Reklamo ketu!

Gruevski “arratiset”; Bakiu: Shteti është në provë

Ndërsa të mërkurën pritet të skadojë afati, prej tre ditësh autoritetet maqedonase janë vënë në kërkim të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski për t’i dorëzuar atij vendimin refuzues për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me dy vjet burg për rastin “Tanku”.

Mediat maqedonase bëjnë të ditur se seanca gjyqësore e parashikuar të mbahej të hënën, për ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski është shtyrë, për të mërkurën, pasi ky i fundit nuk gjendet dhe nuk është paraqitur as ditën e sotme para komisionit të gjykatës për të pranuar vendimin.

Ndër akuzat kryesore që rëndojnë mbi Gruevskin janë ato të shpërdorimit të detyrës për rastin e blerjes, për nevojat qeveritare të makinës luksoze ”Mercedez” në një vlerë prej 600 mijë euro, e njohur si çështja “Tanku”

Për çështje në fjalë, foli sot në një lidhje telefonike për Report TV, analisti Qashif Bakiu, i cili deklaroi se kanë kaluar 48 orë, ndërsa ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, nuk është paraqitur, për të pranuar vendimin e Gjykatës maqedonase e cila i ka refuzuar kërkesën e tij për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg. Sipas analistit Bakiu, aktualisht shteti maqedonas ndodhet përballë një sfide të madhe pasi është koha që shumica e zgjedhur përfaqësuese në Maqedoni, të tregojë se shteti ligjor funksion duke vënë para përgjegjesisë të gjithë ata që e shkelin atë.

“Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga vendimi dhe Gruevski nuk është paraqitur për të vuajtur dënimin e tij. Nëse ai nuk paraqitet në mënyrë të vullnetshme atëherë autoritet do të duhet të marrin një hap tjetër që është edhe masa e kërkimit ndërkombëtar. Cili eshte roli i ndërkombëtarëve për rastin në fjalë. Maqedonia dhe qeveria përfëqësuese është përballë një sfide të madhe. Këtu vihet në pikëpyetje nëse shteti ligjor ekziston, do të funksionojë apo nuk do të funksionojë shteti ligjor. Këtu do të mund të vërtetohet se sa serioze është kjo shumicë parlamentare, nësë kjo shumicë parlamentare është serioze për të bërë atë ndarjen e shtetit ligjor, për mosndikimin e politikës në sistemin gjyqësor. Ky proces ecën paralelisht me procesin e ndryshimeve në kushtetutën e Maqedonisë,si rezultat e marrëveshjes së Prespës ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë”, ka theksuar, Qashif Bakiu, analist.

Kujtojmë, se para se t’i refuzohet kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, ish-kryeministrit Gruevski Kuvendi i Maqedonisë nuk kishte arritur të siguronte dy të tretat e votave për t’i hequr mandatin e deputetit.

Ndërkohë sipas mediave maqedonase po aludohet në lidhje me mundësine e largimit të Nikolla Gruevskit, nga Maqedonia por kjo nuk është konfirmuar ende nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë.