Ja nga do të vjen rreziku më madh nëse Zaev e formon Qeverinë

Gjykata Kushtetuese e cila punon nën diktat të VMRO-DPMNE-së, mund të jetë obstruksioni i radhës i Nikolla Gruevskit për të penguar funksionimin e Qeverisë së re. Formimi eventual i Qeverisë mes LSDM-së së Zoran Zaevit dhe BDI-së së Ali Ahmetit, nëpërmjet shumicës parlamentare, pa e marrë mandatin nga presidenti Gjorge Ivanov, mund që të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese. Kështu vlerësojnë për Portalb ekspertët juridik dhe kushtetues në lidhje me atë se nëse formohet Qeveria nëpërmjet Parlamentit (e cila është në pajtueshmëri me Kushetutën), a ekziston mundësia që e njëjta Qeveri të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese?

Eksperti kushtetues, Osman Kadriu, vlerëson se edhe pse formimi i Qeverisë ka bazë kushtetuese, megjithatë “duke marrë parasysh mënyrën e funksionimit të deritanishëm të kësaj Gjykate, çdo gjë është e mundur”.

“E vetmja alternativë për t’iu shmangur kësaj procedure të koklavitur është që Gjorge Ivanov t’ia beson mandatin kreut LSDM-së, Zoran Zaev, por me aq sa shohim ai nuk ka plan të tillë. Formim i Qeverisë nëpërmjet shumicës parlamentare është në bazë të Kushtetutës dhe se nuk ka dilemë që Gjykata Kushtetuese të refuzojë të njëjtën duke rrezuar Qeverinë. Por kjo mund të ndodhë vetëm nëse Gjykata Kushtetuese u përmbahet primeve kushtetuese, por nëse marrim parasysh mënyrën e funksionimit të deritanishëm të kësaj Gjykate, e cila shpesh herë ka ditur të sjelle vendime politike dhe jokushtetuese, atëherë çdo gjë është e mundur. Nëse Gjykata Kushtetuese vepron jashtë rregullores së saj dhe e ndikuar nga politika dhe nëse marrim parasysh se institucionet shtetërore kohës së fundit gjenden nën robërim, atëherë ajo me vendimin e saj politik mund të rrëzojë edhe Qeverinë e re, dhe kjo ndodh pikërisht në vendet ku nuk kemi sundim të së drejtës”, tha Osman Kadriu.

Se Gjykata Kushtetuese është e politizuar dhe gjithçka mund të pritet nga ajo, gjithashtu vlerëson edhe eksperti juridik, Bardhyl Kuka, i cili të njëjtën madje e vlerëson si “degë në shërbim të partisë së VMRO-DPMNE-së”.StrugaLajm

“Fatkeqësisht ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese por kemi degë në shërbim të partisë së VMRO-DPMNE-së. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka rregullore në bazë të së cilës vepron ajo, sërish ajo rregullore përcakton mënyrën e funksionimit të saj, dhe nuk ka të bëjë me atë se a duhet apo nuk duhet të shpallë formimin e Qeverisë. Por duhet të kemi parasysh se kjo strukturë e Gjykatës Kushtetuese mund të bëjë çdo gjë, sikur që vepron kryetari i Maqedonisë jashtë kushtetute edhe ajo do te bëjë çmos që të rrëzojë Qeverinë edhe nëse ajo formohet. Por nëse Gjykata Kushtetuese e shpall jokushtetuese Qeverinë, ajo paraqet një pengesë, dhe se vendimi i saj duhet të rishqyrtohet nga Kuvendi me qëllim që ky i fundit të evitojë dispozitat jokushtetuese të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo duhet të theksojmë se epilogu i tërë këtij rrugëtimi kushtetues do të jetë politik dhe se kjo do të gjendet nga politikanët dhe do të paraqiste një koklavitje edhe më të madhe dhe fatkeqësisht sërish do të përfundojë te presidenti Gjorge Ivanov”, tha Bardhyl Kuka.

Gjykata Kushtetuese me fuqi absolute

Edhe pse ekziston mundësia e veprimit politik dhe jo-kushtetues i Gjykatës Kushtetuese, sërish vendimi i marrë nga ajo, për rrëzim të Qeverisë, do të vihet në shqyrtim në Parlament, por për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Gjykatës, nuk ka institucion kompetent, edhe nëse ajo sjellë vendime jo-kushtetuese.StrugaLajm

“Mjerisht tek ne vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe kundër të cilit asnjë nuk mund të ushtrojë kontroll dhe mjete juridike, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme, ato ngelin në fuqi, por se nëse ndodh që Gjykata Kushtetuese të sjell vendim për rrëzim të Qeverisë, atëherë roli i mbet sërish Parlamentit, që ai të vendos se si të veprojë më tutje”, tha për Portalb, eksperti i kushtetutës, Osman Kadriu.

Sistemi juridik në Maqedoni nuk njeh as ndonjë Ligj e as ndonjë tjetër akt për punën e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të Kushtetutës dhe Rregullores sipas së cilave bëhet procedura, gjithashtu nuk njeh as përgjegjësinë e gjykatësve. Gjykatësit kushtetues për vendimet e tyre nuk përgjigjen as para Parlamentit, edhe pse ai i përzgjedhë. Në praktikë, Maqedonia deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast ku ndonjë gjykatës kushtetues ka dhënë dorëheqje për shkaqe morale apo të tjera.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk ka filluar ende procedurën për vërtetimin e kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale Publike. Zgjatja e procedurës është pengesa e radhës e funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike, ndërsa vetë iniciativa për një procedurë të tillë është përpjekje për ta shuar tërësisht këtë institucion.

Gjykata Kushtetuese vazhdimisht është kritikuar se po punon nën direktiva të partisë së Gruevskit, ndërkaq zvarritja e lëndëve të rëndësishme, në interes të përgjithshëm e bën institucionin plotësisht të pabesueshëm.

In : Aktuale

Loading...
loading...