“In memoriam – it” për Luman Çermenikën

SHKRUAN: Dr. Bexhet Asani U shua një talent i rrallë..!
Profesor Liman Çermenika lindi më 28 prill të vitit 1941 në fshatin Ladorisht të Strugës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, shkollën e mesme Normalen në Shkup. Pas kryerjes së normales ndjek studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në grupin Biologji-Kimi në Shkup. Për një kohë të gjatë deri sa doli në pension, punoi në tetëvjeçaren “Ashim Agushi” në Ladorisht. Gjatë punës së tij shumë vjeçare u shqua si pedagog në edukimin dhe arsimimit të brezit të ri, në fushën e arsimit. Në ato kushte të vështira në punë, ishte i vetmi arsimtar i cili lidhte teorinë me praktikën qoftë në lëndën e biologjisë, qoftë në lëndën e kimisë. Profesor Liman Çermenika kishte edhe një talent të rrallë, e të lindur për muzikë. Ai nuk kishte të kryer ndonjë shkollë apo kurs të muzikës, por kishte një dhunti natyrore. Kështu, ai për disa vjet, në Shkollën tetëvjeçare ku punoi, iu besua që të udhëhiqte korin e shkollës. Në shumë manifestime ai korri sukses, me korin e shkollës ngado që shkoi. Dëshmi për këtë janë mirënjohjet e shumta. Ai ishte mjeshtër virtuoz i mandolinës dhe disa instrumenteve tjera muzikore. Mandolinës prof. Limani i binte edhe pa i parë telat, siç shihet në fotografi. Aty nga fundi i viteve shtatëdhjetë profesor Liman Çermenika regjistrohet me korrespondencë në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup, në degën e Psikologjisë në gjuhën maqedonishte. Studimet i kryen më 26 nëntor të vitit 1991. Ishte ndër psikologët e parë shqiptarë. Ditën kur do të diplomonte, kujtonte prof. Limani, një pedagog i psikologjisë midis tjerash i thotë: “Ti diplomove dhe ke titullin psikolog, por kurrë s’ ke për ta ushtruar profesionin e psikologut…!” Dhe për këtë vuante shpirtërisht! Por ai profesor shoven, nuk ia qëlloi. Profesor Liman Çermenika, në vitin 1991, rrezikoi vendin e punës dhe iu bashkua Kolektivit heroik të Gjimnazit ” Hajdar Dushi” i cili u hap më 2 tetor të vitit 1991 në Ladorisht. Pushteti i atëhershëm këtë tempull të diturisë e quajti “Divo uçilishte” shkollë të egër..,! Në këtë gjimnaz profesor Liman Çermenika ligjëroi lëndët Kimi dhe Psikologji, për 5 vjet rresht, derisa forcat policore me dhunë e mbyllën Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Ladorisht. Profesor Limani qëndroi besnik dhe i patundur deri në fund. Pas daljes në pension prof. Limani themeloi Asociacionin e Veteranëve të Arsimit për Strugë dhe Ohër. Ai kishte aftësi të jashtëzakonshme për të organizuar aktivitete të ndryshme arsimore e kulturore. Kolegët e tij Veteranë të arsimit e kujtojnë me mall, dhe shprehen haptas se profesor Limanin e kishim krahun e djathtë në Shoqatë dhe ja ka gati dhjetë vjet që ai lëngonte pas atakut, ne jemi pa krahun e djathtë…! Profesor Liman Çermenika shkoi në amshim më 25 gusht 2017, në moshën shtatëdhjetë e gjashtëvjeçare! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! Lavdi veprës së tij të shenjtë në arsim! Strugë, më 27 gusht 2017
StrugaLajmStrugaLajmStrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...