Infantilizimi

Kjo atmosferë që po mbisundon në Maqedoni dhe gënjeshtrat të cilat si e vërtetë absolute po i imponohen masave që po e bjerrin kohën duke protestuar, po rrezikojnë të shndërrohen në rituale të cilat paralajmërojne vdekjen e vetëdijes shoqërore

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi,

Të ballafaquar me vështirësitë për të mbijetuar e të shkërmoqur nga kriza politike që po zgjatë më shumë se të gjitha pritjet më pesimiste, po ndodhë shumë shpeshë kohëve të fundit të dëgjojmë dilemat e qytetarëve tanë që po bëjnë krahasime dhe po tërheqin paralele mes të shkuarës dhe të sotmes.

Ishte më mirë në kohët komuniste, apo është më mirë sot ?

Më të moshuarit, ata pra që kanë jetuar dhe e kanë përjetuar sistemin komunist, vetvetiu i parafytyrojnë kongreset partiake dhe tubimet “madhështore” në të cilat me mija njerëz vetëm bëni sikur po dëgjojnë dhe po aprovojnë dicka, anipse e dinin që çdo gjë që thuhej aty ishte një gënjeshtër e madhe dhe shpërlarje masive e trurit.

Por, a nuk po ndodhë e njëjta gjë edhe sot, tre decenie pasi komunizmi theu qafën?

Nëse shikon sferën mediale dhe atë publike, njeriu që nuk dëshiron të pranojë pozitën e të trullosurit do të vërejë paradën e vazhdueshme dhe do të dëgjojë përsëritjen e llafeve boshe të disa “gazdallarëve” politikë dhe të manekinëve të tyre që , pa turp e pa perde, po na shtyjnë të besojmë në gjëra që janë tërësisht në shpërputhje me realitetin.

Paradoksi

Mjerisht, për momentin, ne jemi dëshmitarë të kulminacionit të një procesi më të gjatë të eliminimit të atyre të cilët e kanë kundërshtuar dhe po e kundërshtojnë një ideologji përjashtuese. Bartësit e ideologjisë të cilët Maqedoninë e shohin vetëm si bahçe të vehten e të popullit të vetë, duke promovuar gjenerata të cilat pa hezitim e përqafojnë atë ideologji, duhet pranuar se krijuan një masë goxha të madhe njerëzish të cilët parapëlqejnë metodin e konfrontimit me kundërshtarët që më së paku nënkupton mospajtim të argumentuar.

Të përballur me infantilizimin e një pjese të opinionit publik dhe të asaj pjese të masës që vetëdijshëm pranon të instrumentalizohet, ne po shohim se eminencat gri të një ideologjie të perënduar po bëjnë përpëlitjet e fundit që vendin ta shtyejnë në gjendje të një kaosi të kontrolluar të cilin, sipas nevojës, do e orientojnë në përplasje ndëretnike a ndërfetare.

Dhe, ja paradoksi: përplasjet që po inicohen, qofshin ato brëndaetnike apo ndëretnike dhe qëndrimi ofendues e i dhunshëm ndaj atyre që mendojnë tjetërsoj, po bëhet në emër të lirisë, të kombit, të mbrojtjes të shtetit nga armiqtë fiktivë. Në këtë përplasje përfundimtare ” me tradhëtarët e spiunët, me imponuesit e ndryshimeve kushtetuese dhe me federalistët”, nuk guxon të ketë asnjë individ neutral sepse “shteti dhe kombi janë në rrezik”. Një mendësi që s’dallon fare nga njëmendësia dhe uniformiteti i dikurshëm politik, do kisha thënë. Por, për dallim nga njëmendësia e dikurshme e cila përmes gënjeshtrave sinqerisht përpiqe të ruaj shtetin, sot po ndeshemi me një klasë politike e cila përhapë urrejtjen mes njerëzve për të mbrojtur vehten, paçka që mund të humbë shtetin.

Sidoqoftë, kjo atmosferë që po mbisundon në Maqedoni dhe gënjeshtrat që si e vërtetë absolute po i imponohen masave që po e bjerrin kohën duke protestuar, po rrezikojnë të shndërrohen në rituale me të cilat paralajmërohet vdekja e vetëdijes shoqërore

Kleri sekular dhe ky kleri tjetër

Isaiah Berlin,historiani britanik i ideve dhe filosof, një mbrojtës i liberalizmit perëndimor nga totalitarizmi,në historinë moderne të ideve politike e afirmoi shprehjen “kleri sekular” me të cilën i shenjoi intelektualët komunistë që e mbronin ideologjinë shtetërore dhe krimet e pushtetit.

Kuptohet, anipse kaluan tridhjetë vjetë nga rënia e komunizmit, kjo shprehje lirshëm mund të përdoret për intelektualë të cilët i takojnë një tjetër ideologjie, asaj që ka për bazë nacional shovenizmin. Kleri sekular, tani i veshur me një petk tjetër, vazhdon të përhapë premisën e vetë sipas të cilës njeriu i rëndomtë duhet të pranojë faktin se jeta e tijë është e parëndësishme. Ja ku e keni përpara syve klerin sekular, dikur komunistë të bindur – sot nacionalistë e shovenistë të maskuar si akademikë, si ish kryeparlamentarë, si artistë…

Por, çfarë të bëhet me këtë klerin tjetër, me klerikët që janë betuar se do i shërbejnë Zotit e në fakt më së paku Atij po i shërbejnë. Cfarë të thuhet për klerikët që me paraqitjet e tyre skandaloze po nxitin urrejtje duke kënduar këngë nacionaliste në tubime të organizuara nga dofarë organizatash “patriotike” që po rrahin gjoks se janë të gatshëm të mbrojnë “identitetin kombëtar”?

Më duhet të them patjetër se retorika nacionaliste dhe luftënxitëse e disa priftërinjëve drejtëpërdrejtë prekë në ndjenjat e shqiptarëve dhe muslimanëve të Maqedonisë në përgjithësi, ajo paraqet një provokim flagrant të një populli që aq me kujdes dhe qetësi, me aq qëllim të mirë po i ndjekë zhvillimet në vend.

Do të ishte mirë nëse kjo pjesë e klerit që hapur është vënë në shërbim të një grupacioni politik që po rropatet të mbijetojë, do i thërriste mendjes dhe , nëse nuk do punojë në qetësim të tensioneve , së paku mos t’ju fryej atyre. Ata e dijnë fare mirë se trazimi i ndjenjave fetare paraqet lojë të rrezikshme me zjarrin që nuk fiket pa u derdhur gjak.

Tekefundit, kleri që përpiqet me paraqitjet e veta luftënxitëse të përfitojë poena nga besimtarët, në fakt dëshmon se ato nuk mund dhe nuk di t’i fitojë me përhapjen e fjalës së Zotit dhe me paqen e dashurinë mes njerëzve që i preferon feja.

Sëkëndejmi, klerikët duhet patjetër të qëndrojnë anash nga pisllëqet të cilat mund t’i reflektojë politika ditore.Sot e këtu kemi ashpërsim të raporteve mes bashkësive etnike e fetare , ekskluzivisht për fajin e një grupacioni politik nacionalist të cilit po ia mbajnë ison një grup priftërinjësh ndaj të cilëve nuk po ndërmer kurfarë mase Institucioni fetar të cilit ata i takojnë. Ama, do duhej t’a bënte një gjë të këtillë sepse nesër mund të bëhet shumë vonë.


Loading...
loading...