Gajret nga Struga,shpallet kompania me rritje më të shpejt nga OEMVP-ja

Në renditjen e këtij viti të kompanive më të suksesshme, në vendin e dytë është renditur kompania Alma-M,në vendin e tretë është kompania Kiper, në vendin e katërt është kompania Neptun dhe në vendin e pestë është kompania Dauti Komerc

Shkup, 8 nëntor – Top 100 kompanitë më të mëdha, anëtare të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, vitin e kaluar kanë shënuar trende pozitive të punës. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat e dyfishimit të investimeve prej 23 milionë euro në vitin 2017, në 42 milionë euro në vitin 2018 në një periudhë jo aq të përshtatshme për investime. Gjithashtu ato kanë punësuar edhe 8752 punëtorë që paraqet një rritje prej 590 të punësuar në raport me vitin paraprak, ndërsa kanë shënuar rritje prej afër 28 milionë euro të qarkullimit, shkruan gazeta KOHA.

Në vitin e nëntë të shpalljes së kompanive më të mira apo në prag të dhjetëvjetorit të këtij jubielu, OEMVP ka shpallur kompaninë prodhuese metalurgjike nga Gostivari “Vardar Dollomit” si më të suksesshmen në vitin 2018.

“OEMVP në periudhën e kaluar ka rritur nivelin e saj edhe në saje të anëtarësisë së saj, punës dhe projekteve, tanimë është etabluar si institucion i rëndësishëm. Nëse në fillimin e punës së saj u shënua me grante private, si dhe me ndihmën e BE-së dhe USAID, tani sot ajo është një partnere e Forumi ekonomik Botëror, që edhe në të ardhmen do të rrisë edhe më tej ndikimin e saj”, thotë kryetari i saj, Nebi Hoxha. Sipas tij, pa zërin e biznesit nuk mund të ketë një ekonomi të shëndoshë. Gjithashtu, përderisa në BE politikat e dëgjojnë biznesin, në Ballkanin Perëndimor kjo lë për të dëshiruar.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ka theksuar se janë angazhuar në 30 muajt e kaluar të mbështesin një ekonomi të qëndrueshme në suaza afatgjate, që nuk do të varet nga shteti dhe qeveria. “Një nga masat në këtë drejtim ishte edhe barazimi i investitorëve të huaj dhe vendor, si dhe mbështetja financiare prej 180 milionë euro në vitin 2018 me mbi 120 kompani. Sfidë mbetet sundimi më i madh i ligjit, arsimi si dhe rritja e konkurrencës dhe e vlerës së shtuar në eksport etj”, shtoi më tej Angjushev.

Ndryshe në renditjen e këtij viti të kompanive më të suksesshme në vitin e kaluar në vendin e dytë është renditur kompania Alma-M,në vendin e tretë është kompania Kiper, në vendin e katërt është kompania Neptun dhe në vendin e pestë është kompania Dauti Komerc. Si kompani me rritje më të shpejtë në vitin e kaluar është shpallur kompania Gajret nga Struga, si biznes i udhëhequr nga një femër është kompania Uniqa Life, ndërkaq si kompani në tregun e ri global është kompania Sllajs. Çmimet u ndanë në manifestimin që ka për qëllim që të shpërblejë më të suksesshmit dhe të promovojë rezultatet më të mira të kompanive nga viti i kaluar.

In : Aktuale

Loading...
loading...