Reklamo ketu!

KLLAPIA PAS-KOMUNISTE

Shkëlzen Halimi

Elitat politike shqiptare nuk ishin grupime të zgjedhurish, por ato u zgjodhën vetë, duke u imponuar si “përfaqësues të natyrshëm”. Qasjet dhe veprimet e tyre sikur thoshin se:” mjafton trupi i popullit dhe mendja jonë”. Përvoja e keqe nga e kaluara e afërt nuk u mor si bosht veprimi, por edhe as si argument i qëndrueshëm se ndryshimin duhet ta ndjejnë edhe shqiptarët. Në vend të kësaj, elitat politike shqiptare “zgjodhën” të vazhdojnë të ëndërrojnë për ndryshimin, si një ideal që nuk duhet të shuhet. Por, koha pamëshirshëm shpejtonte dhe dikush duhej të flijohet për interesa të konfigurimit të ri të Ballkanit dhe më gjerë. Si zakonisht, në konstelacionet ballkanike, ishin shqiptarët që duheshin t’i mbyllin sytë dhe të mos bëjnë zhurmë derisa të vendosen themelet e “shtëpisë së përbashkët”. Dhe, në vend që të marrë fund trajtimi i shqiptarëve me metoda komuniste, ato nuk u shlyen nga faqja e dheut, por të njëjtat u kamufluan me metodat “demokratike”, duke vazhduar të qëndrojnë në shtratin e gjumit dhe në procesin e ëndërrimit pa fund.

Rreziku se një ditë shqiptarët do të lodhen në pritje të ndryshimit të thellë të pozitës së tyre, por pa i dëmtuar të tjerët, dukej i realët dhe i pritshëm. Kur mbështetesh për muri dhe kur nuk ke kah të shkosh ose dorëzohesh, ose bën vetëvrasje për të mos rënë në “duart e armikut”.  Kurse me “duart e armikut” do të duhet të nënkuptohet kozmopolitizmi, që shoqërinë shqiptare do ta bënte shoqëri amorfe, pa identitet, pa probleme, që historinë dhe kulturën e vet duhej konsideruar si të parëndësishme dhe se ngritjen shpirtërore do ta mundësojë vetëm kultura botërore. Strategjia e pranimit për të qenë një degë pa fryt i kulturës shtetërore (në Maqedoni), është e destinuar që në mënyrë permanente të dështojë, sepse askush asnjëherë nuk i mori në konsideratë specifikat e kulturës shqiptare, përfshi këtu edhe të menduarit shqip….

Shkëputja nga autoktonia, nga kontinuiteti kulturor, përbënte një nga momentet më tragjike të fatit të shqiptarëve, sepse në këtë fushë gjithçka iu nënshtrua improvizimit, që si kategori nuk ka as fillim e as mbarim. Përgjegjësia e atyre që i kontribuuan kësaj gjendje është historike. Pra, shqiptari duhet të bëjë paqe me vetveten. Sa ma shpejtë që të bëjë këtë, aq më shpejtë do të ndodhë dalja nga kllapia pas-komuniste.