Reklamo ketu!

Dhjetë fakte që duhet t’i dimë për marrëdhëniet shqiptare-turke dhe Turqinë

  1. Republika e Turqisë dhe populli i saj janë aleatë të natyrshëm të kombit shqiptar, jo për shkak të fesë, por për shkak të traditës së gjatë të bashkëjetesës, bashkëpunimit mes dy popujve dhe bashkëqeverisjes së Perandorisë Osmane (së paku 39 kryeministra të kësaj Perandorie kanë qenë shqiptarë, nga të cilët vetëm dinastia shqiptare e Qyprilinjëve e udhëhoqën këtë Perandori afër 300 vjet), si dhe në krijimin e Turqisë moderne, ku shqiptarët kanë pasur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.
  2. Turqia është shteti i vetëm ballkanik në krahun e shqiptarëve, karshi bllokut të shteteve sllave-ortodokse, por edhe parner strategjik me shkallë të lartë besueshmërie si një nga shtetet anëtare dhe themeluese të Aleancës më të fuqishme politike ushtarake, NATO.
  3. Shqiptarët kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në krijimin dhe ndërtimin e Perandorisë Osmane, më vonë edhe të Turqisë moderne, sa edhe vetë turqit dhe popujt tjerë të këtij shteti, me ndërtimet grandioze që e kanë shndërruar Stambollin në metropol të botës, me hapjen e universitetit të parë laik, me hartimin e fjalorit të gjuhës moderne turke, tekstin e himnit të shtetit, enciklopedinë e parë shkencore, orientimin evropian të këtij shteti dhe vlera të tjera me rëndësi të veçantë për Turqinë.
  4. Shqiptarët kanë qenë ndër faktorët kryesorë për reformimin e shoqërisë dhe shtetit turk, si përmes Revolucionit xhonturk edhe me luftës për krijimin e Turqisë moderne, të udhëhequr nga gjeneralët me prejardhje shqiptare me në krye Mustafa Qemal Ataturkun.
  5. Shqiptarët në territorin e Turqisë së sotme janë popull autokton, të dëshmuar nga periudha pellazge, ndërsa shumë fise turke me prejardhje mongole-tartare, të dyndura nga thellësia e kontinentit Aziatik, kanë ardhur si pushtues në këto territore. Para ardhjes së fiseve turke në këto hapësira, një mijë e njëqind vjet përpara shqiptarët kanë udhëhequr me Perandorinë Bizantine në po këto hapësira, me kryeqytet Kostandinopojën, i emërtuar më vonë Stamboll, kryeqyteti i Perandorisë Osmane.
  6. Shqiptarët i kanë mbajtur shtyllat kryesore edhe të Perandorisë Osmane, ndërsa shumica e Sulltanëve të kësaj Perandoria kanë qenë dhëndurë, bijë dhe nipër të Serbisë dhe Rusisë (për këtë ka mjaft dëshmi shkencore të pakontestueshme). Kjo gjenealogji familjare e Sulltanëve ka reflektuar negativisht në politikën e këtij shteti, sidomos pas Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913), pas Luftë së Parë Botërore (1918-1939), e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore (nga viti 1945 e më vonë), kur qeveria e këtij shteti ka lidhur marrëveshje tinëzare dhe armiqësore ndaj shqiptarëve, me qeverinë e ish Jugosllavisë komuniste, përkatësisht me regjimin antishqiptar të Serbisë, për shpërnguljen e disa qindra mijë shqiptarëve nga trojet e veta etnike, nga Kosova, Sanxhaku, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe viset tjera shqiptare nën ish Jugosllavi.
  7. Shumica e personaliteteve të shquara të kombit shqiptar, që e kanë udhëhequr lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar, përfshirë edhe Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare dhe krijimin e Shtetit Shqiptar, kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me Stambollin, si qytet me numër më të madh të shqiptarëve gjatë asaj kohe, me forcat progresive të Perandorisë Osmane dhe më vonë të Turqisë moderne. Askush nuk mund ta mohojë se Ismail Qemali, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Hasan Prishtina, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Shahin Kolonja, Hamdi Bej Ohri, Vaso Pashë Shkodrani, Jani Vreto, Sheh Mustafë Tetova dhe shumë pashallarë e gjeneralë, u shkolluan, u kalitën dhe ndërtuan karrierë politike e ushtarake, me përkrahjen e forcave progresive përbrenda Perandorisë Osmane, kryesisht nga vezirët (kryeministrat) shqiptarë. Si dëshmi për këtë mund të shërbejë edhe qëndrimi i vetë Kryetrimit tonë kombëtar, Skënderbeut, i cili pas kthimit në Atdhe dhe luftërave të pareshtura për një çerek shekulli kundër Sulltanëve të kësaj Perandorie (dhëndurë të Serbisë e Rusisë), kurrë nuk e mohoi as e hoqi nga përdorimi emrin dhe gradën që kishte marrë më parë në Stamboll, përndryshe do ta kishte flakur atë, duke e quajtur veten vetëm si Gjergj Kastrioti, Princ i Arbërisë, Epirit dhe Maqedonisë, jo edhe si Skënderbe.
  8. Shqiptarët duhet ta konsiderojnë Turqinë si një nga aleatët e natyrshëm të kombit shqiptar, në radhë të parë për shkak të lidhjeve miqësore tradicionale mes dy popujve dhe të së paku 10 milionë qytetarëve me prejardhje shqiptare të këtij shteti, por jo të gjitha lëvizjet dhe partitë politike që vinë dhe shkojnë në pushtetin e këtij vendi, të cilat në të shumtën e rasteve, pas grusht-shteteve në dekadat e fundit, kryesisht u janë hakmarrë shqiptarëve vendës, elitave intelektuale dhe politike, sidomos oficerëve të lartë të ushtrisë, të cilët janë konsideruar si shtylla kryesore e mbrojtjes dhe sigurisë së këtij shteti.
  9. Shumica e burrështetasve të Turqisë, pas deklarimeve të tyre të hapura, ose ndërmarrjes së veprimeve konkrete në interes të çështjes shqiptare, sidomos pas vitit 1990 e deri më sot, janë likuiduar, helmuar, ose janë rrëzuar me dhunë nga pushteti.
  10. Turqia, si shtet i krijuar nga gërmadhat e një perandorie shumëkombëshe, nuk ka mundur t’ua pranojë të drejtat politike dhe kulturore të shqiptarëve, për arsye strategjike, nga frika se kjo do të krijonte pakënaqësi edhe te qytetarët me përkatësi etnike të tjera, të cilët përbëjnë shumicë të konsiderueshme në strukturën e përgjithshme të popullsisë së këtij vendi. Rrethanat e reja politike, ekonomike dhe kulturore, në këtë vend dhe në rajonin më të gjerë, doemos sjellin një erë të re integrimesh globale, ku edhe shqiptarët do të zgjohen në nivel kombi, për t’u mbledhur bijtë e shqipes anembanë botës, ku i kanë përplasur rrethanat historike, luftërat dhe katastrofat me përmasa shfarosëse.
  11. Forcat atdhetare dhe progresive në Turqi, me mbështetje të fuqishme edhe të qytetarëve me prejardhje shqiptare të këtij shteti, karshi forcave pro-ruse, pro-serbe, pro-sllave e pro-greke, të mbështetura nga Irani dhe disa vende arabe, anëtare të aleancave pro-ruse, edhe aktualisht janë në përplasje dhe konfrontim të ashpër e të vazhdueshëm mes tyre. Kjo betejë do të vazhdojë sigurisht edhe në të ardhmen, por shqiptarët jashtë Turqisë duhet të kenë kujdes se në cilën anë do të rreshtohen!

* Ky vështrim nuk ka tendencë t’i amnistojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Perandoria Osmane, as ka për qëllim idenë për rishikimin e historisë së popullit shqiptar për çështje që nuk ka nevojë as bazë shkencore, siç pretendojnë disa studiues dhe politikanë shqiptarë, të cilët janë në shërbim të forcave antishqiptare, në vendin tonë dhe brenda shtetit të Turqisë, siç janë trajtuar në këtë shkrim.

Abdulla Mehmeti