Fatos Lumani,kompozitori nga Struga do emerohet drejtor i Ansamblit Shqiptar

Kompozitori Fatos Lumani do të jetë drejtori i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoni, thonë për KDPolitik.com burime të besueshme qeveritare.

Ky Ansambël u themelua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e saj të 57 – të të mbajtur në mars të këtij viti.

Lumani është kompozitor i njohur në gjeografinë shqiptare dhe më gjerë. Ai lindi në Strugë ne vitin 1983. Kontaktet e para me muzikën i pati që në moshën 11 vjecare, kur mori edhe mesimet e para në instrumentin e kitarës. Në periudhën e viteve 1998-2002 u regjistrua dhe e kreu me sukses shkollën e mesme të muzikës ”Ilija Nikolovski Luj”, paralelja e Tetovës.

Më 2002-2003 Lumani konkuron dhe fiton konkursin për të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve në Tiranë, Fakulteti i muzikës, specialiteti kompozicion, në klasën e Prof. Thoma Gaqi. Diplomohet në 2006 me veprën sinfonike “Simfonieta” dhe mbi bazë të suksesit që tregoi në katër vitet e studimi ai emërohet si pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë 2006/2007 (asistent në lëndët harmoni, kontrapunkt, teknikë seriale) dhe në 2007/2008 ligjërues i lëndës Teknika Aleatorike. Po në këtë vit Lumani përfundon studimet master duke mbrojtur temën në analizë forme “Kreshendoja artistike te Witold Lutoslawski”.

Në vitin 2009 – 2010 zgjidhet Shef i Programit Studimor “Art Muzikor” në Drejtimin e Muzikës pranë fakultetit të Arteve në “Universitetin Shtetëror të Tetovës” ku dhe sot ligjëron lëndët “Harmoni Analitike” dhe “Analizë Forme”.

Ai ka marrë si kompozitor disa çmime dhe ka qënë pjesëmarrës në disa festivale, ku ndër to vlen të përmënden: çmimi i dytë në konkursin ”Çesk Zadeja” në Tiranë (2004) me veprën “Temë Variacionale” dhevendi i dytë në konkursin për Himnin e Republikës së Kosovës, që u organizua nga qeveria e Kosovës në Prishtinë (2008), në festivalin ndërkombëtar ”Remusica” në Prishtinë (2003-2011), në ”Ditët e Muzikës Maqedonase” në Shkup (2005-2011), në ”Festivalin e Krijuesve të Rinj” në Tiranë (2005).

Përveç aktivitetit si kompozitor profesionist i muzikës serioze Fatos Lumani është marrë edhe me aktivitete artistike që i përkasin muzikës argëtuese, ku ka qenë juri ne festivalin Mikrofoni i artë 2004 dhe 2005. Gjatë viteve 2005-2006 ai edhe ka kompozuar muzikën e filmave Prapa territ dhe Një rreze mbi Sharr, muzikë për teatër, muzikë të lehtë dhe muzikë për femijë.