Diaspora me 1 miliardë euro shpëton shtetin

Ministri për Diasporën, Edmond Ademi, thotë se shifrat e fundit tregojnë për rreth 460 milionë euro në nivel vjetor, mjete këto që vijnë nga remitencat e diasporës. “Këto janë mjete që hyjnë nëpërmjet sistemit të bankave apo ‘Money transfere’. Mirëpo, jozyrtarisht – meqë kemi edhe kesh, janë diku 800 milionë, madje disa vite edhe në 1 miliardë euro kanë arritur…”, thotë Ademi

Shkup, 12 shkurt – Remitencat nga diaspora që marrin qytetarët e vendit luajnë rol të rëndësishëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Madje, në shumë familje remitencat janë burimi i vetëm i të ardhurave të tyre dhe ndikojnë dukshëm në standardin e jetesës, shkruan gazeta KOHA. Të hyrat nga jashtë, që zyrtarisht janë mbi 400 milionë euro në vit dhe jozyrtarisht ndonjëherë arrijnë shifrën prej 1 miliard euro, sipas ministrit për Diasporën, Edmond Ademi, janë injeksion i fuqishëm për ekonominë e vendit.

“Të dhënat formale nga remitencat që vijnë nga diaspora lëvizin nga viti në vit, mirëpo shifrat e fundit janë diku 460 milionë euro në nivel vjetor. Bëhet fjalë për remitenca që kanë hyrë në Republikën e Maqedonisë nëpërmjet sistemit të bankave apo ‘money transfere’. Mirëpo, jozyrtarisht meqë kemi edhe kesh që hyn në Maqedoni – janë diku 800 milionë, madje disa vite edhe në 1 miliardë euro kanë arritur… që do të thotë që është një injeksion shumë i madh financiar dhe që e ndihmon ekonominë e Maqedonisë dhe mu për këtë shkak, mendojmë dhe vlerësojmë se është me rëndësi që diaspora të kyçet në gjithë proceset e shtetit, sepse në njëfarë mënyre përkrah ekonominë e vendit çdo vit me remitencat që i dërgojnë në Maqedoni”, tha për gazetën KOHA, ministri Ademi. Jozyrtarisht, mbi 500 mijë qytetarë të Maqedonisë jetojnë jashtë – në vende të ndryshme të botës, tha më tej Ademi. “Për fat të keq, nuk e dimë sa diasporë kemi… kalkulojmë me numra të ndryshëm, mirëpo informatat janë se midis 500 mijë apo 600 mijë janë jashtë vendit. Sidoqoftë, sot në një kohë kur bota është globale, lëvizjet janë të përditshme në vende të ndryshme dhe nuk është aq lehtë të definohet ku saktë sa janë. Është një çështje që duhet ne si shtet dhe Qeveri të dimë, dhe mendojmë se është proces që duhet të realizohet, mirëpo është proces që zgjat, pra nuk mundet brenda gjashtë muajve apo një viti ti numërosh. Sepse, ke persona që shkojnë për 1, 2, 3 muaj dhe kthehen, ka persona që shkojnë për 6 muaj e kthehen, ka kategori të ndryshme që duhet shikuar në gjitha aspektet”, u shpreh Ademi për KOHA.

In : Aktuale

Loading...
loading...