Reklamo ketu!

Ja sa miliona borxh ka Struga,Ohri…

 

Sa realisht kanë borxh 20 komunat që kanë më së shumti borxhe në Maqedoni, të cilat me vite punojnë me llogari të bllokuar, ishte lëndë hulumtimi dhe analizë e Shoqatës së qytetarëve Media Plustransmeton Portalb.mk.

Matja ka filluar nga viti 2012 deri më 30 më shtator 2017, para fillimit të Zgjedhjeve lokale 2017, kur këto komuna kërkuan asistencë financiare që t’i zbatojnë zgjedhjet. Nga cila periudhë kanë borxh, kujt i kanë borxh, cili kryetar komune ka punuar përmes shifrave, paraqet analiza e gjatë në fund të këtij hulumtimi.

Analiza është e bazuar në dokumentet zyrtare që na i kanë dërguar të gjitha komunat, me përjashtim të Komunës Pllasnicë.

Sipas dokumenteve të komunave, që Media Plus i mori nëpërmjet Ligjit për qasje të lirë tek informatat, borxhi i 19 komunave më të ngarkuara me borxh është 48.188.378 euro. Në këtë shumë nuk janë përfshirë borxhet e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve komunale.

I pari është Ohri me borxh prej mbi 20 milion eurove dhe më pas vjen Tetova me mbi 10 milion euro.

Në anën tjetër, Ministria e financave publikoi se me përfundim më datën 30.09.2018 që të gjitha 80 komunat dhe Qyteti i Shkupit kanë borxh prej 81,3 milion euro apo 5 miliardë denarë. Institucionet e themeluara prej njësive të vetëqeverisjes lokale nga sfera e arsimit, kulturës, mbrojtjes fëminore dhe sociale kanë borxh prej 15,4 milion euro, ose 950 milion denarë.

Të dhënat të cilat i kërkuam, e më pas edhe i analizuam, tregojnë se komunat kanë ndërtuar, rikontstruuar dhe kanë kryer punë, që më pas nuk kanë mundur t’i paguajnë, kështu kanë akumuluar borxh që i ka sjell në gjendje që të punojnë me llogari të bllokuara. Të tjera, më shumë se gjysmën e buxhetit të tyre e kanë shpenzuar në paga, ashtu që u kanë ngelur pak për ta realizuar programin. Pa përjashtim, ngarkimet më të mëdha me borxh janë bërë gjatë ose pas vitit zgjedhor, kur kryetarët e ri të komunave i kanë pranuar faturat për pagesë të pararendësve të tyre.

Borxhet më të mëdha të komunave janë në vitet 2013 dhe 2014 dhe në vitin 2017. Ka komuna të cilat i kanë ngarkuar me borxh ndërmarrjet publike nën kompetencën e tyre, duke mos iu paguar për shërbime dhe punë tjera, derisa ka edhe rast të kundërt, kur komunat kanë ndarë mjete si subvencion për ndërmarrjet publike.

Ndër 20 komunat, karakteristik është rasti i Kumanovës, kur borxhi i komunës është shumë më i vogël nga ai i ndërmarrjeve publike të cilat i ka formuar dhe tani komuna i paguan borxhet e tyre. Komuna e Kumanovës, ka detyrim prej 182.7 milion denarë, derisa pesë ndërmarrjet bashkërisht rreth 600 milion denarë.

Në përgjithësi, komunat kanë shpenzuar shumë më tepër para nga shumat në dispozicion apo kanë arritur t’i mbledhin, kurse gjatë asaj kanë punësuar dhe kanë mbushur administratën lokale, me ç’rast më tepër se gjysma e buxhetit është ndarë për rroga.

Për të gjitha komunat qëndron vlerësimi se kanë pasur planifikime tepër vëllimore në buxhete, pas të cilave janë bërë rebalance me shkurtim të shumave të parapara për zëra buxhetore. Në disa raste këto planifikime i kanë tejkaluar limitet prej 30-50 përqind. Për atë arsye, Qeveria para pak kohe propozoi ligj me të cilin i kufizon komunat të mund të zmadhojnë buxhetin për më së shumti deri 10% nga viti i kaluar. Komunat kanë dështuar në grumbullimin e tatimit mbi pronë, kurse shumë shpesh edhe në shitjen e tokës ndërtimore.

Ilustrimi më i mirë për shpenzimet e komunave janë të dhënat e Ministrisë së financave, sipas të cilës, borxhi i përgjithshëm i NJVL në vitin 2005 ka qenë 25 milion euro duke e përfshirë edhe borxhin e ndërmarrjeve publike komunale, që në total paraqet 3,3% të borxhit të përgjithshëm të shtetit. Për 13 vite ai borxh është zmadhuar për 56,3 milion euro, ashtu që në shtator të vitit 2018 është 81,3 milion euro.

Çka thotë pushteti qendror, e çka ai lokal?

Më 13 nëntor të vitit 2018 u miratua Ligji për mbështetje financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe njësive shfrytëzuese të themeluara prej njësive të vetëqeverisjes lokale për financim të obligimeve të maturuara, e të papaguara, me të cilin, prej Buxhetit të Republikës së Maqedonisë ndahen rreth 50 milion euro, për të paguar 51 përqind të borxheve, duke përjashtuar ato të ndërmarrjeve publike. Secila komunë pranon shumë të ndryshme varësisht nga madhësia e borxhit. Ligji e obligon komunën të shpall thirrje për paraqitje të kompanive ta lajmërojnë kërkesën nga komunat. Pastaj nënshkruhet kontratë, kurse përparësi do të kenë kompanitë të cilat do të heqin dorë prej 15 përqind të borxhit dhe nga shuma e përgjithshme e kamatave.

Deri në datën 1 shtator 2017 me llogari të bllokuara kanë qenë komunat: Zërnovci, Pllasnica, Resnja, Dellçeva, Ohri, Struga, Pehçeva, Kumanova, Gradsko, Bërvenica, Tetova, Rankovce, Sopishte, Bogovinjë, Berova, Karbinci, Staro Nagoriçane dhe Chashka, kurse me urdhra për bllokim Lipkova dhe Negotina.

Në ndërkohë, disa prej këtyre komunave, kanë arritur t’i zhbllokojnë llogaritë e tyre.

Për atë si kanë punuar komunat më tepër në linkun: https://mediaplus.org.mk/podlupa