Flamuri shqiptar në Mal të Zi, dhjetëfish më i avancuar se në Maqedoni

(Në Mal të Zi, flamuri shqiptar mund të përdoret lirisht në komunat dhe vendbanimet ku ata përbëjnë 5 për qind të popullsisë, ndërsa në Maqedoni flamuri shqiptar mund të përdoret vetëm në komunat dhe vendbanimet me mbi 50 për qind të popullsisë shqiptare. Kjo është pasqyra e politikanëve që i përfaqësojnë shqiptarët në këto dy shtete.)

Nga, Abdulla Mehmeti

Me ndryshimet e reja të Ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare në Mal të Zi, do të mundësohet që flamujt e pakicave kombëtare në këtë shtet të përdoren edhe në komunat dhe vendbanimet ku pjesëmarrja e tyre është 5 për qind.

Kështu, përdorimi i lirë i flamurit shqiptar nuk do të jetë vetëm në Tuz dhe Ulqin, por edhe në Plavë, Guci, Tivar dhe Rozhajë.

Përderisa në Mal të Zi e drejta për përdorimin e simboleve kombëtare të pakicave është avancuar dukshëm, kjo e drejtë në Maqedoni vazhdon të mbetet dhjetëfish më diskriminuese, përkatësisht, në Mal të Zi pakicave u garantohet e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare në komunat dhe vendbanimet ku ato marrin pjesë vetëm me 5 përqind, kurse në Maqedoni kjo e drejtë shqiptarëve dhe pakicave të tjera kombëtare u garantohet vetëm në komunat dhe vendbanimet ku ato përbëjnë mbi 50 përqind të popullsisë.

Përveç kësaj, përderisa në Mal të Zi nuk cënohet madhësia e flamujve të pakicave, në Maqedoni, sipas ligjit aktual madhësia e flamurit shqiptar dhe flamujve të pakicave të tjera, në krahasim me flamurin shtetëror kufizohet me dimensione më të vogla për 1/3 e madhësisë normale.

(1 gusht 2017)

Për më tepër, si është e rregulluar kjo çështje me ligj në Republikën e Maqedonisë, në vazhdim mund të lexoni pjesë nga një analizë më e plotë për këtë çështje:

***
Ligji për përdorimin e flamurit shqiptar në Maqedoni, i cenon të drejtat themelore qytetare dhe kombëtare

Në vitin 2005 u soll Ligji për përdorimin e flamujve të bashkësive (etnike) në Republikën e Maqedonisë, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve të të gjitha bashkësive etnike në këtë shtet, por pa theksuar në mënyrë të veçantë se për flamujt e cilave bashkësi etnike bëhet fjalë.
Për dallim nga ligji i vitit 1973, me të cilin rregullohej çështja e përdorimit të flamujve në nivel të kësaj ish republike jugosllave, si e flamurit republikan dhe e kombësive, me emërtim të saktë të tyre sipas përkatësisë etnike.

Me sjelljen e ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2005, jo që nuk u zgjidh në mënyrë të drejtë përdorimi i flamurit shqiptar, por edhe më tepër u përkeqësua mënyra e përdorimit të tij, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e tij, të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, më 18 korrik 2011.

Përderisa në nenin 6, alineja 1, të Ligjit për përdorimin e flamujve, i vitit 1973, thuhej:

,,Pjesëtarët e kombësisë shqiptare, turke dhe kombësive të tjera e grupeve etnike, dhe përfaqësuesit e kombeve të tjera të RSFJ, flamurin e kombësisë, grupit etnik, përkatësisht të republikës socialiste, mund ta përdorin lirisht në të gjitha rastet për të cilat është paraparë përdorimi i flamurit të RSM”.

Ndërsa, në lidhje me dimensionet e flamujve të kombësive, në radhë të parë të flamurit shqiptar, në nenin 8 të këtij ligji thuhej:
,,Dimensionet e të gjithë flamujve, gjatë përdorimit të njëkohshëm të tyre, patjetër duhet të jenë të barabarta”.
Për dallim nga këto përcaktime, me Ligjin për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, të vitit 2005, në asnjë rast nuk përmenden bashkësitë etnike, as asaj shqiptare, të cilave u njihet kjo e drejtë.

Për aq më tepër, me sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, në vitin 2011, u cenua rëndë e drejta e përdorimit të këtij flamuri në vendbanimet dhe komunave ku shqiptarët përbëjnë më pak se 50% të numrit të përgjithshëm të popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale (komunë).

Sipas neneve 2, 3, 4 dhe 5, të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive, të vitit 2011, pas fjalës ,,pjesëtarët e bashkësisë”, u shtuan fjalët:

,,që janë më tepër se 50% e popullsisë në atë njësi të vetëqeverisjes lokale”.

Ndërsa në nenin 6, thuhet: ,,Pas nenit 8 shtohet neni 8-a, i cili thotë:

„Neni 8-a
Flamuri i Republikës së Maqedonisë ngrihet me flamuj të tjerë në pajtim me ligjin dhe është me dimension më të madh nga flamujt tjerë për një të tretën.“

Shqiptarëve në Maqedoni, përveçse me këtë ligj u mohohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar në nivel të shtetit, kjo e drejtë u mohohet edhe në komunat ku nuk përbëjnë mbi 50% të popullsisë.

Po me këtë ligj, flamurit shqiptar, si edhe flamujve të bashkësive të tjera etnike, u janë zvogëluar dimensionet për 1/3 e tyre, në të gjitha rastet e përdorimit, sidomos gjatë përdorimit përkrah flamurit shtetëror të Republikës së Maqedonisë.


Loading...
loading...