“El Çeka” nuk heziton, publikon përgjime të reja

Pavarësisht sulmeve të shumta nga hakerët dhe raportimeve për mbylljen e disa profileve të publikuesit të “bombave” të reja kundër BDI-së, “El Çeka”, nuk ka pritur madje as edhe një ditë, por ka hapur profile të reja në Facebook dhe faqe interneti. “El Çeka” ka publikuar “bomba” të reja, edhe atë biseda të fuqishme me përmbajtje skandaloze.

Në një nga përgjimet e fundit dëgjohen dy zyrtarë të lartë të BDI-së, dëgjohet se si kurdisen vendet në gjyqësor. Kushti për emërim të gjyqtarit, në bazë të bisedës është që familja e gjyqtarit të votojnë për BDI-në, e jo për “parti tjetër”. Për këtë, ata kërkojnë garanci të forta nga një zyrtar i tretë nga e njëjta parti, i cili është një i afërm i një kandidati gjyqëtari, përcjell Gjurmë.

Në përgjimet e publikuara ditëve të fundit, dy zyrtarë të lartë të BDI-së dëgjohen duke diskredituar e ofenduar intelektualët shqiptarë nga Tetova. Në një bisedë që lidhet me dështimin e regjistrimit, fyhen akademiku Abdylmenaf Bexheti, ndërsa në një tjetër bisedë është duke u përgatitur një fushatë kundër ish-deputit më aktiv, njëherit edhe anëtar aktual i Akademisë, Izet Zeqiri. Në këtë bisedë, udhëheqësia e BDI-së po planifikon një përçarje familjare në familjen Zeqiri.

Në bisedën e tretë të njëjtët zyrtarë bisedojnë edhe për ish-ambasadorin Mahi Nesimi, duke e fyer dhe se duan ta largojnë nga vendi i punës për shkak të deklaratave të tij në media në të cilën ai kritikoi qeverinë e VMRO-DPMNE dhe BDI.

Në shumë biseda të tjera, krerët e partisë shqiptare në pushtet diskutojnë me një fjalor fyes edhe për bashkëpartiakët e tyre. Ndryshe, në “bombat” e “El Çekës”, personat që përfshihen janë Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi. /CivilMedia/

In : Aktuale

Loading...
loading...