Heronjtë e sokakut tonë

Anquilla non capit muscas” ( Shqiponja nuk gjuan miza.Njeriu i madh nuk merret me gjëra të vogla)

shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Ditët që shkuan ishin vërtetë dramatike për shkak të ngjarjeve makabre në Kuvend, ama ato njëkohësisht shenjuan shtegun nëpër të cilin Maqedonia duhet ecur nëse dëshiron të shkëputet nga fryma e primitivizmit mesjetar dhe urrejtjes që me vite po i imponohet nga qarqe të caktuara politike. Por, siç ndodhë zakonisht ndër ne, akoma pa u tha gjaku dhe pa u shëruar plagët e deputetëve të sulmuar, filluan bosh llafet e thashethemnajat morrën dheun:

“Pse ky u rrah më shumë dhe pse ai tjetri më pakë, filani qëndroi kurse fisteku iku, këta ishin koordinuar me sulmuesit, ata u dëshmuan si tradhëtarë,njëri nuk dinte as hymnin ta këndojnë, tjetri ishte fshehur në shtëpi, filani e kishte bërë me UDB-në e Beogradit skenarin e sulmit, jo po fisteku e kishte bërë …” Blla,blla,blla dhe blla,blla,blla.

Patriotizmi i nënkuptueshëm

Po më kujtohet, i ka kjo punë njëzet e kusur vjetë, një gazetar sikur donte të provokojë politikanin slloven Janez Jansha duke i thënë se populli i tijë nuk u tregua fortë trim e patriot gjatë përplasjeve me ushtrinë jugosllave në kohën kur Jugosllavia po copëtohej. Jansha , atëbotë ministër i mbrojtjes, u përgjegj: “ Ne Sllovenët nuk i kuptojmë patriotizmin dhe trimërinë si leckë për të fshi hundët dhe nuk flasim shumë rreth asaj teme, ne e nënkuptojmë patriotizmin, ai është thellë i ngulitur në vetëdijen tonë. Dhe, sa për dijeninë e juaj, po ju them se gjatë tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Sllovenia, prapa perdeve të çdo banese e shtëpie sllovene nga një tytë ishte e drejtuar drejtë kolonave që po tërheqeshin …”

Ja ku janë njëzet e kusur vjetë më vonë Sllovenët “frikacakë e jopatriotë” dhe ja ku jemi ne të tjerët që një jetë të tërë po e vejmë në kandar trimërinë dhe patriotizmin tonë karshi atij të kundërshtarëve tanë politikë, karshi fqinjëve dhe miqve.Po na ngulfatë era e bërllogut që vetë po e

krijojmë , jeta jonë është bërë horror që po mbytë perspektivën e pasardhësve tanë e ne po vazhdojmë të rrahim gjoks me atdhedashurinë fiktive dhe dashurinë e zhurmshme për kombin. Ndërkohë, atdheu dhe kombi po vajtojnë për një grimë mençuri dhe për pakëz veprim të përbashkët. Asgjë tjetër nuk po duan atdheu e kombi, përtej hundës ju ka ardhur patriotizmi i llafeve boshe, bajraktarizmi dhe lokalizmi ynë që po përcjellen me ndërkëmbëza dhe goditje nga më të ndyerat që po ia adresojmë njëri tjetrit.

Mjerisht, një atmosferë e këtillë po mbretëron ndër ne edhe në këto kohë vendimtare në të cilat po pritet të ndryshojë kursi politik i Maqedonisë, kurs ky të cilin në masë të madhe kemi rastin t’a orientojmë vetë.Është i dhembshëm deri në palcë fakti që pikërisht ata që do duhej të reflektojnë mbi popullin, po i krijojnë përçarjet dhe grindjet. Dëgjoni debatet e politikanëve dhe analistëve tanë, hudhni një sy mbi mediat tona, lexoni shkaravinat e bashibozukëve që dëshirojnë të përfitojnë nga hallakama e krijuar ditëve të fundit në Maqedoni. Do konstatoni një kaos të përgjithshëm.

Të marrim shembullin e Zijadin Selës, që është dëshmia më e fuqishme e shtrembërimeve që po na servohen e që ne po i pranojmë pa i sistemuar fare në vetëdijen tonë. Pra, Zijadini u bë hero! U bë hero sepse ishte viktimë e brutalitetit kafshëror të një mase të dirigjuar nga një politikë shoveniste. Cfarë zhvlerësimi për një politikan perspektiv. Unë kam bindjen se Zijadin Sela është hero për arrsye krejtësisht tjera, është hero për shkak të përcaktimeve dhe qëndrimeve politike, për shkak të vizionit dhe aftësisë për të profiluar një ide kryekëputë kombëtare, për shkak të guximit për të thënë publikisht dhe pa ekuivoke atë për të cilën e ka votuar elektorati i vetë, për shkak të gadishmërisë të bashkëpunojë me subjektet tjera politike shqiptare. Këto gjëra, po që e bëjnë një hero Zijadinin. Dhe, këto gjëra janë të nënkuptueshme për një patriot, siç do thoshte Janez Jansha.

Njerëzit që bëjnë diferencën

Në vrapin tonë të pakontrolluar për të prodhuar heronjë e antiheronjë, tradhëtarë e patriotë, guximtarë e qyqarë, të gjithë ne sikur po harojmë një gjë substanciale në këtë situatë që i gjason një turlitave me afat të skaduar.

Cka po harojmë ne ?

Të gjithë ne, pa përjashtim, po harojmë njeriun e rëndomtë, atë shqiptarin e mirë dhe muslimanin e devotshëm të sokakut tonë i cili zhvillimet e fundit po i përcjellë me ankth, i lënë në mëshirë të Zotit e të askujt tjetër. Ne po e harojmë heroin e sokakut tonë që me pensionin minimal dhe ,me ndihmën qesharake sociale i bënte dhe akoma po i bën hesapet që kursesi nuk po i dalin tamam, nuk po i mjaftojnë për pakë më shumë miell e vaj me të cilat do të siguronte familjen në rast se “këta të rrugëve do ia mësyejnë mahallave tona”.

Në fakt, mendoj se heronjtë tanë të vërtetë janë pikërisht këta njerëz të haruar, të padukshëm e të pazëshëm, këta që vetë, pa i organizuar askush dhe pa ju dhënë kurfarë instruksionesh, po tubohen

odave të tymosura dhe po i qajnë hallet, po i hapin sytë mos vallë dikush i pa ftuar po hyn në mahallë, po bëjnë “strategji mbrojtëse” me të cilat do mrekulloheshin edhe strategët profesionalë.

Jam i bindur se të këtillët njerëz po e bëjnë diferencën në këtë situatë kur shumica e politikanëve po përpiqen të paraqesin vehten si “Zëri dhe grushti i popullit”. Këta njerëz, ka kohë që e kanë aktivizuar kodin tonë të mbijetesës dhe po të mos ishin ata, vaj halli për ne. Të varfër, me fëmijë të pa punë, në luftë të vazhdueshme për ekzistencë, ata , megjithatë,janë mbështetja dhe siguria jonë.

Për ata nuk flitet asnjëherë nëpër media, ata nuk marrin mirënjohje, portalet nuk shkruajnë për ata dhe ata s’kërkojnë asgjë nga askush sepse, thonë, “ne po e bëjmë detyrën tonë, po e mbrojmë jetën e familjeve tona, ne jemi mësuar të dallojmë situatat e vështira…” Dhe, po thonë, heronjtë e padukshëm të sokakut tonë- “ Ne s’kemi nevojë për lëvdata e falenderime, ne vetëm duam jetë të qetë në të cilën do vazhdojmë ballafaqimet tona me hallet e brengat, pa iu bë askujt barë”.

Po, këta janë heronjtë e sokakut tim , të juajit, të të gjitha sokaqeve tona. Por, ja që i kemi haruar nga pakë, nuk po i dëgjojmë dhe nuk po i shohim. Heronjtë e sokakut tonë, për dallim nga disa që e kanë plotë gojën komb,patriotizëm e guxim, i nënkuptojnë këto gjëra dhe nuk i ekspozojnë.

Zoti sheh dhe Zoti dëgjon çdo gjë, pra i sheh e i dëgjon edhe gjërat që janë të nëkuptueshme.


Loading...
loading...