KOHA E ATYRE QË SË PARI DOKTOROJNË E PASTAJ KRYEJNË FILLOREN

Shkëlzen Halimi

Ishte i llastuar, ai, çuni i lagjes sonë. Nuk e donte shkollën dhe mezi që e kreu tetëvjeçaren. Prindi i tij, duke mos ditur se çfarë të bëjë, e punësoi te berberi i lagjes. Gjithë ditën e lume, berberi i vogël, që s’e largonte prej trupi mantelin e bardhë, priste e përcillte myshterinj dhe qëndronte para pasqyrës duke i rregulluar flokët, të cilat i kthente herë në të majtë, herë në të djathtë. Çfarë ndodhi më vonë? Berberi i vogël që mezi e pati mbaruar tetëvjeçare, do të magjistrojë dhe thonë se së shpejti do të doktorojë. Këtë “kërcim” kaq të gjatë të berberit të dikurshëm të lagjes ku jetoja unë, s’duhet kuptuar si diçka jonormale, sepse ndodh në një kohë dhe ambient jonormal, ku edhe fantastikja bëhet realitet. Është ambient që përshkohet me politikë servile, me intriga e shantazhe, të cilën ambient e dominojnë matrapazët, që interesat e veta i realizojnë vetëm duke “vajtuar” për të drejtat e popullit shqiptar. Të tillët me sukses notojnë në ujërat e pushtetit, duke qenë të përshtatshëm për çdo garniturë qeverisëse, duke kaluar herë në të majtë, herë në të djathtë (si berberi i vogël që i rregullonte flokët). Këta zvarranikë vazhdojnë të bëjnë biznes-politikë në emër të hallexhinjve shqiptarë, në emër të patriotizmit shqiptar, në emër të sinqeritetit të atyre që ende nuk e kanë kuptuar se biznes-politika dhe intriga janë dy çështje që ushqejnë njëra tjetrën dhe që veçmas nuk mund të funksionojnë.
Jetojmë në një kohë të mbrapshtë, në të cilën kohë, pa pushuar, brenda njëzet e katër orë, vazhdimisht të gënjejnë, është koha e atyre që së pari doktorojnë e pastaj e mbarojnë filloren, është koha e atij çuni të lagjes sime, berberit të vogël të dikurshëm, që papritmas bëri “kërcimin” jetësor dhe sot vendos për fate njerëzish. Është kohë pa kohë, kohë e vlerave të ngatërruara. Dhe këtë kohë mund ta ndryshojnë vetëm ata që nuk kanë etje për pushtet, por etje për ndryshim…