Kërçova e zgjodhi problemin me ujërat e zeza

Duhet theksuar se projekti i ndërtimit të Stacionit të filtrimit është ndërtuar për më pak se dy vite dhe është i dyti i cili lëshohet në përdorim në kuadër të projektit. Me këtë projekt, në mënyrë të përhershme po zgjidhet problemi me ujërat e zeza në Komunën e Kërçovës dhe rriten standardet për mbrojtje të ambientit jetësor

Adem XHELADINI

Shefi i përhershëm i BE-së në Maqedoni, ambasadori Samuel Zhbogar, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Kërçovë, projekt ky që ka nisur të realizohet në vitin 2016 dhe që tani po lëshohet në përdorim, shkruan gazeta KOHA. Fillimisht, zyrtari i lartë i BE-së, ambasadori Zhbogar u prit në Komunën e Kërçovës nga kryetari Fatmir Dehari, me ç’rast kanë biseduar për projektin e realizuar të këtij stacioni të filtrimit të ujërave të zeza, si dhe për projektet e ardhshme që Bashkimi Evropian pritet t’i realizojë në Kërçovë.

Në këtë takim, dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për realizimin me sukses të këtij projekti kapital që kap shumën e 14 milionë eurove, mjete të cilat janë siguruar nga fondet e BE-së, nga Qeveria, konretisht Ministria e Ekologjisë dhe nga pushteti lokal. Duhet thënë se vlerën më të madhe të këtyre mjeteve i ka siguruar Bashkimi Evropian në vlerë prej 10 milionë euro, ndërsa 4 milionë nga Komuna e Kërçovës dhe Ministria e Ekologjisë. Veç Zhbogarit dhe Deharit,në prerjen e shiritit morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, i ngarkuar për çështje ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Ekologjisë, Sadulla Duraku, Verner Casagrande, anëtar i Këshillit të WTE Group, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe të tjerë.StrugaLajmStrugaLajm

“Ky projekt është pjesë e aktiviteteve të financuara nga BE dhe që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës e cila mundëson mbrojtje të ambientit jetësor në përputhje me standardet e BE-së përmes ndërtimit të stacioneve të filtrimit të ujërave të zeza. Paralelisht me investimet në infrastrukturë, BE gjithashtu punon së bashku me shtetin në reforma të sektorit të ujërave, me qëllim që të sigurohen shërbime të qëndrueshme për furnizim me ujë për të gjithë qytetarët”, theksoi Zhbogar në hapjen e këtij impianti.StrugaLajm

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Angjushev theksoi se qëllimi është nxitja e zhvillimit ekonomik të vendit, për të cilin nevojitet bashkëpunim me të gjitha institucionet. Ministri i Ekologjisë, Sadulla Duraku, përmendi se realizimi i projektit është zhvilluar në bashkëpunim me Sektorin për BE pranë Ministrisë së Ekologjisë dhe sektorin për financim qendror dhe realizimin e kontratave pranë Ministrisë së Financave, ku në veçanti theksoi rolin e projektit për ruajtjen e ambientit jetësor. “Porosis kreun e Kërçovës dhe qytetarët që këtë gjigant ta ruajnë si sytë e ballit”, tha mes tjerash Duraku.

Kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, duke shprehur kënaqësinë e tij, siguroi se administrata e Komunës punon me përkushtim për zgjidhjen e çështjeve të hapura në komunë, me qëllim që të përmirësohet gjendja dhe të nxitet zhvillimin ekonomik lokal. “Në këtë proces, mbrojtja e ambientit jetësor ka rëndësi të madhe dhe përkrahja nga Qeveria dhe në veçanti e Bashkimit Evropian, është me vlerë të madhe, për çka jemi mirënjohës. Dua në veçanti të theksoj përkrahjen e parezervë dhe konkrete të ambasadorit Zhbogar, i cili më ka përkrahur në çastet më të vështira gjatë realizimit të këtij projekti dhe e ftoj që të qëndrojë krahas nesh edhe në procesin e zgjidhjes së problemit me deponitë e egra, për të cilin shpresoj se përkrahja e BE-së nuk do të mungojë”, tha Dehari.

Duhet theksuar se projekti i ndërtimit të Stacionit të filtrimit është ndërtuar për më pak se dy vite dhe është i dyti i cili lëshohet në përdorim në kuadër të projektit. Me këtë projekt, në mënyrë të përhershme po zgjidhet problemi me ujërat e zeza në Komunën e Kërçovës dhe rriten standardet për mbrojtje të ambientit jetësor. Stacioni filtrues në Kërçovë ka kapacitet për 48.000 banorë, ndërkohë që realizimi i projektit ka përfshirë edhe ndërtimin e kolektorit dhe rrugës për t’u qasur deri tek ky impiant. Ndryshe, ambasadori Zhbogar, ministri Duraku dhe kreu i Kërçovës, Dehari, paralajmëruan edhe projektin tjetër nga IPA 2 fondet, i cili do të përfshijë rrjet kanalizimi prej rreth 100 km dhe në të do të përfshihen rrethina e Zajazit, Premka dhe fshati Dërgovë, si dhe një stacion i ri filtrimi që do të kapë vlerën e përgjithshme prej 14 milionë euro. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...