Koha,kur Ladorishti dha dëshmorë në mbrojtje të Korcës

Medai Shaholli/Strugalajm.com

( në përkujtim të 105 vjetorit të dëshmorëve të lirisë të 1914 )

Nga përvjetorët dhe ngjarjet e shënuara të rezistencës dhe luftës për liri të shqiptarëve ndër shekuj, edhe lufta e Nikolicës përbën faqe të lavdishme të historisë sonë kombëtare.

Gjatë vitit 1914 dhe më pas Korça dhe jugu i Shqipërisë u pushtua dhe u sulmua shpesh nga ushtria grabitqare e qeverisë shoviniste greke mbi tokat tona.
Kësisoj, duke parë rrezikun e coptimit të Shqipërisë edhe ashtu të cunguar nga vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës, çetat vullnetare shqiptare nga jugu i vendit kapën armët për të mbrojtur vendin nga shovinistët fqinjë.

Pas shuarjes në gjak dhe bajoneta të kryengritjes së shtatorit të 1913, një pjesë e luftëtarëve të Taborit të Strugës kalon në ndihmë të mbrojtjes së Korçës nga sulmet e ushtrisë dhe andartëve grekë në këtë rreth.StrugaLajm

Luftëtarët shqiptarë të Taborit të Strugës tashmë kishin bërë emër me rezistencën e tyre ndaj pushtuesve fqinj, kishin marrë urdhërin e komandës dhe ishin pozicionur në mbrojtje të kufirit rreth Nikolicës me 40 burra të gatshëm për t’u përleshur me armiqtë gjakatarë grekë.

Beteja për mbrojtjen e Nikolicës e cila u sulmua nga forcat shoviniste greke filloi në prill të 1914, ku përveç lufëtarëve shqiptarë të çetës së Sali Butkës, mori pjesë edhe një çetë me luftëtarët e Taborit të Strugës, me Demir Lenën në krye të 40 burrave struganë, të pasuar me trimat e Jashar Starovës, Shaban Blloshmit dhe Hasan Bitinckës.StrugaLajm

Ushtria greke me andartët, ia mësynë tokave shqiptare me afro 2000 ushtarë, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar tokat shqiptare në jug të Shqipërisë.

Forcat pushtuese greke edhe pse të shumtë në numër dhe në armatim hasën në rezistencë të fortë të forcave vullnetare shqiptare duke i mposhturr dhe dëbuar nga territori shqiptar.
Ata lanë më shumë se 150 të vrarë në tokën shqiptare, ndërsa nga forcat mbrojtëse shqiptare patën disa të rënë mes tyre dhe dy luftëtarë trima nga Tabori i Strugës, Bajram Coma dhe Demisha Hoxha.

Çmimi i lirisë u pagua shtrenjtë me gjakun e dhjetra luftëtarëve shqiptarë, ku emrat e Bajram Comës dhe Demisha Hoxhës do të mbeten në përjetsi të gëdhendur në memorjen e nikolicasve dhe ladorishtarëve dhe më gjerë, si dëshmorë të monumenteve të lirisë.

Dy dëshmorë të lirisë nga Ladorishti Bajram Coma dhe Demisha Hoxha, pushojnë në varrezat e fshatit Nikolicë të Korçës, si dëshmi e gjallë e luftës për liri në mbrojtje të tokës mëmë.
Monumenti i tyre i ngritur pranë Vakçares simbolizon veprën më sublime të luftëtarëve lirisë dhe shembullin e sakrificës në mbrojtje të atdheut.

Lavdi dëshmorëve të kombit të rënë në fushën e nderit në Nikolicë të Korçës!


Loading...
loading...