“Fjalori” i gjemborit  

Leksikografi

“Fjalori” i gjemborit  

Kur dëgjojmë apo lexojmë një fjalë që s’e kuptojmë,- aty ështe fjalori!

Më rastis dhe mua për çdo ditë dhe sa shumë gëzohem kur shoh se sa gjëra mund të mësoj edhe përkundër karrierrës së përmbyllur, sa mirë shoh se njeriu nuk është i gjithdishëm dhe ka nevojë e ndjen uri për dieni, që do të thotë rron për të mësuar.

Këtë herë lexues i dashur vendosa të të shërbej edhe Ty, duke të prezantuar disa fjalë që m’u dukën me interes nga “fjalori i gjemborit”. Lexoi me vëmendje (të kam rixha).

  1. Abanoz.- dru i fortë që i përshtatet kurrizit të të dëgjueshmit para Sulltan – padronit të partisë.
  2. Abat.- i pari i mëhallës në parti,- i afërt me Sulltanin, që prore endet në ambientet e Sulltanatit për të bërë pak karrierrë e shumë pasuri.
  3. Abazhur.- flakadan që ndriçon rrugën e prijësve të verbër në krye të grigjes së deleve (me dy këmbë) e që ecin (madje) vertikalisht.
  4. Abstenim.- heq dorë nga bindjet e mia sepse ka ardhur koha të mos na hyjë në punë koha. Le t’ia falim bariut që të na e qethi e të bëjë si të dojë me leshin tonë. Kemi shkuar për lesh.- sado që ka rënë çmimi për shkak të hiperprodukcionit por që i hynë në punë partisë dhe lidershipit.
  5. Abstrakt.- pallës (pëllitës) si tellalli, fjalë që dalin nga politikani në tribunë pa asnjë kuptim po ama plot premtim. Fjalë si llozi i Arkimedit – si një pikëmbështetje për të përmbysur botën – kundruar oponentit politik, në këtë rast përmbys turmën (ne) si t’i dojë kokrra e qefit dhe interesi i liderit, mjaft që t’i shërbeje klanit të tij – Sulltanit të madhërishëm që ta kemi për jetë.
  6. Absurd.- pse s’kuptoni gjë nga “platforma, sakrifica, heroizma, patriotizma, izma- izma-izam e Sulltanit!” sa të trashë që jeni?!… Megjithatë ju dua se më hyni në punë edhe kështu siç jeni, – thot Gjergj Elez Alia jonë. Trim i mirë me shokë shumë ( jam unë),- thot ai.
  7. Abuzim.- kur shitni votën tuaj me interes të Abaz Aliut. Mosmirënjohës që s’dinë të çmojnë vlerat e kombit , s’dinë të mbajnë në dorë bastonin e liderit të (Partisë Nënë) nën sqetull pa u thyer; keqpërdorues të vetvetes (haramzade).
  8. Acar.- të rënit nga shiu në breshër duke rrethuar numrin e fletëve të votimit sa majtas aq djathtas pa e qelluar, gjuajtës të verbër. Mirë t’ju bëhët kur nuk shihni me mendje por me sy miopësh; erë e fortë kur dimri u bëhët bëhari pa çka se për ju s’ka dru zjarri (Sulltani çdo gjë e do për vete dhe sojin e tij).
  9. Admirim.- kur Sulltanit goja i pikon mjaltë si ai i Çajupit e Ti ndjen jargët nga lakmia e “përallave të Nastradinit” si llampa e Alajdinit të 1001 netëve që (s) ndriçon rrugën e të verbërve si Ne.
  10. Analfabet.- ligjërues në universitetin ku bleve diplomën dhe titullin shkencor.
  11. Avokat.- gënjështar i diplomuar sipas zanatit që ushtron; njeri që “të mbron” në gjyq për “veprën” penale.

Kaq o lexues se të lodha, ndjesë për kohën e humbur. Po e ndërpres para numrit 12 pas të cilit vjen ai “tersi” sepse druaj mos na shkojë huq i tërë shkrimi pa pretenduar se kush e di se ç’kam bërë, megjithatë …!? Shpresoj se diçka mund t’ju shërbejë. Çfleto fjalorin se mund të gjesh sende të mira që ta zhvillojnë imagjinatën për të vazhdura këtu ku mbeta unë. Punë të mbarë o lexues! Po dole i zhgënjyer unë nuk mbaj përgjegjësi. Zemroju vetes (jo pasqyrës) që na i nxjerr shëmtitë në shesh. Ndjesë për sa më lart, për kohën e humbur. Më ndje.

Me respekt dhe korrektësi.

 Tahir Hoda                                Nëntor 2018


Loading...
loading...