Festat e Nëntorit, Pa ty i dashuri Skënder Ahmeti

Vështirë pa ty i dashuri ynë o mjeshtri i kremteve.
Po të shkruaj përsëri o mësuesi im i shtrenjt, sërish në këto ditë nëntori me shi, që më ndez shpirtin e djegur për një akord tëndin ndër vite, për një dirigjim, për një kremte plot hieshi, të cilave u prije Ti, ashtu siç edhe festa kish kupti, ashtu siç dije ta bëje Ti, ashtu siç shumë kush ta kishte zili.
Po ti shkove dhe na le me dhembje që na djeg në gji. U mundova të të shoqëroj derisa u shove, për të larë sadopak një borxh timin moral për sa bëre për të gjithë dhe për të rehabilituar një pjesë të atyre që shkelën mbi dinjitetin tënd me mosmirënjohjen e tyre. Të lutem mos ua kujto për të keq nga bota jote e amshuar, të lutem fort.
Më thuaj i madhi Skënder: kush më shumë se ti është mëshirues?! Prehu i qetë, je i pavdekshëm kundruar të harruarve në të gjallë.
Të kujtojmë këto ditë se s’kemi me kë t’i këndojmë Vlorës, t’i këndojmë Flamurit, të jehojë “Eja mblidhuni këtu, këtu” të kujtojmë Krujën legjendare për t’u prehur pak e të përgatitemi për 7 Marsin o mësuesi ynë i dekadave. Të kujtojmë këngët memece të “Migjenit” që s’ka kush t’i këndojë. Ne jemi në zi o i madhi doajen buzëdrinas. Të kujtojmë me mall dhe na kaplojnë lotët që na shkojnë çurkë faqeve, fjalët na mbeten në fyt. Na mungon burrëria për ta çuar amanetin tënd më tutje. Sa të vogël ndjej veten kundruall madhështisë sate dhe shkrimi më del i zbehtë. Kaq të pa fuqishme ndjej penen për të shkruar. Ishe dhe mbete Ditiramb i viteve që le pas. Mbete tribun dhe kalorës i palodhshëm. Tani kur Struga duhet të jehonte në vigjilie të 50 vjetorit nga formimi i “Migjenit” (1967-2017) ajo është e zymtë dhe bonjake pa ty që i prije ndër dekada. Është e vdekur e pa qarë, mbetur në udhëkryq se s’ka një dorë ta përtrijë. Të mjerët ne. Për “Migjenin” dikush edhe më pyet po si puna e “Vajeve” të Çajupit kthej kokën mënjanë se më mbysin lot e s’përgjigjem dot. Dhashtë zoti o i madhi Skënder, vitin tjetër të jetë ndryshe për ata që do të jenë gjallë, se s’i dihet. Mbetem me shpresë sado që realiteti është ky, që më bën të psherëtij me dhembje në gji, në këtë nëntor me shi.
***
Zgjodha të të shkruaj më pak se e madhe është vepra që le, kush mund të matet me të. Ishe i madh, duroje dhembjet e të tjerëve duke i shpërblyer me kryeveprën që dhe. Këtë vit do të jem pa ty në kremten e Ditës së Alfabetit, të Muajit të Librit dhe Festës së Flamurit pa këngën që na vlonte në gji. Më ndje o mësuesi im i jetës. Mandolin ime fle e fashitur me telat e ndryshkur. Tingëllima e saj nuk ndihet më.
Pa ty Struga është e zymtë dhe e varfër për një doajen, për nje dirigjent, për një mësues, prind e gjysh, për një babaxhan. Më ndje!

Nëntor 2017
Tahir Hoda/Strugalajm.comStrugaLajmStrugaLajm


Loading...
loading...