lënë Stambollin e qe kthyer në atdhe, kishte dërguar një shkrim në gazetën “Meshveret” (Debatet) në të cilën përshkruan gjendjen e rëndë të mëmëdheut nënë Peranodirnë Osmane. Kjo gjendje shkruan Hima ka krijuar një dëshpërim të madh në popull. Çdo njeri prêt një shkëndi që ndez barut. Po ku është kjo shkëndi? Pyet autori. Në një shkrim tjetër të po kësaj periudhe Dervish Hima paralajmëron Stambollin për pasojat që mund t’i vinë Portës së Lartë për shkak të brutalitetit të politikës që ndiqej ndaj shqiptarëve.
Më pas në një varg shkrimesh të botuar në gazetat e njohura që dilnin në gjuhë të ndryshme e në vend të ndryshme si në Romë, Bruksel, Bukuresht e Gjenevë, ai çfaq edhe më qartë kredon e tij filozofike e cila përmbante dy shtylla patriotike e demokratike, mbi të cilat siç thoshte ai duhet të mbështetet fortë Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Idetë që parashtron Dervish Hima në shtypin e kohës ishin identike me ato të përpunuara me kohë nga iluministët dhe ideologët e revolucionit Francezë, Ruso, Didero, Monteskie, etj.
Shkrimet që Hima ka botuar në organe të ndryshme të kohës, kryesisht jasht vendit, kanë një vlerë të veçantë për të njohur epokën e ndritur të Rilindjes, por edhe rolin filozofik dhe aktivitetin e tij në këtë lëvizje të madhe politike e kombëtare. Rrethanat e kohë e detyruan që këto krijime t’i shkruante e t’i botonte kryesisht në gjuhën urke dhe një pjesë në shqip, frengjisht e italisht. Kjo është arsyeja që shumica e shkrimeve të tij është ende edhe sot pak e njohur, jo vetëm për opinionin e gjërë por edhe për studjesit.
Shkrimet publicistike të Dervish Himës përshkrohen nga një frymë optimiste, nga besimi i patundur në të ardhmen e kombit shqiptar, besim të cilin ai nuk e humbi edhe kur dergjej në qelit e errëta të burgut apo në kohët më të vëstira për fatet e kombit, kur hordhit e shteteve fqinje u dyndën në trojet shqiptare. Në të gjitha ngjarjet që përjetoi lëvizja kombëtare, ai u tregua i qartë e i vendosur në rrugën dhe në bindjet e tij. Në çdo periudhë apo rrethanë, sado e vështirë dhe e ndërlikuar, atë e gjemë të pozicionuar përkrah forcave dhe elementeve progresiste. Ai nuk u largua kurrë nga kjo rrugë e nuk u kthye kurrë para presioneve, ndjekjeve e persekutimeve, ndërkohë që hodhi poshtë çdo joshje apo premtim për poste e përfitime të tjera. Ai nuk bëri kurrë kopromise në kurriz të çështjes kombëtare. Moto dhe qëllimi i jetës së tij mbeti deri në fund shërbimi ndaj popullit dhe atdheut të vet. Dervish Hima përjetoi me gëzim shpalljen e Pavarsisë, për të cilën edhe ai kishte kontribuar, por njëherësh shfaqi shqetësimin për prirjet që binin ndesh me përpjekjet për përforcimin e pavarsisë dhe demokratizimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare,. Qëndrimet partikulariste përçarëse të forcave të errëta brenda në vend si dhe synimet grabitqare të shteteve fqinje që rrezikonin këto përpjekje, e brengosën thellë shpirtin e pastër të Dervish Himës. Ai vihej në ballë të përpjejkeve për menjanimin e rreziqeve që vinin si nga brenda dhe nga jashtë, me qëllim që vendi të ecte me vendosmëri në rrugën e konsolidimit të pavarsisë, të shtetit dhe gjithë jetës shoqërore, në rrugën e progresit të pandalshëm që ishte ëndërra, aspirate e qëllimi i jetës së tij.
Pas disfatës së Revolucionit të Qeshorit dhe rënjës së Qeveris së Fan Nolit në dhjetor të 1924, Dervish Hima u tërhoq nga jeta politike, sepse duke mbrojtur idetë demokratike, nuk u pajtua me idetë e Ahmet Zogut. Përveç kësaj në vitet e fundit të jetës, Dervish Hima lëngoi një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë e zemrës dhe e veshkëve.
Në shtratin e vdekjes e gjeti edhe Dr. Ibrahim Temo, i cili në mars të 1928 erdhi enkas në Tiranë për të parë mikun, bashkëvendasin dhe bashkëluftëtarin e tij të ngushtë të periudhës së Rilindjes.
Dervish Hima vdiq në Tiranë më 21 maj 1928, në moshën 56 vjeçare. U varros në varrezat e Bamit me nderime të mëdha. Midis atyre që folën për figurën e Himës qenë: mësuesi patrioti Mati Logoreci, Visar Xhuvani etj., kurse ndër kurorat dallohet ajo e vendosur në emër të “Djelmëria e Tiranës”.
Ishte populli i thjeshtë ai që ruajti si gjënë më të shtrenjtë në thellësinë e zemrës bëmat e atdhetarëve të shquar, në mesin e të cilëve shkëlqen edhe Dervish Hima nga Ohri.
Vendosja e demokracisë pluraliste në Shqipëri në vitet 90 të shek XX, krijoi të gjitha mundësit për të ngritur në lartësi të reja emrin dhe veprën e rilindasve dhe të gjithë plejadës të njerëzve të shquar që nuk kursyen asgjë nga vetja. U bë realitet ëndërra e bashkëkohanikëve të Dervish Himës, që figura e tij po zë vendin që e meriton në historinë e kombit tonë, ndërsa vepra e tij do të shërbej si shembull frymëzimi për brezat sot dhe në të ardhmen.
Për kontributin e madh që ka dhënë për çështjen kombëtare shqiptare, me Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, më 26 janar të vitit 1993, Dervish Hima iu dha titulli “URDHËRI I KLASIT TË PARË”.


Loading...
loading...